PËRTEJ DURIMIT


        Frenisti i teleferikut drejtoi vështrimin e ngarkuar me padurim nga fasada e hirtë e monolitëve të lartë. Prapa tyre shtrihej pylli i dendur, i ravijëzuar damarë-damarë prej përrenjve që lëshoheshin shpateve me përvijime të bardha. Mandej kapi vrullshëm receptorin e telefonit manual dhe i ra ziles me tri rrahje të shpejta.
-Alo, mali, gati barra?
Zëri i tij përshkoi telin e trashë prej çeliku dhe në çast u gjend sipër shkëmbinjve të mprehtë që grisnin qiellin e kthjellët.
-Gati e ke! -cërriti zëri i tjetrit nga maja e malit.
Frenisti lëshoi menjëherë levën e frenave dhe polexhia e madhe, që shtrëngonte telin e hollë qarkullues, zuri të rrotullohej ngadalë nën veprimin e kundërpeshës. Barra e rëndë me katër trupa ahu të lidhur bashkë hyri në stacion, te vendi i shkarkimit. Pastaj, me një farë nervozizmi që vihej re në lëvizjet e tij, frenisti shtrëngoi përsëri frenat dhe për një çast përmbi telin mbajtës u lëkundën pothuaj të gjitha barrët e largëta. Aty pranë tij, karrukullat, të nxehura së tepërmi nga vrapi ajror nëpër tel, po tymosnin lehtë grason që u digjej rreth boshtit.
Dy teleferistë me çelësa të mëdhenj në duar vrapuan të lirojnë dadot e morsetave prej druri që shtrëngonin telin qarkullues te krahët e karrukullave. Barra u lëshua përtokë me gjëmim të rëndë dhe secili nga teleferistët, pa humbur kohë, ngriti karrukullën e vet përmbi telin bosh të kthimit.
Sakaq, frenisti i teleferikut, një burrë i gjatë, me ca flokë të prerë shkurt që i rrinin përpjetë si furçe, me fytyrë të mprehtë, por me krahë të fuqishëm tërë damarë, ndiqte veprimet e punëtorëve të shkarkimit me një padurim të dukshëm. Dhe kur pa, se gjithçka ishte bërë gati për afrimin e barrës tjetër, që priste atje tej si një balonë e madhe e ngritur në ajër, rrëmbeu sërish receptorin e telefonit.
-Mali, mali, o mali, a jeni gati?
-Prit, mor jahu, prit edhe pak! -u gjegj zëri andej nga lart, ku ende nuk ishte ngarkuar barra e fundit.
-Ç'djallin bëni bre, pse na vononi? -briti frenisti me nervozizëm dhe lëshoi receptorin mbi aparatin e vjetër telefonik, gati duke e përplasur.
Ndërkaq, vagoni i trupave që vinte nga stabilimenti i sharrës shkau te hyrja e stacionit të teleferikut dhe ndaloi fare pranë ngarkesës. Punëtorët rrëmbyen capinat dhe filluan me ngut ngarkimin e barrëve të sapoardhura. Gjë që tregonte, se te gatrat e sharrës nuk kishte trupa rezervë. Boshllëku vihej re kudo përqark shinave të dekovilit, ku dukeshin vetëm copëra lëvoresh të hedhura gjithandej.
Ra sërish zilja e telefonit. Frenisti, që tashmë kishte filluar të brengosej së tepërmi, ngriti receptorin krejt i mposhtur nga padurimi. Nga lart e po e njoftonin më në fund, se barra ishte gati.
-Na plasët! -shfryu ai. -Ju atje sipër sikur punoni me këmbë, or gjeçi belanë!
-O Idriz, ti po na ça kaptinën si tepër! Sa herë ta kemi thënë që janë konsumuar morsetat e karrukullave e mezi shtrëngohen? - tha zëri i hollë në membranën e zezë dhe heshti, sikur u fsheh pas rrjetës metalike.
Frenisti e këqyri një grimë atë rrjetë mbrojtëse dhe e ndjeu veten krejt të pafuqishëm për të bërë diçka kundër zërit.
-Dreqi t'i hajë, e mora vesh! - shtrëngoi nofullat ai. -Po këta shoferët, që janë bërë masë këtu përjashta e presin me makinat bosh, po gatrat që s'kanë ç'të bluajnë, a e marrin vesh?...Hajt shpejt, bëni gati barrën tjetër!
Frenisti lëvizi levën dhe polexhat e mëdha të stacionit gërhitën përmbi njëra-tjetrën. Ai hodhi një sy të shpejtë nëpër gjatësinë e telit dhe në sfondin e qiellit të thellë vërejti me dyshim vargun e barrëve shumëtonëshe, që filluan të sulen drejt tij si një kope ajrore e përbindshme. Barra më e afërt hyri në stacion duke u lëkundur, si ndonjë dem i egër i lidhur kokë e këmbë, nën klithmat e karrukullave që rrotulloheshin marrëzisht mbi sipërfaqen e lëmuar të telit mbajtës.
Por befas atë çast u dëgjua një rrapëllimë e tmerrshme. Ngjante sikur të ishte vërtetë një kope buajsh të tërbuar, që kishin filluar të sulmonin njëri -tjetrin. Gjëmimi në ajër sa vinte bëhej më i rëndë. Telat lëkundeshin me një cijatje rrëqethëse, sa gati po shembej baraka e stacionit. Thua po shkulej nga dheu me gjithë rrënjët e saj prej telash të betonuar thellë.
Papritmas teli i trashë mbajtës u ul çuditërisht deri afër tokës.
Frenisti i përqendruar i tëri në punë, në fillim nuk kuptoi ç'po ndodhte. Ai kafshoi fort cigaren dhe po dëgjonte i çmeritur atë gjëmim të pazakontë. Për një çast iu bë sikur ishte dimër. Iu duk sikur murrlani sillte nga qafëmalet stuhi dëbore dhe rrufe, që shkisnin me rropamë e gjëmime shurdhuese mbi telin e trashë dhe përplaseshin te hyrja e stacionit, duke bërë që gjithçka rretheqark të dridhej e të ulërinte me vërshëllima telash. Por jo, ato nuk ishin gjëmime rrufeje. Kuptohej, se ajo që po ndodhte ishte bubullima e shembjes së teleferikut. Ai doli vrullshëm nga stacioni dhe zbriti te vendi i shkarkimit, i pushtuar nga një ndjenjë llahtare. Aty hodhi sytë me tmerr mbi telin e trashë që ishte përkulur tej masës nga mbipesha. Dhe, kur e kuptoi me tërë qartësinë e fenomenit atë që kishte ndodhur, zuri kokën me duar. Dy rrudha të thella, si dy prerje sëpate, ia përshkuan ballin tej e tej.
Por katastrofa ende nuk kishte marrë fund. Me e madhja pritej të ndodhte nga çasti në çast. Njëra nga barrët në krye të teleferikut kishte shkarë nga morsetat e konsumuara të shtrëngimit dhe kishte goditur barrën tjetër pranë saj. Mandej, të shtyra nga forca e goditjes fillestare, ato kishin shkarë njëra pas tjetrës dhe ashtu, duke sulmuar barra-barrën me fuqi të papërmbajtur, pesë barrë ishin grumbulluar te një pikë e vetme në mes të telit mbajtës. Kjo avari e rëndë kishte prishur përfundimisht shpërndarjen e barabartë të peshave nëpër gjatësinë e telit të trashë. Dhe ky qe varur aq shumë, sa tanimë ishte gati të këputej nga çasti në çast. Pritej që secili nga të dy stacionet të merrte nga një kilometër tel të shtrirë përtokë, pa jetë. Pra, shkatërrimi përfundimatar i teleferikut.
Gjëja që i kishte habitur më tepër, të gjithë ata që e kishin parë për herë të parë telin e tendosur nga njëri skaj i luginës në tjetrin, kishte qenë puna e madhe që ishte dashur për ta tërhequr aq fort dhe aq lart atë kavo të trashë e të gjatë prej çeliku. Kjo kishte habitur së pari edhe vet frenistin, i cili shpesh kishte bërë pyetjen e frikshme: po sikur një ditë të këputej gjithë ky tel?... Dhe ja, ajo ditë e kobshme kishte ardhur. Teli do të këputej pikërisht në duart e tij të pafajshme.
Ai u bë dyllë i verdhë, sytë iu kapsallitën te hataja e pritshme dhe buzët e fryra iu thanë, aq sa filloi të dridhej në heshtje.
-Ikni, ikni shpejt! -u thirri punëtorëve me një ton të lartë e të trazuar. -Turruni me vrap, or po u them, se do këputet teli !...
Njëri nga punëtorët vrapoi te barakat familjare për të lajmëruar teknikun e teleferikut, një frenist që kishte punuar gjatë turnit të tretë.
Për pak sekonda lajmi i papritur u përhap në të gjithë stabilimentin e sharrës dhe shkaktoi pështjellim të përgjithshëm. Punëtorët e të gjithë reparteve lanë punën dhe dolën të tërë mbi një kodër anësore për t'u mbrojtur nga shkatërrimi i pashmangshëm. Ata zunë të diskutojnë grupe-grupe për pamundësinë e ndonjë veprimi që mund ta shpëtonte stacionin. Katastrofa e teleferikut ishte katastrofa që do të rrënonte gjithë ngrehinën e sharrës. Sepse për ta ringritur telin e këputur do të duheshin të paktën tre muaj, gjatë të cilëve do të ndalej puna krejt. Pa le pastaj forcat, mjetet dhe rropatjet e shumta që kërkonte ai për t'u vënë edhe një herë në gjendjen e mëparshme.
Një pamje kërcënuese e frikshme shtrihej tani mbi luginë. Tekniku u teleferikut, Gani Rasku, ishte një vendas i njohur në të gjithë luginën për prirjet dhe aftësitë në ushtrimin e një profesioni të tillë. Në një moshë kur po u afrohej të tridhjetave, me trup të shkurtër, por muskuloz, me tipare të ashpra në fytyrë, ku të dallueshme ishin sidomos nofullat katrore, mollëzat e dala dhe balli i prerë si me thikë, ai kishte gjithmonë pamjen e një njeriu gaztor. Pas katër vjetësh martese me një fshatare trupngjeshur nga fshati i vet, Ganiu kishte vetëm tetë muaj që ishte bërë baba. Në të gjithë ngrehinën e sharrës e quanin "Dashnori i teleferikut". Kjo, sepse të tërëve u bënte përshtypje dashuria e tepruar që tregonte ai për atë tel, të cilin s'e ndante kurrë nga sytë, nga bisedat, dhe nga mendimet e veta. Tregonin, se e kishin parë shpesh pas mbarimit të turnit, në netët e nxehta verore, teksa qëndronte me orë të tëra i shtrirë me krahë të kryqëzuar nën kokë, duke kundruar lëvizjen ritmike të barrëve që zbrisnin nga mali. Kënaqej me atë rrëshqitjen e tyre varg e varg nëpër telin e gjatë dhe ndihej i lumtur si fëmijë, ndërkohë që gruaja e re e priste në shtëpi. Madje disa hokatarë edhe vonesën disavjeçare për të lindur fëmijë e lidhnin me pasionin e tij të tepruar për të qëndruar pranë teleferikut.
Ndërsa po ndodhte gjëma e telit të tij të dashur, ai po flinte në shtratin e madh prej druri, në dhomën e gjumit të veshur me kompensatë. Djali i vogël kishte kohë që ishte zgjuar dhe zuri të qante. Ganiu u çua, e mori në duar dhe, pasi e qetësoi me një zile plastike, e futi në shtrojet e veta e po lozte me të. Kur trokiti dera, Petriti i vogël kishte filluar të gajasej nën gishtërinjtë e mëdhenj, përkëdhelës të babait. Ganiu e çeli derën krejt i qetë, por me të marrë vesh ngjarjen e pabesueshme, vrapoi si i marrë, duke e lënë fëmijën fare vetëm. Te gardhi me listela i oborrit mundi të lajmërojë një fqinjë që u ndodh aty pranë dhe me një frymë arriti në stabiliment.
Ata që e panë nga afër në çastet e shtangies së tij, vunë re, se si ai u shpërfytyrua menjëherë, duke marrë pamjen e një të çmenduri, në fytyrën e të cilit lodron një mimikë e pakontrolluar. Ishte goditur befasisht në tru dhe në zemër. Çdo ngjarje tjetër do ta kishte besuar menjëherë, qoftë edhe sikur të bëhej fjalë për rënien e zjarrit që djeg gjithçka. Po se një ditë do të zgjidhej mali i lidhur aq fort pas stabilimentit me litar të trashë çeliku, këtë s'mundi ta besonte dot. Nuk u zinte besë syve dhe i fërkoi disa herë me panxhat e tij. I dukej si një ëndërr e llahtarshme, e cila do të prishej shpejt nga realiteti i zakonshëm. Me një vështrim të çmeritur hetoi rretheqark, ku kishte heshtur gjithçka dhe më në fund një çekan i fortë filloi t'u binte brinjëve të tij, aq sa iu duk se po i shkallmohej kraharori. Ai stacion i thjeshtë teleferiku kishte qenë njëkohësisht edhe stacioni i parë, ku jeta e tij filloi të ngjitej në lartësitë e ngazëllimit që i jep një fshatari puna e punëtorit. Aty ai ishte bërë frenist dhe më pas teknik. Si ishte e mundur që të shpërbëhej gjithçka kaq lehtë, kaq papritmas?...Jo, jo, duhej të kishte patjetër ndonjë shpëtim...Duhej kërkuar, duhej gjetur...
Punëtorët ishin larguar të tërë nga rrezja ku mund t'i përfshinte përplasja e telit dhe po prisnin këputjen e tij në një gjendje dëshpërimi të plotë. Ata s'ua ndanin sytë barrëve të mëdha të mbetura përfund luginës, si ndonjë karvan i ngecur në moçal. Të gjithë i brente keqardhja, që ai karvan i madh i ngarkuar me thesarin e tyre s'do të hynte më në dyert e stabilimentit ndoshta për shumë kohë. Ndërsa lart, pylli i heshtur do të mbetej si një mjekër leshtake e parruar në faqen e malit plak, i cili kushedi kur do ta zgjidhte sërish kuletën e vet për familjet e shumta të sharrëxhinjve.
Me gjithë kundërshtitë e shokëve, Ganiu hyri në stacionin e frikshëm. Ai mendoi, se nuk mund të ekzistonte një rrezik i tillë, që ta pengonte për të bërë të gjitha përpjekjet e veta shpëtimtare. Teksa punëtorët e alarmuar i thërrisnin "Dil shpejt'", Ganiu hetoi me kujdes gjendjen e përgjithshme të stacionit. Mandej bëri edhe një provë, duke i lëshuar krejt frenat. Por barrët ishin kapërthyer me njëra-tjetrën dhe teli qarkullues nuk lëvizi nga vendi. Bëri orvatje të tjera, duke manovruar me levat, por pa sukses. Atëherë doli jashtë dhe, pasi u mendua një grimë herë, përvijoi një mendim: Duhej hedhur një tel i hollë në formë laku te stacioni i malit dhe të tërhiqej zvarrë pas telit të trashë, deri sa të arrinte në mes të luginës, ku ishin grumbulluar barrët. Pastaj me anën e tij, të gjithë punëtorët e sharrës të ulnin telin e trashë mbajtës, derisa barrët t'i afroheshin tokës ku mund të shkarkoheshin.
Ganiu hodhi një vështrim të shpejtë nga kodra e stabilimentit, ku ishin grumbulluar punëtorët e shqetësuar. Megjithëse teli ishte ende në ajër, ata i kishte pushtuar një panik i madh e i pazakonshëm, që i kishte lënë të tërë duarkryq.
-Nuk ka asnjë rrezik! -njoftoi ai me gjakftohtësi, duke u afruar te turma kryesore. -Do ta shpëtojmë të tërë bashkë!
Mandej, Ganiu bisedoi me përgjegjësin e stabilimentit dhe i shpjegoi hollësitë e planit të tij. U thirrën edhe disa specialistë të tjerë dhe aty për aty u vendos, që fillimisht punëtorët të ngjiteshin te kavaleta ku mbështetej teli mbajtës, e cila gjendej në një pikë të lartë shkëmbore, afër stacionit të malit.
Turma e madhe e punëtorëve u lëshua drejt malit pa humbur kohë. Në stacionin e teleferikut u la vetëm frenisti i turnit për të qenë në gatishmëri. Ndërsa në sharrë, vetëm kaldaisti, që të ushqente zjarrin për ta mbajtur kaldajën ndezur. Gjithë të tjerët, rreth shtatëdhjetë vetë, filluan të ngjiten përpjetë, nëpër një rruginë të ngushtë tërë dredha e gurë.
Sa më tepër ngjiteshin, aq më shpesh i hidhnin sytë përpjetë nga teli i kërrusur nën peshën e frikshme, që rëndonte vetëm te mesi, në një pikë fatale.
Ata ndaluan pikërisht te vendi ku ishin grumbulluar barrët. Me ndjesinë e një katastrofe të dukshme në sy, vështruan përpjetë atë masë të madhe të varur në ajër, të cilën vetëm një fije force e pakuptueshme e mbante ende pezull në ekuilibrin midis qiellit dhe tokës. Dukej si një trup qiellor vigan që po i afrohej tokës dhe nga çasti në çast do të përplasej me shungullimë, të shtypte e shkallmonte gjithçka rretherrotull.
Gani Rasku e la bisedën dhe u nis turravrap për të arritur punëtorët. Ata, të lidhur njëri pas tjetrit në një zinxhir të gjatë, po i afroheshin kavaletës, duke mbajtur në duar rreth dyqind metra tel çeliku, të shtrirë në gjatësi. Ai ishte një tel i vjetër spiroidal, i dalë jashtë përdorimit. Fijet sipërfaqësore të tij qenë konsumuar aq, sa vende-vende ishin këputur dhe dilnin anash si gjëmba të hidhur, që nuk linin të kapej me dorë. Megjithatë, para së keqes që pritej, dhimbjet e shkaktuara prej këtij gjarpri gjëmbaç nuk i vinte re askush.
Duke nxituar sa ishte e mundur më shpejt, vargani i punëtorëve arriti më në fund te kavaleta. Të lodhur, të rraskapitur e qull në djersë, asnjërit prej tyre s'i shkoi mendja për t'u çlodhur, po filluan menjëherë nga puna.
Ganiu me tre djem të rinj u ngjitën mbi shtyllat e kryqëzuara të kavaletës dhe zbërthyen krahun e mbështetëses. Mandej punëtorët zunë ta tërheqin telin e trashë anash. Me pak mundim ai rrëshqiti dhe ra mbi kodrinë me një vizhgëllimë të padëgjuar ndonjëherë. U duk sikur befas një kamxhik vigan rrahu tokën me fuqi të përbindshme. Andej poshtë, në lartësinë nga toka, barrët u lëkundën aq shumë, sa teli vërshëlleu në ajër me një vibrim të tillë, që bëri të kumbojë e tërë lugina. Për të kuptuar fenomenin e çuditshëm akustik që u krijua, duhet thënë, se lugina e thellë ishte gropa e një kitare madhështore, ku teli bas i teleferikut jehoi brenda saj me një tingull të trashë, të zgjatur, hingëllues, që zor se mund të krijohej ndryshe. Por megjithatë, nuk u këput.
Fytyra e Gani Raskut shkëlqeu papritmas si dielli në zgrip. Ndërhyrja e parë kishte dalë me sukses. Tani atje poshtë në mes të luginës pesha e rëndë ishte afruar rreth dhjetë metra pranë tokës.
Të kënaqur nga kjo rrethanë e re, punëtorët kaluan telin e hollë mbi të trashin dhe, duke e tërhequr zvarrë nga të dy anët, filluan të zbresin poshtë. Dy turma të mëdha, si dy ortekë të lidhur bashkë, rrokulliseshin nëpër shkurret e dendura.
Teli gjëmbaç, i lakuar mbi telin mbajtës të teleferikut, arriti më në fund te barrët e kacavjerrura në ajër.
Tani puna e nisur kishte arritur në një fazë kritike.
Pasuan disa çaste stepjeje për të gjithë. Dy skajet e telit gjëmbaç mbetën një copë herë të varura mbi kokat e tyre, si një zvarranik i madh i vrarë, për të cilin duhej vendosur sa më parë si të veprohej më tej.
Por befas jehoi fort zëri i Gani Raskut:
-Dy teleferistë të vijnë me mua për të zgjidhur morsetat e barrëve. Të tjerët të mbajnë gjëmbaçin fort duke e tërhequr poshtë nga të dy krahët!
Detashmenti i sharrëtarëve filloi nga beteja. Secili prej tyre nuk qëndronte më në pozicion drejtpeshimi, por në këndin e pjerrët që i diktonte forca e tërheqjes së telit gjëmbaç.
-Jo përnjëherësh! Pak nga pak, pak nga pak! -briti Ganiu me sytë mbërthyer përpjetë.
Barrët filluan të ulen ngadalë. Teli mbajtës zuri të cijaste nga tendosja.
-Jepi, jepi! -thërriste Ganiu herë pas here i pushtuar nga emocione të fuqishme.
Barrët po i afroheshin tokës gjithnjë e më tepër me gjithë peshën e tyre të frikshme. Përgjegjësi kishte ngrirë me dorën përpjetë si një statujë shkëmbore. Ai nuk ishte më në gjendje për të thënë fjalë tjetër. Vetëm hidhte sytë kur e kur nga inxhinieri për të pikasur ndonjë ndryshim në fytyrën e tij të qetë.
-Edhe pak, edhe pak! -vazhdonte të thërriste Ganiu i magjepsur tërësisht pas qiellit të pabesë, që me heshtjen e kaltër kishte mbuluar çdo dyshim.
Tani barra e mesit u afrua në lartësinë një shtat njeriu. Teli dridhej e rënkonte nga tërheqja e tepruar. Sytë e të gjithëve ishin mbërthyer aty, ku fitoren nga disfata e ndante milimetri.
-Stop! Stop! Stop! -klithi tri herë Ganiu me të dy krahët e hapur përpjetë, sikur t’i falej së padukshmes për mëshirë.
Dy teleferistët me çelësa në duar u lëshuan vrikthi dhe me një shpejtësi të pazakonshme liruan morsetat e barrës së parë. Trungjet ranë përtokë duke lëshuar një tingull druri të mbytur. Teli i lehtësuar disi u lëkund i tëri.
-Mbajeni, mos e lini të tundet! -thirri sërish Ganiu, duke mbajtur fort zinxhirët e varur poshtë nga barra e parë, me një shtrëngim po aq të fuqishëm të nofullave gungaçe.
Ai u ndërmend atë çast, se sa më tepër të shkarkohej teli, aq më vështirë do të ishte të mbahej i tërhequr. Dhe kjo e bëri të futet përsëri në merak.
Sakaq, teleferistët filluan punën për lirimin e barrës tjetër. Për pak sekonda edhe ajo u lëshua poshtë. Teli u lëkund sërish me hungërimë të rëndë dhe zuri t'i largohej tokës, me gjithë tërheqjen që i bëhej nga të dy krahët.
-Shtrëngojeni më fort, më fort! -gjëmoi Ganiu me një zë gati të ngjirur.
Përgjegjësi i stabilimentit u lëshua i tëri përtokë dhe zuri të lidhte një cigare. Duart i dridheshin dhe buza i qe tharë. Inxhinieri e kundroi një grimë dhe vijoi të ndiqte përpjekjen e fundit të punëtorëve, duke mos i ndërhyrë Ganiut në urdhrat e sakta që jepte.
Tashmë kishin arritur te barra e pestë. Teli qe lehtësuar mjaft dhe barra e fundit ishte larguar shumë nga toka.
-O burra ta tërheqim edhe një herë! -bëri thirrje Ganiu me tërë buçitjen e zërit të tij.
Punëtorët bënë edhe një përpjekje tjetër, duke përdorur të gjithë forcën e krahëve. Ata ishin kontraktuar dhe po e tërhiqnin, duke e lëshuar tërë peshën e trupit pjerrtas me tokën, aq sa teli gjëmbaç ua plagosi duart keqas. U zhgërryen, duke u shtrirë të tërë përtokë. Por ishte e pamundur tani të ulej më tepër teli i egërsuar e kryeneç.
Atëherë inxhinieri i ri u bëri thirrje teleferistëve, që të afronin trupat e shkarkuar për të krijuar me ta lartësinë e nevojshme. Kështu, pas pak Gani Rasku hipi përmbi stivë, arriti zinxhirët e barrës së fundit dhe i tërhoqi derisa çelësat e teleferistëve mundën të prekin dadot.
Tashmë ishin çastet e fundit të kësaj beteje të mundimshme.
-Dëgjoni këtu! -i paralajmëroi Ganiu teleferistët. - Do zhvidhosni vetëm dadon e parë! Kur të filloj e dyta, do rrini gati, që kur të them unë "tre" ta lëshojmë të gjithë njëherësh! E morët vesh?...Kur të them unë "tre" - përsëriti fort që ta dëgjonin të gjithë.
-Mirë. - thanë ata.
Dadoja e parë u lirua me kujdes. Por ende pa filluar e dyta u dëgjua befas një frushullimë fare e lehtë dhe brenda fraksionit të sekondës barra ra përtokë. Gani Rasku, me duart e kapura te kllapat e zinxhirëve, fluturoi mbi njëqind metra lart në ajër, bashkë me telin mbajtës. Basi i kitarës vigane gjëmoi përsëri në gropën e luginës. Por kësaj here me kumbimin e një tonaliteti të lartë. Me tingull mortor.
Hataja ndodhi. Njeriu humbi. Fitoi pabesia e metaleve...
Kishte qenë, pikërisht, barra me morsetë të liruar, e cila në krye të herës kishte goditur barrët e tjera duke shkaktuar gjithë avarinë e teleferikut...
Ajo që panë me sy ata që ndodheshin aty atë çast, qe një pamje e llahtarshme, e dhimbshme, rrëqethëse, që i la të gjithë të shtangur, sikur t'i kishte goditur rrufeja. Gani Rasku kishte mbetur i varur në mes të luginës, me duart shtrënguar te zinxhirët e varur të barrëve të teleferikut që vazhdonte të lëkundej nën kupën e palëvizshme të qiellit. Ai dukej tani si një zog i vetmuar, i mbetur pezull në hapësirën pa shpresë.
Kaluan pak sekonda, gjatë të cilave u ishte lidhur gjuha të gjithëve dhe kishin mbetur të mekur me sytë nga qielli..
Ganiu vet s'po kuptonte ende ç'kishte ndodhur. Vetëm kur hodhi sytë poshtë dhe pikasi punëtorët, që gëlonin nënvete si miza të shqetësuara, kuptoi më në fund si qëndronte puna. I gjendur krejt në befasi, ai ndjeu një rrëqethje të ftohtë që i përshkoi palcën e kurrizit. Shtrëngoi më fort duart në kllapat e zinxhirëve dhe tendosi muskujt e krahëve, në një gjendje hutimi krejt të turbullt.
-Mbahu fort! -dëgjoi nga poshtë zërin e mekur, gati vajtimtar të përgjegjësit të stabilimentit.
-Mbahu! Mbahu! Mbahu! -ushtuan njëherësh me dhjetëra zëra të alarmuar e të largët, të cilët i vinin në vesh si klithma që ngjiteshin nga thellësitë e një humnere.
Vetëm tani ai erdhi në vete plotësisht dhe e ndjeu jetën në rrezik.
Si çdo njeri, edhe ai kishte menduar dikur për kënaqësinë që mund të ndjeje, po të mundje të fluturoje lart në qiell. Por tani që po e shihte, se ishte shkëputur nga njerëzit dhe i përkiste qiellit, mendoi se të gjitha kënaqësitë e mëdha mund t'i ndjente vetëm duke qenë edhe një herë pranë tokës. Krahët filluan t'i lodhen menjëherë dhe shpatullat t' i mpihen. Megjithatë, u orvat ta largonte nga koka mendimin e kobshëm për lemerinë që e priste. Befas u ndërmend, se teleferiku kishte shpëtuar, ndërsa ai vet s'mund të gjente shpëtim në ato pak fije muskujsh të lodhur, ku ishte varur jeta e tij. I erdhi keq që ndodhi kështu. Pikërisht tani që teleferiku shpëtoi, unë duhet të jetoja, tha me vete. Edhe për një muaj fillon remonti, vijnë karrukullat e para shqiptare... Teleferiku do të këndojë me to, kurse unë do të qahem prej gjëmës së tij... "Të vrau teleferiku, o Gani! "... Sa keq të të vrasë gjëja që do më shumë... Jo, jo, unë duhet të jetoj... Duhet të mos i lëshoj duart nga ky tel!...
Mendoi kështu dhe nëpër trup sikur i kaloi një energji e re, një vrull i lëngshëm që i ngrohu damarët. Ndjeu një farë lehtësimi në kyçet e duarve. Për një çast filloi të mos i besonte vdekjes së pashmangshme dhe vrau mendjen për të gjetur ndonjë mënyrë shpëtimi.
-Kurajë Gani, kurajë, se kemi dërguar të sjellin dyqind metra litar! - dëgjoi inxhinierin nga poshtë.
Ganiu llogariti: sa të shkonte njeriu për të marrë litar në dyqanet e qytezës së sharrëxhinjve, sa të kthehej dhe sa të hidhej litari te kavaleta, duhej të kalonte mjaft kohë. Për të pritur këtë mundësi shpëtimi, muskujt e tij duhej të ishin prej çeliku... Të lidhej pas kësaj shprese iu duk fare e kotë. Kishin kaluar vetëm dhjetë minuta dhe i qe dukur sikur kishte dhjetë muaj që rrinte varur në atë tel.
Poshtë ishte krijuar një gjendje alarmi e plotë. Të gjithë në një gojë, ata thërrisnin për t'i dhënë kurajë.
Përgjegjësi i stabilimentit ishte mbledhur i tëri galuc dhe, ngaqë nuk shikonte dot përpjetë, kishte zënë kokën me duar. Prej një pozicioni të tillë, ai lëvizi vetëm kur i shkoi pranë usta Pandi, një burrë gjymtyrëgjatë nga Korça, që e kishte kaluar tërë jetën nëpër sharra. Ai i propozoi të lëshohej teleferiku te stacioni, që bashkë me zinxhirët ta merrte me vete Gani Raskun, për ta afruar te vendi i zakonshëm i shkarkimit të barrëve.
Ky mendim ndriçoi fytyrat e të gjithëve. Teleferisti i ri u nis me vrap për të njoftuar frenistin te stacioni i teleferikut.
-Dëgjo, o Gani! -thirri inxhinieri duke i bërë duart si hinkë. -Mbahu fort edhe pak minuta, se do lëshohet teleferiku të të tërheqë gjer te stacioni!
Ganiu kishte shtrënguar nofullat dhe nga lodhja e tepërt po i buçisnin veshët. Megjithatë, ky lajm ia shtoi shpresat. Kështu po, mendoi. Nëse pesha e trupit tim dhe e zinxhirëve të barrëve do të arrijë të krijojë deridiku kundërpeshën e nevojshme për lëvizjen e telit qarkullues, unë kam mundësi të shpëtoj... Përmblodhi më fort falangat e lodhura të gishtërinjve pas zinxhirëve dhe po priste me një padurim të rrallë lëvizjen e teleferikut.
-Qëndro, qëndro! Mos u dorëzo! -vazhdonin të thërrisnin nga poshtë.
Ganiu njohu zërin e usta Pandit, zërin e ngrohtë të atij burri të madh që i kishte mësuar zanatin dhe ndjeu t'i rrihte zemra. Iu bë qejfi shumë, që ai njeri ndodhej aty pranë tij, me dashurinë, kujdesin dhe shqetësimin e vet. Midis atyre njerëzve me sytë nga qielli, të mbërthyer aty poshtë si një pyll i vogël i rrahur nga stuhia, ai kishte shumë shokë e dashamirës, prej të cilëve s'mund të ndahej dot në mënyrë të tillë. Si të shkëputej kështu përgjithmonë prej tyre, tamam si një gur i flakur përpjetë që kthehet e bie i copëtuar në greminë... Duhet të bënte të pamundurën, të rezistonte të paktën deri sa të lëshohej teleferiku. Ai u shtrëngua i tëri dhe u tkurr, aq sa u kthye në një gjendje të ngurtë, gati metalike.
Pasuan edhe disa minuta të tjera, gjatë të cilave Ganiu ishte mpirë tërësisht nga muskujt, kur ndjeu befas sipër kokës lëvizjen e ngathët të karrukullave. Ngriti sytë e mjegullt dhe mbajti vesh...Ah, ato...karrukullat, ah, zuskat e vjetra po hingëllinin sipër kokës së tij me një zë të ngjirur, të dehur, përtac. Hingëllinin me tingullin e tyre ndjellakeqës e mezi zvarriteshin, sikur ia bënin për inat. Ai shtrëngoi duart fort sërish, por ndjeu midis shpatullave dy zgavra të thella që po ia gërryenin gjithnjë e më shumë trupin e mbilodhur.
Poshtë fluturonin lëndina, shkëmbinj, pemë, një përrua, mandej një lumë i rrëmbyer. Dhe befas kënga e ngjirur e karrukullave ndaloi. Teleferiku kishte ngecur përsëri. Pasoi një heshtje e dhimbshme dhe krejt e shurdhër.
Ganiu vështroi edhe një herë nënvete. Ndodhej në një vend më të thellë, përmbi zallin e lumit. Njerëzit tani nuk dukeshin më. Humbja e atij ngushëllimi të vetëm, ia terratisi sytë dhe ia goditi zemrën si me purtekë. Vetmia, që u krijua papritmas, shkaktoi në qenien e tij një boshësi pikëlluese. Këqyri telat mbi kokë. Ata ishin kapërthyer me njëri-tjetrin keqas. Teli qarkullues kishte kaluar sipër mbajtësit dhe qe bërë lëmsh rreth karrukullave, të cilat ia kishin bërë tashmë edhe sfidën përfundimtare.
Ja, edhe shpresa e fundit u shua shumë shpejt para syve të tij. Ishte thënë, se duhej të vdiste patjetër. Atë kohë i ndjeu krahët aq të këputur, sa deshi të lëshohej drejt tokës, mjaft që të shpëtonte një çast nga ajo lodhje sfilitëse. Edhe sikur të kishte mbi trup dy ujqër të tërbuar, që shqyenin copa mishi nga shpina e tij, nuk do t'i shkaktonin dhimbje të tillë.
S'vonoi shumë dhe turma e punëtorëve u qerthullua përsëri aty poshtë tij, te zalli i bardhë i lumit të rrëmbyer. Ajo turmë ishte dielli i tij shpresëdhënës që u rrokullis kodrinave dhe i qëndroi nënvete përmbi zaje, për t'i dhënë diçka nga energjia e vet.
-Mbahu, duro edhe pak! Duro! -thirrën ata sërish.
Por tani Ganiu i kishte kaluar caqet e durimit. Ai ishte drobitur i tëri dhe kishte vendosur të lëshohej mes njerëzve të shumëdashur. Tani kjo vdekje i dukej gjëja më e mirë që mund të bënte. Nuk mund të duronte më tej as një minutë. Çdo pjesë e trupit të tij kishte vetëm një shtysë, një dëshirë, një pasion të fundit: të lëshohej drejt çlodhjes, drejt qetësisë së shumëpritur, sido që të ishte ajo në llojin e tmerrit të pamëshirshëm që përmbante. Të gjithë muskujt dhe damarët kishin zënë të ngrenë krye, duke mos iu bindur më urdhrave të trurit të tij. Pak nga pak kundërshtimi i aradheve vepruese të organizmit po i afrohej gjendjes kaotike. Çdo qelizë dhe çdo grimcë tjetër e gjallë bërtiste: Çlodhje! Çlodhje! Çlodhje! Britmat dhe sokëllimat e tyre i ndiente thellë në tru dhe në tëmthat, ku ato rrihnin si me varre fortesën e shtabit të tij qelizor. Duke shkuar nëpër mend lëshimin e krahëve, ai ngriti kokën dhe kundroi duart e ngjitura, pothuaj si të salduara te zinxhirët. Për habinë e tij, vuri re, se i qenë ënjtur aq shumë, sa për një çast iu duk, sikur po mbahej me një palë këmbë të trasha, të nxira nga gjaku i damarëve të kërcyer si lëvore bizelesh. Ato i digjnin me një dhimbje therëse, të hidhur dhe kurrsesi të durueshme më tej.
-Do hidhem! -shpërtheu me sa fuqi kishte, me zë bubullime, që ta dëgjonin të gjithë. -S'duroj dot asnjë minutë më tepër! Dua vetëm të shpëtoj nga kjo e keqe!...
-Ç'i ke ato fjalë, more djalë i mbarë? - gjëmoi usta Pandi nga mesi i turmës. -Nuk të vjen turp nga gjithë këta burra, more trim? Mblidhe veten po të them, mbahu si deri tani e mos u trego shokëve vdekjen, po tregona si di ti të jetosh!
Ganiut i kaloi nëpër trup një e rrëqethur e fuqishme, që e bëri të dridhet në tërë gjatësinë e shtatit dhe i theri zemra në çast, duke i dhënë një shkulm gjaku të përvëluar në fytyrë. Kishte dashur të lëshohej, të tradhtonte veten dhe gjithë ata atje poshtë. Kishte dashur t'i dorëzohej vdekjes në sy të ustait dhe shokëve të shumtë... I erdhi shumë turp dhe shtrëngoi dhëmbët aq fort, sa i kërcitën me zhurmë dhe ndjeu në gjuhë ciflat e zmaltit të tyre. Do të duroj sa të mos më punojë asnjë damar, mendoi. Kjo që më kërkojnë është fare pak, para asaj që kanë bërë ata për mua e për krahët e mi të pamësuar. Dhe unë këto krahë t'i thyej tani ?!... Jo, kurrë! Në asnjë mënyrë! Do qëndroj deri në pikën e fundit!...
Por koha kalonte. Lodhja e tejskajshme bënte punën e vet tek ai njeri i dërrmuar, por kurajoz dhe i paepur si askush tjetër. Litari ende s'po vinte. Pak nga pak po i përhumbej tërë trupi. I dukej sikur i qe sulur një zgjua blete dhe e kishte mbështjellë të tërin me pickime të hidhura. Tani ato pickime të paprera, gati po e vinin në gjumin e kapitjes së plotë. Kjo bënte që herë pas here të humbiste vetëdijen. Tekefundit ai e lëshoi njërën dorë. Por u ndërmend përnjëherë nga klithma e fuqishme e turmës dhe me shumë mundim arriti përsëri ta zgjaste te zinxhiri. Tani e ndeju edhe vet, se fundi ishte më afër se kurrë. As litari dhe asnjë ndihmë tjetër s'mund të arrinte të shmangte gjëmën e tij të llahtarshme.
Por në atë grimë kohe, kur ndodhej përtej durimit dhe fare pranë vdekjes, midis buçimës marramendëse të veshëve, dëgjoi një zë gruaje që po e thërriste me ngulm. Sikur të përmendej nga një gjumë tepër i rëndë, ai hapi sytë e mjegulluar dhe aty poshtë midis grumbullit të madh të njerëzve dalloi të shoqen, tek mbante Petritin e vogël në duar. Djali tundte doçkat e vogla tërë gëzim, duke gjetur argëtim tek ajo pamje ajrore që shihnin sytë e tij fëminorë.
-Të keqen, o Gano, duro! - thërriste e lutej gruaja e re. - Duro edhe pak po e deshe Petritin tënd! Mos e ler pa baba, se është akoma kërthi! Mos e ler jetim, se është gjynah!...
Ganiu u mallëngjye aq tepër, sa iu mbushën sytë me lot dhe mori frymë aq thellë, sa iu fry trupi si kacek. Duke e përqendruar vështrimin te djali, që dukej prej andej sa një zog krahëhapur, befas, nga një përzierje gazi dhe helmi, iu bë një lëmsh i madh në grykë dhe filloi të qeshte duke qarë... Si t'i përgjigjej me vdekje atij gëzimi aq të madh, me të cilin e prisnin krahët e hapur të Petritit të tij të dashur... Si të mbetej në sytë e tij të njomë me pamje të copëtuar e të gjakosur për tërë jetën... Ai mori frymë thellë edhe një herë, përmblodhi rreth trungut të buhavitur muskujt e flashkur dhe forcat sikur iu përtërinë paksa te krahët. Sidoqë në deje ndjente t'i shkonte ujë i përvëluar. Ah, o shpirt i vogël, tha, për ty po rri varur e nuk vdes dot!...
Aty afër një harabel i lodhur u ul një çast mbi telin e trashë dhe pasi pastroi krahët me sqep, zuri të mbushë ajrin me tingujt e tij të kristaltë. Ganiu mendjehumbur kundroi një grimë me zili ata krahët e tij të lehtë. Por nuk pati mundësi të dëgjojë për herë të fundit këngën e tij të gëzueshme, sepse lodhja paskësh edhe një kufi kritik, tej të cilit çdo fije nervore fillonte të lëshonte tinguj alarmi dhe të gjitha së bashku formonin një gjëmim buçitës që shkallmonte kockat, shtyllën kryesore dhe kafkën e kokës.
Gjendej në pragun e njohur të ishemisë së trurit, kur nga lodhja dhe dhimbja e tepërt, kryeqendra e organizmit bënte shkëputjen e vetëdijes për të eleminuar ndjesinë e mbigrakuar të vuajtjes fizike. Por rënia e të fiktit, që në më të shumtën e rasteve në tokë ndodh pa pasoja, aty në majë të telit ishte tani së fundi një fshirje e menjëhershme nga tabela mendore e të gjitha vendimeve për durim të tepruar, sado të guximshme dhe kurajoze të ishin ato.
Papritmas teleferiku u lëshua edhe një herë tjetër... Gjithë teli u drodh me disa vrunduj të përsëritur, si ndonjë kalë kur rrëqeth shpinën nën samar. Harabeli fluturoi larg. Por karrukullat nuk lëvizën nga vendi... Ganiu mezi hapi qepallat që i rëndonin si plumb.-Lëvizni, moj bushtra! -mërmëriti nëpër dhëmbë, se marramendja nuk e la të ngrejë kokën. -Hë, s'doni, po merrni hak se kisha bërë mend t'ju zhduk!...Do të vdes, po edhe juve u ka ardhur fundi, t'u hedhin në përrua... Në djall të veni, s'e dua të mirën tuaj!...
Sakaq, mendimet e çoroditura ia preu në mes një gërhitje e rëndë që po afrohej drejt tij me shpejtësi. Ishte një gërvishtje metalike që të shkulte zorrët nga barku. Teli i trashë po gërthiste gjithnjë e më fort dhe pas pak ia behu teli gjëmbaç, i cili u përplas pas karrukullave me një zhurmë të skëterrshme.
Ardhja fare pranë Ganiut e atij teli të harkuar në ajër, ishte si rënia e befasishme e një ylberi të gëzueshëm që ngjalli shpresa të mëdha për jetën.
Po ç'kishte ndodhur?
Teli i hollë gjëmbaç, që u shpëtoi punëtorëve nga duart, ngeci përmbi telin mbajtës andej lart nga u shkarkuan barrët. Tani nga lëkundja e fundit e teleferikut kishte rrëshqitur gjatë pjerrësisë dhe u gjend dy hapa larg fatkeqit të dënuar padrejtësisht me vdekje, prej lakut tinëzar të telave të çeliktë.
Nga poshtë shpërthyen njëherësh brohoritje të fuqishme, të papërmbajtura, si të ushtonte një stadium i tërë tifozësh të ngazëllyer nga fitorja e mundimshme. Punëtorët hidhnin përpjetë qeleshet, kasketat, xhupat dhe çdo gjë që u ndodhej nëpër duar.
-Shpëtove Gani, shpëtove o djalë'. -gjëmoi usta Pandi me zërin e tij bubullues. -O burra tani, ngjitu lart te teli i trashë dhe kapi të dy fijet e telit të hollë, të zbresësh pas tij!
Dy punëtorë vrapuan të marrin batanije te baraka e rojes së stabilimentit që ndodhej aty pranë.
Gani Rasku, i ringjallur çuditërisht prej kësaj rrethane të mahnitshme, vështroi plot emocion dy fijet e telit që zgjateshin drejt tokës. Mandej, duke grumbulluar të gjitha fuqitë që i dha kjo shpresë e re, e dukshme dhe mjaft bindëse, filloi të ngjitej pas zinxhirit për të arritur së pari telin mbajtës.
Tani në ajër zhvillohej një përpjekje e pashembullt, një përleshje e mbinatyrshme e jetës me vdekjen. Toka me një fuqi të përbindshme e tërhiqte për ta fundosur në thellësitë e kobshme të mbarimit. Ndërsa ai rropatej për t'u ngjitur në lartësitë e hareshme të shpëtimit. Ishte një duel i tmerrshëm që zhvillohej ndërmjet globit vigan të tokës dhe globit të vockël të zemrës së tij guximtare.
Nëse deri atëherë pamundësia e shmangies së rrezikut i kishte ngujuar punëtorët në harkun e mbyllur të një dëshpërimi të thellë, tani kjo mundësi e vështirë shpëtimi, kishte krijuar tek ata një gjendje ankthi të paduruar, që shoqërohej me shpërthime britmash sa herë Ganiu ngjitej pak ose rrëshqiste pas zinxhirëve.
Ai rënkonte herë pas here duke shfryrë me duf: Do t'i thyej kockat e do ta arrij se s'bën!... Dhe pas shumë përpjekjesh Ganiu e arriti më në fund telin mbajtës, duke u distancuar dukshëm nga kthetrat e llahtarshme të vdekjes. Se si e bërë këtë gjë, as ai vet nuk po e kuptonte, sepse duart nuk i ndjente më të vetat, për shkak, se fijet nervore të ndjeshmërisë së trinave i qenë atrofizuar përfundimisht nga mpirja e gjatë.
Turma e punëtorëve aty poshtë te zalli i ngjante ato çaste një lumi të vrundulluar që shpërthen e hidhet marrëzisht përmbi shkëmbinj.
Pasi e mbërtheu telin e trashë me të dy duart, ai bëri edhe tri kapje të tjera dhe arriti gjëmbaçin shpëtimtar...
-Të lumtë, shpëtove! Jepi o trim, o Gani! - thërrisnin me ngazëllim nga poshtë.
Gruaja e Ganiut e lëshoi djalin, që hallavitej kot pas gazit të turmës dhe vuri duart mbi zemrën që po i çahej. I kishte rënë dy herë të fikët, ishte lagur e tëra me lot e me ujin e lumit, me të cilin e kishin sjellë në vete. Dhe prapë kundërshtonte të largohej nga ajo skenë tragjike e ngritur në ajër, ku Ganiu i saj kacafytej realisht me mortjen e pamëshirshme.
Me gjakftohtësi e vetëdije tashmë të kthjelluar, Ganiu kapi telin gjëmbaç dhe, pasi e përdrodhi midis këpucëve, siç bënte me litarin kur ishte ushtar, u lëshua i tëri mbi peshën e këmbëve. Atë çast lëshoi vetëm një "Oh!" të gjatë, rënkimtar dhe mbylli sytë. Me të dy skajet e telit midis shalëve dhe duke u mbajtur lehtë me krahët e kryqëzuar qëndroi ashtu gati pesëmbëdhjetë minuta për të çlodhur duart e vdekura, që kishin marrë një ngjyrë të manushaqtë. Gjatë këtij intervali jetik, ai mundi të formulojë vetëm një mendim: Njeriu qenka shumë, shumë i fortë...
Ndërkohë, gjithë meraku i punëtorëve ishte përqendruar te dy skajet e varur të telit gjëmbaç, njëri prej të cilëve ishte më i shkurtër. Këtë Ganiu s'mund ta vinte re nga sipër. Si do t'i bëhej hallit kur ai të arrinte aty ku mbaronte skaji i shkurtër, që ishte afërsisht pesëmbëdhjetë metra larg tokës? Sepse, sapo të kapte fijen e gjatë që i mbetej për të zbritur më tej, teli do të lëshohej i tërë poshtë dhe jeta e tij ishte përsëri në rrezik nga ajo lartësi...
Përveç pritjes me batanije, nuk gjetën asnjë zgjidhje tjetër të shpejtë. Pa humbur kohë, tetë punëtorë të fuqishëm hapën dy batanije leshi të vëna njëra përmbi tjetrën dhe zunë vend nënvete, duke krijuar një rreth të ngushtë.
Gani Rasku filloi të zbresë, duke shkarë ngadalë nëpër telin gërvishtës, i cili qysh në metrat e para ia gjakosi keqas duart dhe kofshët.
-O burra, se ia hodhe! Edhe pak se arrite! - thërrisnin herë pas here punëtorët me gëzim të papërmbajtur.
Gjithnjë me telin të mbështjellë pas trupit, si hardhia pas lisit, ai vazhdonte të ulej metër pas metri. Ndërsa mbi fletët e batanijeve binin pika gjaku. Përveç lodhjes dhe vuajtjes së gjatë, trupit të tij iu shtuan edhe ato pickime e gërvishtje të gjakosura. Kofshët iu grinë dhe krahët iu rropën, por ngazëllimi hapësirave të pamata të jetës, që u çelën sërish para tij, e bënin t'i duronte me kënaqësi. Ai ishte vërsulur drejt njerëzve të dashur me rrëzëllimin e largët të një dielli të kuq që zbret në fund të horizontit. Metrat e telit vampir shkurtoheshin njëri pas tjetrit dhe çdo metër ishte për të një betejë e fituar me gjak. Por tani në fytyrën e tij ishte vulosur buzëqeshja ngazëlluese e njeriut që rilind. Ishin çastet triumfale kur ai kthehej nga kozmosi i llahtarës dhe s'kishte si të mos ishte aq i gëzuar.
Dhe ja, arriti te fija më e shkurtër.
Nuk mund të merret me mend habia dhe tronditja që ndjeu atë çast, kur pikasi papritmas, se rruga e tij prej teli të dyfishtë përgjysmohej përsëri në një pikë qiellore, ende larg tokës dhe njerëzve.
-Hidhu! -i thirrën punëtorët e spërkatur nga shiu i gjaku që rigonte prej tij.
-Hidhu pa frikë, se të presim! -buçitën njëherësh shumë zëra nga poshtë.
Ganiu i këqyri shokët me buzagazin e tij të largët. Ata iu dukën ende të vegjël, pa ato përmasat e zakonshme që i duheshin për të krijuar sigurinë e shprehur prej tyre. Për të shpëtuar nga ato gërvishtje të hidhura, ai ishte gati të hidhej qysh dhjetë metra më lart. Por tani, kur durimi i tij prej çeliku kishte arritur fundin, mendonte, se nuk duhej të nxitohej. Duke fituar mbi ata tela me fije të çelikta, edhe fijet e nervave të tij kishin marrë pothuaj fortësi dhe rezistencë çeliku. Në këto çaste në trupin e tij kishin lindur forca të reja, që tregonin se në organizmin e njeriut paskish energji të pashtershme. Jeta e rikthyer i kundërvihej vdekjes së mposhtur, pikërisht me këto energji të shumëfishuara prej triumfit.
Përmes trazirës së mendimeve, ankthit torturues dhe asaj lodhjeje drobitëse, që tashmë i kishte vënë të tëra poshtë, ai arsyetoi, se po të mbahej te fija e shkurtër, deri sa të arrinte pjesa e gjatë e gjëmbaçit në krye të telit të trashë të teleferikut, shpejtësia e rënies, gjatë fërkimit të telave, duhej të zvogëlohej diçka. Dhe aty për aty, ndryshe nga ç'pritej, lëshoi fijen e gjatë dhe u kap me të dy duart tek e shkurtra.
Ajo që ndodhi atë çast kritik, shpjegohet qartë po të përdredhim një zinxhir pas gishtit dhe njërin cep të tij ta tërheqim me forcë.
Me sytë ngulur në qiell prej një kohe të gjatë, njerëzit panë, se e tërhequr nga pesha e trupit të tij, fija e gjatë e gjëmbaçit u përdrodh disa herë pas telit të trashë të teleferikut dhe pastaj zuri të zvarritet, duke e ngadalësuar rënien në mënyrë tepër të ndjeshme. Në çastin kur Ganiu ndodhej vetëm tri metra larg tokës, fija e penguar kapërceu teleferikun dhe gjëmbaçi ra i gjithi përtokë. Sakaq, ai kërceu hopthi dhe u gjend befas mes rrethit të madh të shokëve, krahët e të cilëve, të zgjatur pothuaj ngjitur me njëri-tjetrin përqark harkut të batanijes, u ngjanin petaleve të një luleje të madhe të çelur nga gëzimi i tyre i përbashkët.
Mbi shtatëdhjetë buzë, herë dy-tri puthje, baras melhemi që iu vu menjëherë fytyrës së tij të plagosur keqas prej kamxhikëve të vdekjes.
Nga rraskapitja e pazakonshme dhe tensioni nervor me të cilin e përballoi atë kohë të tmerrshme, Gani Raskun e kaploi një gjumë i rëndë, që e shkëputi tërësisht nga të gjitha ndijimet organike për gati katër orë të mira. Dhe do të kishte fjetur edhe katërmbëdhjetë orë të tjera, po të mos ishin doçkat e Petritit të vogël, që silleshin si dy pëllumba të bardhë mbi mjekrën e tij gjëmbore.
Jetëgjati u përmend pas një ëndrre të turbullt. Puthi djalin disa herë dhe sytë e qelqtë i riguan lot gëzimi. Kur vuri re shokët, që e prisnin te karriget përqark shtratit, në fytyrën e tij shkëndijoi një buzëqeshje lumturie. Ganiu i kundroi të gjithë me radhë me atë vështrimin e tij të adhurueshëm dhe me atë pamjen e vet të mbushur me ngrohtësi e mirënjohje. Befas shpirti i tij ngazëlleu dhe e ndjeu veten të përtëritur e të gjallëruar përjetësisht. Dukej sërish po ai njeri, po ai shpirt i fuqishëm që lidhte tokën me qiellin, malin me breglumin, pyllin me sharrën. Papritmas, përmes asaj atmosfere plot përmallim, ai pyeti:
-Punon teleferiku?
-Jo. -i thanë shokët në një gojë. -Kanë ngecur telat.
-Duhen bombarduar nga ana e malit me nja dy barrë të zgjidhura që të shplekset qarkulluesi. -tha Gani Rasku pas pak.
Dhe shtoi më tej, se ajo që kishte përjetuar përmbi tel, s'ishte asgjë për t'u kujtuar, sepse ata shumë herë e kishin pasur jetën në një fije, por ishin mbajtur fort pas saj