KUR GJETHON PYLLI

Kur gjethon pylli
në pranverë,
duart bleroshe
zgjat drejt diellit,
gishtat e gjelbër
shtrin nëpër erë
të ulen zogjtë
këngëtarë të qiellit.

Kur gjethon pylli
në pranverë,
thërret njerëzit
me fëshfëritje lehtas,
me këngë bilbilash
fëmijët ndjell,
të lozin pas drurëve
kukafshehtas.

Kur gjethon pylli
në pranverë
pleqve u dhuron
freskun e agut,
nga palca e drurit
oksigjenin nxjerr,
t’u shtojë në trup
rruazat e gjakut.

Kur gjethon pylli
në pranverë,
djemve u jep
flatra te muskujt,
t’u vërsulen
vajzave si skifterë,
puthjet e ëmbla
t’u rrëmbejnë nga buzët.

Kur gjethon pylli
në pranverë,
bën te vajzat
gjokset të gufojnë,
kopsat e bluzave
t’u shpërthejnë,
derman nga djemtë
të kërkojnë.

Kur gjethon pylli
në pranverë,
çifteve u shtron
dyshek të butë,
të ngërthehen fshehtas
syve të tjerë,
në prehrin e tij
të bëhen një trup.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145