FALJA E KOTË


        Ashtu si besimtari, që kur i vjen ora e shenjtë kërkon patjetër një kishë apo xhami për t’u falur, edhe Agroni, miku im letrar, më kishte bërë mua altarin e faljes së tij.
Ai erdhi një ditë, krejt papritmas, i ngarkuar me emocione të forta, si ajo reja që nxin e mezi pret të shkarkojë ngarkesën e vet të ujshme.
-Do të të tregoj një gafë që kam bërë e nuk ia fal dot vetes! - ia nisi ai me një dridhje të lehtë nervoze të muskujve të fytyrës së tij me pamje burrërore të hijshme.
- Gafa jemi, njerëz bëjmë! - bëra lojë fjalësh për t’i dhënë impuls rrëfimit të tij.
Por pa ia varur shakasë sime, ai vijoi gjithnjë i tensionuar nga shtysa e shqetësimit të brendshëm që e mundonte:
- Para ca ditësh, - pata një rast të shkëlqyer me njërën, që po ta shihje ti, do më thoje, si ka mundësi të erdhi në dorë ajo alamet femre!...
- Po, dhe e arrite qëllimin tënd prej hamshori të lidhur me kapistër në stallën e krijimit letrar?
- Atje dua të dal, po duro! - vërejti ai me një shprehje pakënaqësie te dukshme në fytyrë, që i ndërpreva rrjedhën e rrëfimit.- Që thua ti, vëlla i dashur, ajo më erdhi deri te shtrati i dhomës sime, për të marrë një libër që ia kisha përmendur si të rrallë. Kishim prej kohësh afeksione të dyanshme të një simpatie të dukshme. Por për vetë kushtet familjare në të cilat ndodheshim, asnjëri nga ne nuk pretendonte lidhje serioze, përveç dëshirës që ajo kishte të puthej me mua dhe unë me të gjithashtu. Ndaj dhe me atë rast, u puthëm e u puthëm, gati sa nuk i thithëm gjakun njëri-tjetrit. Vura re se asaj i digjnin faqet si prush dhe mua gjithë trupi më përvëlohej. Temperaturat tona shkuan në gradacione furre, që mund t’i shuante vetëm një lumë. Çast ky, kur qeniet njerëzore nuk mund të ndalen kurrsesi pa rënë në mëkatin e ngasjes epshore që u ka dhënë natyra në trup. Në kulmin e atij momentit të artë dhe aq të paduruar, tentova me ngut ta shtrija në shtrat e t’i hiqja të mbathurat. Por femrat paskan aftësinë që për një sedër çasti, mund të dalin pa u djegur edhe nga furra e përvëluar. Ajo krejt befas e në mënyrë instinktive, si e komanduar nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme që mund të shuante edhe zjarrin që djeg me flakërimë një pyll të tërë, më ndali dorën:
-Mos! - tha prerazi një fjalë të vetme.
Fjalë kjo, që në atë çast të papritur më tingëlloi si ajo thirrja “Ndal!” e rojës me helmetë në një postbllok ushtarak. Këtë ”mos !” të zakonshëm frenimi, e kisha dëgjuar edhe më parë në rini, nga ndonjë femër, e cila më pas, pa e zgjatur shumë, e kishte hequr vetë ambalazhin e “thesarit” të saj. Por në këtë rast të shumëpritur nga të dy, u ndjeva i habitur.
-Pse shpirt?- i thashë me një zë grykor të mekur nga padurimi.
- Jo, jo, deri te ajo punë nuk mund të shkojmë sot!
- Pse zemra ime?
- Se ashtu është puna!...
Kjo përgjigje enigmatike më bëri të mendoj se mos ajo ishte me ato lulëkuqet mujore. Dhe për të vërtetuar këtë dyshim, kalova me marifet dorën sipër fustanit, deri poshtë rrafshultës së saj fundore. Por aty nuk kishte asnjë send pritës për rrjedhjen e zakonshme femërore.
-Ja, - i thashë me afsh të nxehtë, - je fare në rregull, ndaj mos më pengo të bëj detyrën time, për të shijuar kënaqësinë e dyanshme që na mundëson ky rast i rrallë!
-Jo sot, jo!...
- Kur, moj xhan, mund të ishte më e domosdoshme se sot?...
-Do gjej unë një rast tjetër! Njohja jonë nuk mbaron me kaq! - tha ajo duke u tërhequr mbrapsht, në dukje vendosmërisht, por tashmë disi më e freskuar në temperaturën trupore.
Mendova të zakonshmen e kundërshtimit të femrave, të cilat rezervohen të dorëzohen qysh në rastin e parë të afrimit të kontaktit. Ose si inerci e instinktit vetëmbrojtës ndaj rrezikut mashkullor, ose për të kryer atë ritin idiot të tyre, se gjoja nuk janë të djegura për mashkull. Dhe unë e lashë. E fala. Ndonëse padurimi më mundonte shumë, pasi ndjeja dhimbje në organet e mia, nga eksitimi i zgjatur. Por ajo më kishte premtuar një rast tjetër, të cilin unë e besova dhe nuk mund të ngulmoja në mënyrë të njëanshme, si ai demi përçor, kur tërbohet nga era trazimtare e mëshqerrës.
-Pra, kjo ishte gafa? - nuk m’u durua mua ta pyes përsëri.
- Prit! - ma preu Agroni rreptas. - Ashtu siç më tha ajo, edhe unë prita rastin tjetër. Në mënyrë që gjithçka të kryhej me kënaqësinë e përbashkët. Kësisoj, pas dy javësh e takova në rrugë krejt vetëm dhe pas përshëndetjes së zakonshme, i thashë:
- Rast më të volitshëm se sot, për ta çuar deri në fund mrekullinë e lënë përgjysmë, nuk besoj se mund të gjejmë sërish!...
Por teksa prisja një përgjigje pozitive të mirëpritur prej saj, ajo më tha krejt papritur:
-Ti kënaqesh me pak !... - dhe më zgjati dorën, duke nxituar për aty ku ishte nisur.
Mbeta i stepur në mes të rrugës, si ndonjë hu gardhi i ngulur aty rastësisht. Mu rrotullua hapësira para syve, sikur të kisha pirë një kile raki dhe duke mallkuar veten për atë falje të kotë, shfryva me duf: - Ah, moj, ah, veç mos më rënç dhe një herë tjetër në dorë, pa ta tregoj fare mirë si kënaqem unë!...
Padashur e ndërpreva Agronin sërish, duke qeshur me zë, se m’u kujtua ai proverbi i miut të rënë në kazanin e rakisë, që i tha maçokut, më nxirr nga ky lëng përvëlues, pastaj më ha kur të duash dhe sa u shkund pakëz, ia mbathi në vrimën e vet.
-E që thua ti, miku im, - vijoi ai pa ndryshuar humorin nga gazi im, - zjarri i ndezur mes nesh, që donte një lumë të tërë për tu shuar, nuk u ndez më. Sepse duhej që lumi të sillte barrë të tëra me dru, të shkulura nga ndonjë vërshim më i fuqishëm. E, ja, këtë budallallëk bëra. Tani fol ti e më thuaj ç’mendon për gafën timen prej trapi?!...
U mendova pak pastaj i thashë sipas bindjes sime:
- Ti e di, unë nuk kam shumë përvojë me femra të tjera. Se jam kapur mat qysh në fillim me atë që mora. Dhe tani ajo më shtrëngon fort me ca fije zemre të pazgjidhshme, të cilat nuk më lënë të ushtrohem me të tjerat. Por di të them, se mbase duhej të kishe vazhduar ta bindje, derisa të kalohej caku i druajtjes së saj. Sepse ne meshkujt nganjëherë i drejtojmë kërkesat tona, me thjeshtësinë e lypjes së copës së bukës, duke kujtuar se ato e kanë po aq të lehtë dhënien e donacionin që presim. Me pak fjalë, nuk mund të bësh asgjë kundër dëshirës së femrës dhe aq më keq forcërisht, siç thua, nëse ajo të vjen sërish. Kur të refuzon femra energjikisht, asaj nuk mund t’i japësh të hajë as bakllava me mjaltë, pa e pranuar me dëshirën e saj...
- Pikërisht, atë bëra. Se edhe falltar të kisha qenë, nuk mund të kuptoja dëshirën e saj përderisa kundërshtonte. Po, ah, veç mos më ardhtë edhe një herë, se ia tregoj unë si velem vetëm me erën e saj!...- përsëriti ai i penduar keqas nga falja që i rëndonte në sedër.