NJË GRUA NË SUPERMARKET

Një grua simpatike, me sytë shigjetë,

si perëndesha Diana, në gjueti drerësh, 

më gjuante, kur shkoja në supermarket,

ndonëse nuk isha tip kaproll femrash.

 

E mora inat e zura t’i kthej shpinën,

sa herë e shihja padashur në rafte.

Si duket, ajo kuptoi shpërfilljen time,

me zotësinë e saj, për të zbutur inate...

 

Më erdhi te rafti, kur vetëm më gjeti,

sytë magjepsës m’i nguli thellë në sy...

Pastaj më lëshoi një valë elektriciteti,

që më shkundi, sa e kuptova me qartësi...

 

Nuk ishte nga ato të ”djallit në shishe”,

por femër me prirje të një tjetër natyre.

Me afrimin, si e njohur, u duk se ishte,

nga ato, që të futin në shishen e tyre...

 

Herën tjetër, ajo më priste rafteve pas,

duke përgjuar tinëzisht hapat e mia.

Sa më pikasi, doli e më tha buzagaz:

“Takimet tona i dëshiron edhe telepatia!”

 

Pasi më shtrëngoi dorën e gishtat m’i krisi,

më hodhi në zemër, grepin e zemrës së vet,  

dhe ashtu siç Çirçja, kur magjepsi Uliksin,

më bëri të harroj pse shkova në supermarket...

 

Por besa martesore, më ra me çekiç kokës,

aq fort, sa truri m’u kthjellua në çdo skaj...

Atëherë ika, pa bërë furnizimin e shportës,

para se ajo të më vinte tapën, në shishen e saj...

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145