KU SHKUAN XHELATËT

Ku shkuan xhelatët

që ngritën kurthe hafijesh

dhe tundën hanxharët e dosjeve nëpër duar?

Ku avulluan krejt si mjegullat nën diell,

thua sikur asnjëherë nuk kanë ekzistuar?

 

Askush nuk i ka parë

të nisen gjëkundi,

ata që eshtra anonime mbollën në mote, 

në bokërrima të fshehta,

në zalle lumi,

dhe lanë të na pikojnë strehët e lotëve.

 

Thonë se ky vend i kujtesës së harrimit,

s’ka pasur xhelatë hanxhari ndonjëherë,

gjoja viktimat shuheshin vetiu

prej pendimit,

por hanxharët ne i pamë,

koka duke prerë!...

 

Klithmat hetuese

kumbojnë edhe sot,

nëpër daullet e çara të veshëve tanë.

Shiritat e ndjesive na vërtiten në kokë

nga njëra bobinë e trurit, në tjetrën anë.

 

Të gjitha mbeturinat relikte

të hanxharëve,

thonë se tek ne 

nuk ka pasur xhelatë,

ndonëse ndjehen kudo

renkimet e të vrarëve,

që nën dheun e rëndë s’po gjejnë rehat.

 

Njollat e gjakut

shfaqen te fjalët ripërtëritur,

që skuqin fjalorin

kur i dëgjojmë përditë.

Ne vështrojmë njëri-tjetrin

krejt të habitur:

Ore, xhelatët ishin këtu,

apo na kanë bërë sytë!...

 

Ata bënë kataklizmën e rënimit njerëzor,

dhe gjysmës së kombit

frymën ia prenë me hanxhar.

Por përsëri e qeshura xhelate

shtrihet në kilometra katror.

As pendim, as falje,

sikur asgjë s’ka ngjarë!...


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145