DASHURIA E KRAHASUAR

 

Dashuria jonë ngjan me atë kafshërore, 
si sorkadhja me drerin, brirë degëzuar.
Por burri, ka frikë nga egërsirat njerëzore, 
Gruaja, nga gjahtarët e seksit e lakmuar.

 

Dashuria i ngjan detit, në çaste qetësie,
me varkën lundërtare, mes valësh të lehta.
Rrezikuar të përmbyset nga dallgë xhelozie, 
në thellësi të errëta grindjesh gjaknxehta.

 

Dashuria i ngjan mollës që nusëron lulëzuar,
me qiparisin blerosh që fshin retë qiellore. 
Kur çifti pret stinën e dasmës së ligjëruar,
të lëvrojnë brazdat e pjellorisë femërore.

 

Dashuria i ngjan veturës së markës luksoze, 
me autistin e gatshëm të niset për argëtime.
Duke bërë shpesh shërbime sa më rigoroze,
me larje zemëratash, vajosje keqkuptimesh.

 

Dashuria i ngjan raketës drejtuar nga retë,
me kozmonautin, kur pajimet e nisjes ngjesh,
për të depërtuar, mes gravitetit të nxehtë,
të eksplorojë marsin e një femre virgjëreshë.

 

Dashuria i ngjan diellit të madh zemërzjarrtë,
me Hënën, që s’kapet, se ajo hyn kur ai del.
Si disa kinezë pa shtëpi, që çiftohen bashkë,
gjatë eklipsit të lejes së zakonshme, në hotel.

 

Dashuria ngjan me çdo dukuri të çiftëzuar,
ku pamja arrin shëmbëllimet më të afërta. 
Njeriu pa dashuri, jetën e vet s’e ka jetuar,
vjen e shkon si gur, që do mbulohet nga balta.

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145