FTESA E LARGËT

Më fton një buzë deti
që valëzon në ëndrra,
te jugu i largët
ku flenë kaltërsitë e mia.
Më fton të kridhem
në stinët me tenda,
ku ndjehem i përkëdhelur
tërësisht nga vetmia.

Nga mëngjesi në mesnatë
aty jetoj i zhveshur,
si në muzgjet e largëta
të parahistorisë,
kur s’kish lindur politika
me sherrin e kërleshur,
dhe mendimet notonin
në detin e qetësisë.

Aty mbulohem
me gjethe palmash,
dhe ushqehem me tul
guacash shkëmbore.
Nuk skuqem kur
me gjinj zbuluar vajzat,
falin pa kokëçarje
puthjet diellore.

Më fton zanafilla
me joshje të largëta,
por nuk më lejon
syri i fshehtë i hënës,
që përgjon pas reve
dhe del nga mesnata,
bashkë me zhgënjimin
mashtrues të zhgjëndrës.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145