FOLA ME VDEKJEN

Në ëndrrat e çuditshme të netëve me pak gjumë,
befas m’u shfaq mortja zyrtare me kosë në dorë.
“Shërbimet funerale” në qytet ishin shtuar shumë,
dhe ajo kishte hapur zyrë në afërsi të lagjes sonë.

Bënte pritje kur qiellin e pluhurosur mbulonte nata.
Njerëzit e merakosur për fundin e pashmangshëm,
kishin zënë radhë para derës së zezë me dy kanata,
ku ruanin dy varrmihës me skelete të llahtarshëm.

Një mëkatar që doli nga dera e saj tejet i zemëruar
tha se kryekriminelja njerëzore e përzënë prej zotit,
sipas listës së ferrit, ku e kishte pasur të regjistruar,
do ta merrte së shpejti me kosën e rrallimit të globit.

Unë hyra dhe fola me vdekjen si me një mikeshë,
kur do më merrte e ku do më çonte përfundimisht.
Ajo më vështroi me gropat e syve dhe zuri të qesh,
pastaj tha, duke zbardhur çatajtë e gjatë sa një gisht:

“Arkivolin ta kam porositur te një pyll pishe në Suedi.
Llogarit sa kohë duhet të pritet trungu në pishnajë,
të staxhionohet dërrasa, të transportohet në Shqipëri,
pastaj vjen radha të gatitesh për të shkuar në parajsë...”


O, faleminderit, zonja vdekje, që më çon në qiell,
ku njerëzit ëndërrojnë gjithë jetën të shkojnë aty...
“Prit!- tha- ti do shkruash për mua një libër poezie
dhe do vish çdo javë të më bësh seks, pa dashuri! “


Të caktova ty për seks javor me eshtrat e mia,
se i këndon me pasion dashurisë që të fal mikja,
nderon femrën si krijesë të zgjedhur nga Perëndia
dhe nuk i ndahesh asaj derisa të të vijë ikja...


Booo, bo, mendova, edhe kjo torturë më duhej mua,
që u ruajta në jetë nga abuzimet me gra të radhës!
Si do bëhem burrë me një skelet pa tulin e lëmuar?
Më mirë të vdes tani, se të puth kockat e gërdallës!...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145