STOP MARSIAN!

 

Zbrita nga ylli Mars e të njoha në qiell,  
kur ti erdhe nga ylli i mëngjesit Afërdita.
Kurorën na e vuri kryepeshkopi Diell  
në dasmën me fishekzjarre vetëtimash.    
  
Krijuam nga reja kozmike e përbashkët
tre satelitët tanë që na sillen përqark.  
Dhe disa planetëve të ngjizur padashur,
ua shuam frymën sapo pluskuan në bark.   
  
Me atë tërheqje magnetike që pata me ty,
do kishim mbushur qiellin plot me planete,
po të kishim edhe kozmosin deri në thellësi
depo ushqimesh e lagje me apartamente.  
  
Por me shkumësin e bardhë të një komete,
bëra llogari në dërrasën hapësinore këtë interes:
Jeta, shumëzuar vërtitjen e dendur të planetëve,
baras me afrimin e frikshëm tek vrima e zezë.
  
Atëherë ti the: stop Marsian, boll me kaq!
S’jemi si në boshllëkun e Bigbengut të parë!
Përse duhet ta bëjnë qiellin tonë helaq,
me planetë të tepërt pa planifikim planetar?!...

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145