IDHULLI I ADHURIMI TIM

                   (për Artisten e Popullit, Margarita Xhepa)
 
Ti asnjëherë më parë
nuk kishe si ta dije,
se ke qenë idhulli poetik
gjatë përjetimit tim,
moj artiste me tri dallgë
të floririnjta mbi krye,
nga valët e arta
të diellit në perëndim.
 
Te qytetit im jugor të pashë
së pari në fëmijëri, 
kur ti vajzë e re dogje skenën
me vargje heroik.
Isha dymbëdhjetë vjeç
dhe u thash shokëve me habi:
“Ka ardhur e bukura e dheut
me zërin magjik! “
 
Netëve deklamoje dhe luaje
figura femrash,
ditën merrje diell
te pllakat e plazhit fëminor.
Duke lënë të mahnitur
turmën me sy zemrash,
kur dilje nga deti si nimfë
me xixëllim vezullor.
 
Më vonë gjalluan brenda teje
nëper filma dhe skena,
personazhet më tronditës
nga shpirti i kësaj bote.
Flisje me gojën e tyre,
merrje të tyret emra,
unë, i padëgjuari emër,
lumturohesha nga fama jote
 
Në kinemanë e sharrëxhinjve,
ku filmat projektova,
të fola pa zë te perdja,
ku ti flisje gojarisht.
Pa ditur se do bisedonim si miq,
kur të vinte koha   
dhe do recitoje poemat e mia
në publik madhërisht.
 
Tani ti ke në bibliotekë
disa libra nga pena ime,
unë kam qindra role të tua
në raftet e trurit tim.
Moj e madhja artiste,
me tri dallgë thinjash mbi krye,  
perëndeshë e bukurisë skenike,
idhull im në adhurim.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145