MUSTAQET JOSHËSE

Kisha mustaqe të hijshme
qysh në djalëri,
dhe lahesha në lumë
mes këmbëve të një ure.
Sipër një bareshë e njomë
ndiqte kërcimet me sy,
sikur të isha dash i ujërave
të asaj hurdhe.

Ajo nuk mundi të përmbante
afshin vajzëror
dhe m’u hodh sipër gjoksit
me gjithë rroba.
E kapa ku munda, e shtriva
të thahej mbi zhavor,
pa lakmuar trupin
shpërblim që e shpëtova.

Tek shihja fustanin
qullur e ngjitur në linja,
u krenova që femra
bëhej fli për mashkull.
Por ndjeva dhe keqardhje
që për mustaqet e mia,
kjo flutur hidhej mes lumit
të bëhej shakull.

Veçse i bëra të qartë
njerëzisht e më së miri,
se në mustaqet e mia
lëpinte kripën delja xanxare,
që po ta kapte si në lumë
nga flokët dhe gjiri,
ato bukuri trupi
mund t’ia shkulte për fare.

Vajza më kundroi
me vështrim të këputur,
sikur kishte humbur delet
diku prapa malit.
Dhe me ata sy të përqarë,
ajo bareshë flutur,
thërrmoi zemrën time
si gurishtat e zallit.

Qysh nga ajo ngjarje
që më fanitej në gjumë,
nuk desha në fytyrë
të mbjell e të rrit fije bari.
Të mos joshja më vajza
me atë hijeshi nën hundë,
të mos nxija shpirtin tim
me mustaqe të zeza beqari.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145