SERVISI I RIPARIMIT TË SHPIRTIT

Serviset për pajisjet

shtëpiake dhe të dorës,

në çdo vendbanim

tani janë shtuar.

Siç riparoheshin dikur

mekanizmat e orës,

rivihet në punë celulari

me kod të ç’akoduar.

 

Problem ka mbetur

vetëm dëmtimi i shpirtit,

mekanizmat delikate

të ndjenjave në ngecje.

Këtu unë mendova,

se mund të çel servisin,

si specialist i sprovuar

për të tilla defekte.

 

Shpirti nuk ka aksesorë

që mund të ndërrohen,

apo të blihet diku

një shpirt tjetër fringo i ri,

por funksionet e tij

mund të meremetohen,

duke riparuar detalet,

deri në përsosmëri. 

 

Jeni grua, burrë,

apo vajzë me shqetësime,

të cilat nuk i shëron dot

kurrsesi ndonjë mjek?

Unë kam mjetet e mia

për të tilla riparime,

nëse më besoni thellësitë,

ku shpirti u ngec... 

 

Kam disa kaçavida

të posaçme frymore, 

që i zbërthejnë shpirtit

burmat më të imta,

për të pastruar ndryshqet

nga igrasia kohore,

dëshpërimet, brengat,

trishtimet të gjitha.

 

Dhe ju do ndjeni

në kohë mëse të shpejtë,

se shpirti u është riparuar

gjer në mrekullim,

si në dashuri, në punë,

apo në gjumin e qetë, 

pas remontit me metaforat

magjike të servisit tim.

 

Engjëlli dhe djalli

kanë mbetur tejet të kënaqur,

pasi u riktheva shpirtin fillestar

që kishin pasur...  


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145