DIANA NË ZEMRËN E PYLLIT

Sot në mesditë,

në zemrën e pyllit

zogjtë dhe gjethet i këndonin diellit.

Bukën diellore

në miliona thërrime,

çukitnin zogjtë,

çukiste zemra ime.

Diku mes degësh, thellë në blerim,

dreri me sorkadhen bënin çiftëzim,

merrnin e jepnin te njëri-tjetri puthje,

lëkura u çelte gjethe,

këmbët u shpërthenin lule.

Zoti e di se nga doli Diana

me hark shigjetari,

drerin mori shenjë ta vriste të parin.

Mos perëndeshë,

moj e bukura e pyjeve të dherit,

mos e fluturo shigjetën

te zemra e drerit!

Nuk vritet dashuria

në asnjë pyll të botës.

Vramë mua,

moj e bukura shigjetare e Tokës!

Shënjoje harkun

në mesin e gjoksit tim,

të vdes kur këto krijesat

bëjnë çiftëzim!

Që jeta të shtohet gjithandej

me bukuri të reja,

të pllenohen kudo lulet,

të bëhen femrat pëlleja...

Ajo ma ktheu me gaz:

“Orgazma është energjia pozitive

që Zoti u shkarkon gjallesave nga lart

dhe Ai më shpërbën po t’i prek

sadopak në atë çast.”

Pastaj Diana qeshi fort,

sa jehuan drurët në pishnajë,

dhe vuri shigjetën

në trastën e harkores së saj.

Më dha një të puthur

në mes të lules së ballit

dhe u shndërrua re e bardhë

në majën e malit.

Sot në mesditë,

perëndesha Diana e pyllit,

më puthi me buzët e përbëra

nga rrezet e diellit...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145