ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!

Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,

për dhjetë vjet.

Qielli më dërgonte shi.

Toka më dhuronte lot.

Mes shtatë sqepave të zogjve,

gojëhapur ditë e net,

buka e nënës nuk arriti

të më ushqente dot...

Fillova të vizatoj njerëz,

për të nxjerrë ndonjë kaush.

Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,

mos qoftë askush!..

 

Mora malet,

derisa më pranoi një ahishte në pyje,

nga ku gjethet vjeshtore

çonin fjalët e mia të mallit.  

Aty u vëllazërova me çdo dru

që më bënte hije,

pasi lash pranë detit vëllezërit

dhe psherëtimat e zallit.

Letrat e nënës i bënte era gjethe

brigjeve me gëmush.

Me pasionin tim në punë të rënda,

mos qoftë askush!..

 

Djalërinë ma burrëroi

një Elenë e Trojës korçare,

në luftën për shkakun e dy feve

tona të ndryshme.

Ashtu, si Paridi, bir mbreti,

pasi e rrëmbeva për fare,

durova, si bir deti, dallgë

presionesh të stuhishme.

Elenën e desha si lisi,

pjergullën e vet me rrush.

Me pasionin tim në dashuri,

mos qoftë askush!...

 

Shfletova stivat e dispensave

nga të gjithë shekujt letrar.

Dhe u fala viteve,

gjumin bashkë me flokët e dendur.

Pas dy diplomave,

sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.

Derisa u ula në karrige druri,

mes njerëzve të mençur.

Librat e mi kishin dallgë Joni,

gjethe ahu dhe dushk.

Me pasionin tim në krijimtari,

mos qoftë askush!...

 

Gjurmët e mia nisën zanafillën

nga mali jugor në Finiq,

dhe shkuan deri te pllangat e akujve

në Alpet verior.

Nuk besoj të ketë ngrënë njeri

në jetë aq shumë fiq,   

sa kam jetuar ngjarje

dhe kam njohur tipa njerëzor.

Fjalët e zemrës më kanë mbetur

në çdo mal dhe fushë.

Me pasionin tim përkushtuar miqve,

mos qoftë askush.

 

Fytyra që më qëndisi nëna me merak,

si të parin e djemve,

kam arsye të shpresoj se do mbetet

në vegime internetike.

Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore

në degët e këtyre pemëve,

besoj do gjejnë dhe imazhin tim

në bërthamat elektronike.

Tani rend rrafshinave të kompjuterit,

derisa të vdes plakush.

Me pasionin tim në fraza dhe metafora,

mos qoftë askush!...


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145