MES ZOGJVE TË ZJARRTË

Pashë veten
mes një tufe zogjsh të zjarrtë,
duke kënduar perëndimin e diellit
pas një reje.
Cicëroja mbi një tel
të shtyllës së tensioni të lartë,
kur era i binte violinës së muzgut
me hark rrufeje.

Humnerat më thërrisnin rreptas:
Lere këngën, o shpend vdekatar,
me sqepin e ngrënë
nga meloditë dashurore!
Vajto natën e zezë me qefin të bardhë,
që të pret te mermeri i prerë
në guroret malore!

Krahët dhe puplat m’i mbuluan
mornicat sa një grosh,
nga frika e bilbilit të rreptë
të “Policisë elektrike”,
për shkeljen e rregullave
në tensionin mijëra kilovolt,
ku hidrocentralet u shfrynin telave
me elektrone të rrezikshme. 
                                                      
Në kulmin e zallahisë së tmerrshme,
kur humnerat egërsuan timbrin,
më thirri befas një zogëz e re,
me zërin e saj mandolinatë:
Eja, o zogu i melodive
që më kanë dehur shpirtin,
të ta puth një herë
atë sqepin tënd të artë!...

Ndjeva papritmas se sqepi
më ishte mprehur çuditërisht
dhe zëri më ishte ëmbëlsuar 
për të tjera horizonte.
Zogëza fërkoi te sqepi im
sqepin e saj magjik,
dhe më marrosi të fluturonim në qiej,
ku vdekja nuk ekzistonte...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145