MONOLOGU I NËNËS SË EMIGRANTIT

U bënë shtatë vjet
me rënie gjethesh të verdha ndër mote,
shtatë shekuj që të pres
me sytë në përgjim,
te kjo derë e pashkelur nga fryma jote
dhe nga gjurma e harruar
larg në mërgim.
 
Të pres te kjo derë e gozhduar
me kufomën e vetmisë brenda,
te ky prag i zi që e mbështolli
me shurdhëri nata jote e ikjes.
Yjet këputen
nga gërmadhat e reve të rënda
dhe bien mbi duart e mia
të shtrira drejt qiellit të pritjes.
 
Por ylli yt
nuk pikoi vështrimin e syrit
mbi përrenjtë e tharë
të rrudhave të mia.
U bënë shtatë shekuj
me trokitje vetëtimash,
duke pritur të trokasë zëri yt
te dritarja me thinja.
 
Por kam dëgjuar
vetëm ankthin e erërave dimërore.
që vijnë e shkojnë
me psherëtima të pikëlluara.
Derisa vetmia
më ngurtësoi rrudhjen kockore,
për të gdhendur
statujën e pritjes së nënave të harruara. 
 
Por ti nuk erdhe
të zbutesh mallin tim gjëmëmadh.
Shumë shira breshëruan lot në sytë e mi
që u tretën nga mynxyra e dhimbjes.
nëpër mjegullat e harrimit tënd pa kufi.
 
Vjen gjithmonë një korb mortor,
gdhihet natën te dritarja ime e shkretuar,
ku hija jote ngjyrë molle lulëzon në oborr
dhe gjithmonë më pëshpërit
ardhjen tënde të tejvonuar.
 
Por tani që edhe ajri u mbush
me mungesën tënde,
ndjej se fryma më është pakësuar.
Dhe fjalët e ngrira
më janë kthyer në mermer të zbardhur,
ku mund t’i falesh kujtimit tënd në kthim.
Nëse dikur ke për të ardhur... o yll im!...
 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145