GJYSHJA DHE BIJA E SHEJTANIT

Gjyshja pa dhëmbë në gojën e madhe,
qeshte dhe me ledha më quante keç.
Nëna e nënës, jetëgjata me tumane,
qeshi plot nëntëdhjetë e tetë vjeç.
Si ajo plakë gazmore dhe kapedane,
në jetën time nuk më deshi askush.
Më lëmonte kokën e nxirrte bajame,
nga xhepat e tumaneve të fryrë kaush.
Bir i gjyshes të bëhesh djalë i mirë,
mos puthësh kurrë “Bijën e shejtanit”,
si ai dajua i madh që na vjen i pirë,
me atë të flamosur nga degët e manit.
Dajua sarhosh s’më pëlqente as mua,
ndonëse më jepte të thyeja bajame.
Se kur vinte me këmbët i penguar,
kundërmonte të puthura era shejtane.
Kur arrita vetë moshën e pjekurisë,
u bërë kureshtar si ishte ajo dreqe.
Putha buzët e saj te gota e rakisë,
bija e shejtanit s’mu duk aq e keqe...
Dhe në dasmën e motrës, çakërrqejf,
i thashë gjyshes para shishes me verë:
Putha bijën e shejtanit sa u bëra dreq!
Ajo qeshi atë ditë më fort se çdo herë...

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145