MALLKIMET PASIVE

Kur gratë i rrëmben
mërzia gjatë ditës,
mallkojnë pa zemër
fëmijët e tyre të prapë. 
Njerëzit e pakënaqur
me tryezën e kuzhinës,
shfrynë mbi qeverinë
dëshpërime pa hesap.

Sikur këto mllefe
t’i lexonte zoti një herë,
do pikonte loti sa stalaktitet
e shpellave gëlqerore.
Qeveritë do binin
si trungjet në pyllin e prerë
dhe do bëheshin zgjedhje
pas përmbysjeve javore.

Kësisoj, ende pa u ulur
ministrat në karrige
dhe pa mundur brenda javës
të korruptoheshin dot,
hallet do flinin në dyer zyrash
pa gjetur zgjidhje
për asnjë problem,
qoftë dhe me qesen plot.

Por shyqyr, në qiell pasiv
me erë të trishtuar,
nuk lëshojnë rrënjë
mallkimet e mbjella kot.
Se zemërimet do shfryheshin
si tullumbacja e shpuar,
por shteti do kthehej 
në katastrofë dhe kaos.

Prandaj prapësitë fëminore
rriten e marrin udhë.
Hajdutët dhe ryshfetçinjtë
vijojnë punën urtësisht.
Qeveritarët ngrenë vila
dhe notojnë heshtur në luks.
Mjeranët vetëm mallkojnë:
”U bëfshin malet zallishtë!”...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145