BUKURIA QË SHËRON ZEMRAT

Urbani i ngarkuar rëndë uturinte më rënkim.
Udhëtarët e unazës ishin kthyer në sardele.
Ngjitur meje miku më ankohej me trishtim,
se analizat e zemrës kishin dalë me probleme.
Aty pranë ra nga qielli një bukuri e praruar,
që të merrte mendjen në çdo moshe të ishe.
Njerëzit përqark vështronin të paralizuar,
nga qafëgjata me sy e buzë të magjishme.
Atë çast i mekur prej saj, i thashë mikut tim:
Pa shiko, o Bardhi, ç’mrekulli ka bërë zoti!
Oh, mua më dhemb zemra e s’po gjej shërim,
ti seç po më thua për ca gjëra kot së koti...
Kjo nuk është gjë koti po shihe ç’ka bërë zoti,
se ta largon dhimbjen më mirë nga çdo kurim
dhe të gjitha vuajtjet e tua të duken pika loti,
po sodite këtë krijesë marramendëse pa ngurim!
Si asnjë herë tjetër, psherëtiva duke rënkuar:
Ah, moj nëna ime, që ke vdekur e s’më dëgjon,
të kishe mundësi të më mbaje të konservuar,
dhe ta lindje vezën time dyzet vjet më vonë...
Ajo ktheu vështrimin papritmas nga ne të dy,
sikur të kishte marrë befas një mesazh qiellor.
Miku im u trand përbrenda, u përpëlit në sy,
nga ata sytë e saj magjik me rrezatim meteor.
Pas kësaj ne treguam barsoleta dhe pimë raki.
Bardhit s’i dhembi zemra, trishtimi ishte fshirë.
Bukuria e asaj vajze i kish dhënë shpirtit të tij,
besim të plotë për jetën dhe humor të mirë.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145