NJERËZIT E EGËR

Njerëzit e egër

s’ishin aq të egër,

sa modernët e sotëm.

Bukuroshet epshndjellëse,

pas shfrimit, nuk i vrisnin.

Rivalit egërshan,

nuk ia hiqnin nga trupi kokën  

dhe nuk përdhunonin

vogëlushët e egër të fisit.

 

Nuk u vinin zjarr shpellave,

as kasolleve të tjetrit.

Grave u linin punët e lehta

përqark lëkurëve. 

Nuk i linin pa fruta

dhe pa mish gjahu të vjetrit.

Nënat nuk hidhnin

foshnjat e gjirit shkurreve.

 

Femrat e reja linin ç’kishin,

në sytë e lakuriqësisë, 

por nuk i tërbonin meshkujt

me kureshtje formale,

me dy gisht reçipeta

te sumbullat mbi sisë

dhe me një rrip të hollë

mbi foletë gjenitale.

 

Njerëzit e egër

nuk i shkatërronin

sendet e bashkësisë,

për të pohuar tek i pari 

besnikërinë e verbër.

Ata u faleshin kafshëve

vizatuar mbi shkëmbinj,

por nuk figuronin prijësin

në çdo perimetër.

 

S’kishin porcelane,

gota kristali, listë meny,

hanin me duar mish të tymosur

dhe rrënjë bimësie,

por s’kishin përqark

as lypsarë me lot në sy,

sepse i ndanin barabar

ato dy gjellë perëndie.

 

Ata kishin në tru botëkuptimin

primitiv të një turme.

Por nuk lakmonin të kishin

shumë shpella me dritë.

Nuk laheshin e lyheshin,

me kremra e parfume,

trupin e linin si kafshët, pis,

por binin erë njeriu në shpirt...


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145