LINDJET E NJERIUT TË BUKUR
Forma fizike
më e përkryer,
lindet nga gruaja
çiftuar me burrin.
Por ka dhe forma
me pamje të pëlqyer
nga njeriu i baltës
te njeriu i gurit.
Bën njerëz rëra
në breg të detit,
del njeriu
nga zemra e shkëmbit,
pjell peneli
me shtrydhjen e tubetit,
bëjnë njerëz dhe fijet
e kashtës së lëmit.
Bukuroshet mozaike
lindin nga zalli,
Pjell njerëz
barku i drunjtë i trungut,
njerëz lekurëndritur
dalin nga xhami,
pjell njerëz dhe letra
me alfabetin e gjuhës.
Lind njeriu i bukur
nga mjaft sende të tjera,
por bukurinë e adhuruar,
e pjell vetëm mirësjellja.