MË PRESIN MIQTË E PYLLIT

Kam ardhur sërish në parajsën me pisha,
mes pyllit me kaftan të gjelbër veshur.
Më presin gjithë miqtë e parë që kisha,
në kohën kur jetova mes tyre i fshehur.
Zogjtë me gjuhë cicërimash më flasin,
kuptoj ç’më thonë me tingujt e ëmbël.
Nuk dua përkthyes bimësh dhe kafshësh,
gjithë kodet e tyre i deshifroj me zemër.
Bari më flet me gjuhët vesuar nga yjet
dhe më tund kërcejtë e hollë me petale.
Fluturat më valëvitin flamujt te kryet,
mbi lulet e nektarit duke kërcyer valle.
Qukapikët trokasin dyerve në zgavra
të rreshtojnë milingonat e pritjes jashtë.
Zhapinjtë alpinistë më dëfrejnë me gara,
kush t’i shkojë trungut te maja e lartë.
Ketrat atletë kërcejnë te arenat mbi pemë
dhe më tregojnë një çast çiftimin e dashur.
Laraskat gajasen dhe zgjojnë lepujt që flenë,
të më shohin nga ferrat e gjumit syhapur.
Mëllenjat klloçka me të vegjlit e foleve,
më brohorasin me çuçurima nëpër shkurre.
Dhelpra del nga strofka veshur topmodele
dhe më tregon mantelin me gëzof lëkure.
Breshkat ekspozojnë tatuazhin e shpinës
dhe mbi gjethe të thata nxitojnë këmbët.
Kërmijtë më tregojnë antenat te brirët,
duke incizuar këngët e bilbilave të ëmbël.
Më ushqejnë me oksigjen pishat dhe shtogu,
teksa mendoj se pylli me miqtë e mjedisit,
janë mbretëria e paqes më të përsosur,
që i duhet njeriut për qetësimin e shpirtit.


 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145