LUGINA E FLORIRIT

 

Djalëria e uritur më nisi

rrugëve të largta të shpresës.

Nga brigjet detar u ndala

në një luginë prapa diellit.

Aty mes maleve shkëmbor

rridhte Shkumbini i djersës,

nga balli me pluhur kuqërrem

i gërmuesve të hekur-nikelit.

 

Thuhej se vargu i vagonëve

lidhur me hallka zinxhiri,

që zbrazej pareshtur te karvani

i kamionëve të metalurgjisë,

nxirrte nga dy gjinj malesh

llavën e shkrirjes së “floririt”,

ndërkohë që njerëzit luteshin

te gjinjtë e shenjtë të dhisë.

 

Gratë çobanesha nëpër brigje,

tundnin këmborët e gjinjve,

teksa burrat me thonj urithi

hapnin guva në bark të malit.

Po kur dilnin me vagona “ari”

nga kthetrat e shkëmbinjve,

njomnin misërniken e verdhë

me dhallën si shurra e kalit.

 

Kaluan vite dhe banesat

s’i ngritën dot nga balta,

as opingat nuk i shkulën

nga këmbët çorapegrisur,

as shallvaret që mbulonin

format e grave syzjarrta,

s’i këmbyen dot me fustane

pas belit me ar qëndisur.

 

Gjiri i luginës as për mua

s’pikoi arin e këtij “kurbeti”.

Por nga lugina e gjirit

të një vashëze bukuroshe,

pikoi një mjalt ngjyrë floriri,

ku buza ngjitur më mbeti

dhe u ktheva me tre vogëlushë

në Jugun e lugëve boshe... 

 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145