KISHA TE BUZËT NJË GJINKALLË

Kur shtatë vjeçët e parë sapo i lashë,
më solli babai një harmonikë goje.
Ma dha dhuratën e ardhur nga jashtë
e më porositi, po e humbe, harroje!
O, ç’mrekulli dukej në sytë e mi,
ajo lodër muzikore tepër e rrallë,
shpërndante tinguj me aq ëmbëlsi,
sikur kisha te buzët një gjinkallë.
Çunat e lagjes më rrethonin në heshtje,
me sytë e tyre ziliqar të ndezur.
Të gjithë më pyesnin me kureshtje:
Ku e gjete, vëllajo, ku e ke vjedhur?...
As gjetur e kam, as vjedhur, u thoja,
se tjetër si kjo nuk gjendet gjëkundi.
E ruaj si sytë, s’e lëshoj nga goja,
se mos ma vjedhin, se mos më humbi !
Natën e mbaja të flinim së bashku
dhe shpesh prej saj më dilte gjumi.
Dorën nën jastëk e çoja padashur,
qënka këtu,thosha, lum unë i lumi !
Por teksa i fryja i dehur nga gëzimi,
me sytë në qiell ku më ndiqnin zogjtë,
rrëshqita te një kanal me ujë mulliri,
gjinkalla fluturoi,si e trembur me shkop...
Kërkova harmonikën nga rrjedha te lumi,
por ishte zhdukur sikur shkoi në det.
Më humbi, o i mjeri unë, më humbi !
Dhe truri më fluturoi qiellit përpjetë…
E qava të dashurën e buzëve gjinkallë,
aq sa më duket sikur e qaj dhe sot,
kur buzët kanë humbur dhëmb’ e dhëmballë,
dhe humbjen e atij gëzimi s’e harroj dot.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145