PËRBALLË SPITALIT PSIKIATRIK
Kam spitalin psikiatrik këtu përballë,
kur sytë e lodhur hedh dritares tutje.
Të marrët, me trurin tepër në hall,
më buzëqeshin, sikur Krishtit i luten...
Më thërrmohet shpirti në copa guri,
kur i shoh ashtu me tru të dëmtuar.
Me dhimbjen e thellë të një burri,
ndjej të më mpihen këmbë e duar.
Kur një vajzë me sy përlotur, si reja,
karshi oborrit afrohet e më këndon:
“Eja i dashur i zemrës, të lutem eja,
nga kjo çmendinë, mua më shpëto!”
Atëherë s’di në cilën dhomë të futem,
të mos dëgjoj zërin e saj të drithëruar,
kur për shërimin e trurit, mua më lutet,
në vend të dashnorit që e ka tradhëtur.
Po të isha në moshën e saj fatkeqe, sot,
nuk do e lija t’i zvetënohej kësisoj bukuria.
Do bëhesha si i çmendur, nëse shërohej dot,
me dashuri, kundër çmendjes nga dashuria...