KRIJIMI I PËRSOSUR

(Bijës sime, Raimonda, në përvjetorin e lindjes)

 

Zbraza frymëzimin tim nëpër mijëra poezi jete,

trazova me gishta mijëra këngë fizarmonike,

pikturova me ngjyra disa dhjetëra portrete,

si s’bëra një krijim për ty, bija ime, moj shpirte?!

 

Ndoshta s’u ngjita dot te Himalaja e frymëzimit,

se ti ishe vetë poezia që më dërgoi qielli dhuratë,

ishe harmonia muzikore që lidh notat e kompozimit,

ishe spektri i ngjyrave që zbërthen dielli nga lart.

 

Ti ishe e para gonxhe e martesës së rrëmbyer pyjeve,

që më solle së pari fjalë “babi”me të kanarinës cicërim,

më solle ozonin jetëdhënës nga stratosfera e yjeve,

solle pendimet fetare, që s’donin të lindje nga geni im.

 

Ti na lidhe shpirtrat me bukurinë e shpirtit tënd,

dhe na mbajte të bashkuar si pesë gishtat e një dore.

Në foletë e duarve ngrite dy zogj vëllezër në këmbë,

në folenë e dijeve mblodhe fluturat e notës sipërore.

 

Pastaj nëpër dyert e mbyllura, talentin trokite fort

dhe kapërceve djalërisht derën harkore të ylberit.

Radhite të gjitha ngjyrat e stinëve përmbi tavaloc

dhe gjethove pyllin e tablove, deri te brirët e drerit.

 

Aty ku mësove gjuhën ylberore që flasin ngjyrat,

arrite fjalorin e kolorit t’ua mësoje edhe të tjerëve,

të zhvilloje prirjet e syve të ardhur nga hapësirat,

të drejtoje përgatitjen e ardhmërisë së ylberëve.

 

Ti edhe puthjet prindërore, na i ktheve shumëfishe,

sikur me mbesën e nipin na shleve me flori një hua.

Këngët i këndove vetë, me një kitarë prej pishe,

portretet tona i bëre me penelat e qerpikëve të tua.

 

Me kaq shumë bëma, u ra vlera tingujve të mi muzikor,

pamjen tënde prej drite, nuk e arrita dot të ngjyrosur,

fjalët më mbetën pa fuqi të krijonin ndonjë metaforë,

se ti u ngjite mbi këto arte, si krijim i gjallë, i përsosur.


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145