MOHIMI I FEMRËS

Miku im ka një grua
që s’bie era femër.
Grua të asaj natyre
mos e pastë askush.
Femrës i kanë lezet
shpërthimet e zemrës,
nazet, lotët, tekat,
epshet si prush.

Kurse gruaja e tij
është një copë akull,
një ajsberg që noton
në ujëra të ngrira.
Mohon femrën,
sillet si mashkull,
duke lënë pa kujdes
dhe pushin te fytyra.

Shkuam në një dasmë,
tha miku im, qyqari,
gruas sime s’i qeshi buza
gjithë kohës.
Mbante autoritetin fals
që ka zakonisht gjyqtari,
sikur dasma të ishte kampi
i kriminelëve të botës. 

Ndryshe prej saj
pashë aty gruan lozonjare,
që i bëri të gjithë dasmorët
t’u ngjiten sytë,
kërcente si zog dhe çelte
lule hareje në faqe. 
Pra, femra diellore,
që i sjell tokës vetëm ditë.   

Ajo grua pohoi aty
tiparet natyrore denjësisht,
duke bërë të ndjehem
mjeran gjer në lëkurë,
të kuptoj dyzimin gjinor
që kam në çift,
si një burrë fatkeq,
i martuar me burrë.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145