Ç’MË THA KALLASHNIKOVI

Tovarish grykëzjarrti,
Kallashnikov,
me dhëmbët në karikator
të mprehur brisk,
ç’dreqin kërkove
nga brigjet e detit Azov,
të kullotësh mish njeriu
buzë detit Adriatik?...
 
-Kam mësuar flas shqip,
o allbanski poet.
Më pëlqen toka
dhe mishi i gjallë shqiptar,
qëkur më thirrët
në nëntëdhjeteshtatën vetë,
të haja ca trimosha
që koka erë u kish marrë. 
 
Jam krijuar vampir i hekurt
të pi gjak të nxehtë,
pastaj të ushqej
dheun e uritur me kërma.
S’dua të di se më urrejnë
njerëzit që duan jetë,
apo me shami të zeza
më mallkojnë nënat.
 
Ajo nënë që e do gjallë
fëmijën e vet,
ta mësojë të mos ndërsejë
grykën time,
por t’i mbajë trutë
brenda kafkës të qetë,
se unë nuk jam krijuar
per të mbajtur fjalime.
 
Ç’faj kam se njerëzit
gjaknxehtë në Shqipëri,
nuk nxorën mësime
nga Afrika te Afganistani,
ku bëra rrallimin e kallinjve
të mbirë me tepri,
dhe ngopa tokën me varre,  
siç më tha shejtani?...           
 
Madje dhe tani kur flas,
ka ca kokëzjarrtë,
që avullojnë me shkulma
te maskuar rreth e rrotull,
që më mbajnë fshehur,
si qenin në thark,
të leh krisma te njëri-tjetri
apo dhe permbi popull.
 
Unë pres qetesisht
dhe dheu barkmadh pret.
Dua nje yshtje te lehte
vetëm si pretekst,
që dy kundërshtarëve,
kur njëri më thërret,
t’u ha kokat radhazi
me shumë oreks...

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145