BUKUROSHJA QË MA BËN ME SY

 
 
 
I falem fatit të parë që më dha fatmirësia,
të lind në Sarandën e bukurisë së shenjtë,
ku u mblodhën dyzet shenjtorë nga gjithësia
dhe i vunë emrin përjetësues, të shifrës dyzet.
 
Ashiku dell që i sillet kësaj bukuroshje përqark, 
dremit gjithë vitin mbi shkallët e saj harkore
dhe në udhën e dashurisë së tij të zjarrtë.     
ka fiksuar këtu, më të ndritshmen lakore.   
 
Këtu mblidhen kureshtarët e të gjitha viseve  
të sodisin këtë perri, që i tërheq si magnet 
dhe tre muajt e artë të gjithë mesviteve,  
Saranda e flladeve jugore bëhet kryeqytet.
 
Këtu autobusët luksoz flenë bashkë me tragetet
të radhitur si dallëndyshet mbi telat e telefonit,
pasi kanë sjellë nga larg malet dhe detet,
të pushojnë në vargun e hoteleve si dallgët e Jonit.
 
Këtu vajzat dalin nga shkumëzimet e valëve
me belin hollak, si bisht luhatës peshku,
me bukurinë e magjishme të sirenave detare, 
dhe me joshjen gazmore që u jep fresku. 
 
Këtu djemtë çapkënë me lëkurën çokollatë
çmenden për vajzat e ardhura nga Veriu,
dhe u zbresin përtokë hënën në mesnatë 
dhe u nxjerrin nga deti oktapodin me sy njeriu.
 
Këtu yjet e pjekur bien nga vreshtat e hënës
dhe i presin detarët, në rrjetat e peshkimit.  
Këtu horizontet të presin me dashurinë e nënës               
dhe të dhurojnë portokallin e kuq të perëndimit. 
 
Saranda kurdoherë lëvrin brenda damarëve të mi
dhe unë marr impulse nga zemra e saj e madhe.
Kur kjo bukuroshe sykaltër ma bën  me sy,
zbres hundën e Gjashtës nën dy vetulla malesh.  
 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145