ÇIFTI QIELLOR

Shpesh e shoh Tokën si grua qiellore
dhe Diellin bashkëshortin e saj kozmik.
Jo thjesht nga dukuria e gjinisë emërore,
por edhe nga veprimet e ndërsjella në çift.

Toka bëhet nuse me vellon e pranverës,
grua shtatzënë përgjatë verës me vapë,
nënë në vjeshtë me gjirin ushqyes të jetës,
gjyshe në dimër për tu ricikluar prapë.

Dielli luan përmbi të rolin burrëror,
me afrimet trupore për çiftimin intim.
E ngroh, e përkëdhel, e ujit, e pllenon,
ndryshe nga planetet farefis në rrotullim.

Ashtu si në zbulimet sipas shëmbëlltyrës,
për shpikjen e mjeteve praktike shkencore,
ku njeriu imiton format dhe ligjet e natyrës,
ka vend dhe imitimi për rregullat njerëzore.

Ndoshta si shembull duhet marrë ky çift,
për besnikërinë aq të përsosur familjare,
ashtu si Toka dhe Dielli të pandarë në shpirt,
jetojnë me vajzën e vetme, Hënën beqare.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145