ËNDËRR FATALE

Ra muzgu i kuq,
dhe nata e bardhë. 
Dashnorët u puthën
për herë të fundit.
Nënat vunë fëmijët
në sisë me radhë
dhe në shtratin e butë
ia dorëzuan gjumit.
 
U kyçën qepenat
dhe dyert e blinduara.
U shuan ekspresët,
në lokalet e zbrazur.
Pijanecët u zvarritën
drejt shtëpive të harruara.
Shitësit numëruan fitimet
dhe fjetën të kënaqur.
 
Befas zogoria e qenve
lehu rrugëve të qytetit.
U ndie me frushullimë,
një luhatje e tmerrshme...
Pallatet shtynë njëri-tjetrin
si dallgët e forta te detit,
pastaj pluhuri i mbuloi
me pelerinën e menjëhershme.
 
Njerëzit u gdhinë kufoma
dhe qyteti u kthye gërmadhë...
 
Largqoftë kjo ëndërr fatale,
mos na ndodhtë kurrë në jetë!
Veç korrupsionin mos lakmoni,
o zyrtarë të etur për ryshfet
dhe ju, o tregtarë të pangopur,
që pomponi çmimet përpjetë!
 
Pse lakmoni pareshtur
rrënimin mbi popull,
duke zhvatur më tepër
nga sa u takon në risk,
kur në këtë glob që vjen
pa u ndalur rrotull,
fataliteti i tmerrshem
vërtitet për të gjithë?!..

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145