KU JE TANI

Katerina e vogël, ku je tani, moj shpirt,
kur unë jam nisur për në horizontin e muzgut?
Kujtesa më vizatoi profilin tënd të trëndafiltë,
në përqafimet e ngrohta te fushëtira e Jugut.  
 
Më magjepse vegjëlinë me atë shpirt të dëlirtë,
që ngazëllehej me takimin e buzëve fëmijërore.
Gëzoheshe si kanarina me sqep të florinjtë,
kur të thoja nuse e si dhëndër të merrja përdore.
 
Në ç'lëndinë a bregore vjeshte baret tani vallë,
kur ndoshta ke rreth vetes një tufë me pëllumba?
Ke zënë shoqe lumturinë apo ke trishtimin përballë,
dhe krahason me mall kohën kur të humba?
 
Mbase ma ke parë fytyrën në humnerat e gjumit,
apo e shkule nga livadhi i kujtesës barin jeshil, 
ku shtriheshim të përqafuar si çift pranë lumit
dhe me kurora ylberore mbuloheshim në prill.
 
Emrin tënd e kam shkruar në një çarçaf prej ere,
të vërtitet përherë nëpër qiellin me vrundullime,
të mbaj zgjuar nostalgjinë për atë moshë pranvere,
dhe të kthehet shpesh të fëshfërijë në dritaren time.
 
Kjo gjë më sjell fytyrën tënde plot dritë...  
Katerina e vogël, ku je tani, moj shpirt?...

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145