DRUHEM PREJ TEJE…
Ti vërtitesh si flutura
rreth një llambe nate.
Të vërej me siklet,
po s’të përgjigjem dot.
Druhem mos krahët
me brishtësi delikate,
nga afrimi i tepërt,
mund t’i djegësh kot.
Megjithëse je lastar
me kërcellin e njomë,
dëshiron me ngulm
ngrohtësi prej meje,
druhem mos ndoshta
gjethet t’i përcëllon,
flakërimi i oxhakut
me kërcunj qeresteje.
Ti nxiton natyrshëm,
prej moshës rinore,
të marrësh gjithçka
në kohë të shkurtër.
Por jo në të gjitha
shkurtimet kohore,
shpëton nga qarku
elektrik ku je futur...
Kam dhe frikën time,
deri në llahtarë,
se ajo bukuri që ke,
ndoshta fuqinë s’ia di,
më godet trurin,
bëhem lolo i marrë,
të më tallin përqark
me ha,ha,ha, e hi,hi,hi...
Ky shkak më bën
të qëndroj sa më larg,
të shmangem shpesh
nga magnetizimet e tua.
Të mbetemi thjesht
dy zëra në distancë,
jo se freskinë tënde
përçmoj e nuk e dua.
Ndaj të çoj me erën
përgëzimet në lagësi,
pa më ardhur pranë
lulëzimi yt i erëmuar.
Përfytyroj aromën
që përhapin lulet si ti
dhe kujtoj me vuajtje
pranverën e shkuar...
Ky nuk është fat,
por thjesht trishtim.
Oh, mos qoftë asnjeri
në këtë hallin tim!...