VAJTIMET E ZOGJVE

Tufa zogjsh të largët
vijnë çdo ditë nëpër pallate,
me krahë të djersitur
nga tejzgjatja e fluturimit.
Ulen të çlodhen,
mbi aerodromet parafabrikate
pasi sopatat gjaksore
rrafshuan drurët e pyllit.
 
Qajnë bishtkaltërit,
për një degë pishe të gjelbër.
Lotojnë për një trokitje mbi zgavrra
trumpetarët qukapikë.
Vënë kujen bilbileshat e pikëlluara
me zë të dredhur,
që u mbeten në balt vocërrakët
pa pupla te krahët lakuriq.
 
Pëshpërijnë të trishtuara
kanarinat foleprishura,
duke rikujtur llahtarën
e përbindshave me rrota,
dhëmbët prej çeliku
të motosharrave të panginjura,
që brejtën dhe copëtuan
ahishtet e vjetra sa bota.
 
Ciu, ciu, ciu!... Ç’na bëre,
o pylli ynë, që vdiqe
dhe na le përmbi pallate,
ku çative bën fole miu.
Na le të friksuar në mëshirën  
e rrugaçëve me llastiqe!
Ç’ishte ky fund i tmerrshëm?!
Ç’na gjeti ne, ciu, ciu, ciu!...

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145