ZEMËRGURI


-Meleqe xhan, Meleqe shpirt, Meleqe zemër, kush mund të na ndaj në këtë botë ne të dy? -i thoshte ai asaj.
-Vetëm vdekja ka aq fuqi. -i thoshte ajo atij.
Meleqja bareshë me një tufë dele. Qamili bari me një tufë dhi. Pylli, lumi dhe zogjtë këngëtarë thoshin: "s'kemi parë të tillë dashuri!".
Por një ditë mori fund kjo poezi zemrash. I ati i minatorit Kadri Elezi, mblesi i shkathët dhe një shumë e madhe parash, ua mbushën mendjen top prindërve të vajzës. Të gjithë bashkë, ata shkelën si pa të keq me opingat e tyre tërë baltë mbi këtë dashuri të kristaltë. Me gjithë paralajmërimet dhe ndonjë kërcënim, që bariu i dashuruar i bëri minatorit me xhepin plot, Meleqja e bukur, e larë e tëra me lot, hyri në një shtëpi të fshatit fqinj. Dy herë ajo ishte hedhur nga kali dhe dy herë të tjera tentoi të vriste veten. Por njerëzit ishin mësuar prej kohësh me vajtimet dhe kundërshtitë e para të nuseve të reja. Dhe e përgjuan me kujdes, derisa ajo mbeti shtatzënë.
* * *
Te balli i galerisë ishin mbushur birat me dinamit dhe ishte bërë taposja e tyre. Ishin larguar të gjitha veglat e punës dhe çdo gjë tjetër ishte bërë gati për plasjen e minave.
Brigada e Kadri Elezit i dha fund pushimit të shkurtër nën rrezet e diellit të prillit, që kishte rënë te hyrja kryesore e galerisë. Brigadieri piu ujë nga një shtambë aty pranë dhe u ngrit në këmbë.
-Kush vjen sot me mua? -pyeti duke hedhur një shikim të përgjithshëm mbi shokët.
-Vij unë! -tha Qamili në çast dhe u çua vrikthi si të kishte qenë mbi një sustë.
Kadriu ndjeu një prerje të lehtë në zemër dhe këqyri minatorin mendueshëm një grimë. Kishin kaq kohë që punonin në atë galeri të thellë dhe për çudi s’kishte rastisur asnjëherë të ndiznin minat bashkë. Ai u pendua që nuk e caktoi vet minatorin shoqërues, siç bënte zakonisht. Por tekefundit e mblodhi veten. Nuk mund ta kthente. Ç'do të mendonin shokët...
-Shkojmë Qamil! -tha pas pak me një ton të vendosur.
Të dy në një kohë, ata veshën mushamatë, ndezën llambat e karbitit, vunë kasketat në kokë dhe u nisën drejt harkut të zi në bark të malit. Një copë herë të shkurtër hapat e tyre jehuan nëpër dekovil dhe më tej hyrja e errët e galerisë i përpiu të dy njëherësh. Balli i galerisë 840 ishte krejt i heshtur. Fitilat e varur, si bishta gjarpërinjsh të përgjumur, prisnin aty thellë dorën e zjarrtë të minatorit, që t'u jepte ngacmimin e zgjimit të tmerrshëm. Prisnin çastin që të vërshëllenin e të shfrynin me tërbim, derisa shpërthimi i tyre i fuqishëm të shkallmonte nga themelet shkëmbinjtë e hekurt të nëntokës.
Nën dritën e ftohtë të karbitit, Kadriu i hodhi një sy të shpejtë sipërfaqes së minuar dhe i kënaqur prej asaj që pa, u kthye nga shoqëruesi. Por befas përmes atij ndriçimi të vdekur, gati fosforik, ai vuri re shkarazi një rreze egërsie që vetëtiu në ninëzat tinëzare të Qamilit. Kadriu menjëherë ia mbërtheu sytë fytyrës së zbehtë të minatorit dhe ndeshi në atë vështrimin e ndezur të syve të tij, ku ziente gjaku i hidhur i mërisë së fshehur. Krejt ndryshe nga herët e tjera, Qamili e kishte ngarkuar portretin e tij me tërë shenjat e një urrejtjeje të thellë. Fytyrën e kish të zverdhur dhe të prishur. Në ballë i shkëlqenin pika djerse dhe dridhej i tëri prej ngërçit të tërbimit, që i kishte krijuar afrimi i çastit për kryerjen e krimit të paramenduar. Tashmë dukej fare qartë, se në shpirtin e tij ishte zgjuar etja e egër për hakmarrje.
Urrejtja e vjetër qenka si një minë e fshehur në trurin e njeriut, mendoi Kadriu. Ajo e kishte kapsollën në bebet e syve të tij. Mjaftonte të shkelej pa kujdes nga vështrimi i kundërt, që ajo të shpërthente me tërë lemerinë e saj. Dhe duke ndeshur sërish sytë e ndezur të Qamilit iu duk atë çast, se e gjithë figura e tij ishte kthyer në një minë gati për shpërthim. Kërkon të më vrasë, tha me vete, po pse zgjodhi këtë rast?... Mos vallë që të quhet aksident minash e t'i shpëtoj ligjit?... Po në ç'mënyrë mund të më vrasë?... Mbase ka lënë ndonjë birë të pa taposur mirë, që kur të ndizen fitilat ta tërheqë dinamitin për të ma hedhur nëpër këmbë... Me një fjalë, ky kërkon sot të qërojë hesapet me mua këtu në fund të dheut...
-Ç'ke, sikur s'më dukesh mirë sot! -i tha qetësisht.
Qamili bëri edhe një hap përpara duke u zhvendosur si një trung i madh, i zi.
-Jam më mirë nga gjithë herët e tjera. -u përgjigj nëpër dhëmbë.
Tashmë Kadriu nuk dyshonte aspak për qëllimin e fshehtë të tjetrit. Sidomos tani që e shihte aq pranë vetes, me atë fytyrë të zymtë e të pamëshirshme, në këtë thellësi toke larg shokëve, ku kishin ardhur bashkë padashur. Por s'kishte si t'i shmangej. Një rast i tillë do të vinte patjetër. S'ka si ndodh ndryshe, kur jeton kaq afër njeriut që të urren. Po si t'ia bëj?... Si ta spraps sulmin që ka menduar për mua?...
Kadriu lëvizi drejt ballit të galerisë me një vendim që mori aty për aty.
-Bëj dritë! - urdhëroi me një zë të ngjeshur. Do ti kontrolloj edhe një herë.
Por ndonëse i fortë, zëri i tij tingëlloi i mbytur, pa mundur të pjellë asnjë jehonë nën atë peshë të pamatshme dheu.
Minatori shoqërues drejtoi përsëri mbi të shigjetat e zjarrta të syve dhe ngriti lart llambën e karbitit. Drita e saj, si vezullim zhive, ra mbi mollëzat e tij të kuqërremta. Streha e kasketës lëshoi një hije të thellë mbi ballin e tij të sheshtë e të prerë, si një copë mineral i këputur nga shkëmbinjtë prej hekurnikeli të nëntokës. Hija e errët kishte mbuluar edhe vetullat e tij sterrë të zeza, që ngjanin sikur dikush qysh në fëmijëri t'i kishte kaluar në ballë dy vija të forta thëngjilli. Me atë pamje të heshtur prej statuje, Qamili shtatngjeshur, i zymtë dhe tragjik, ndiqte me ca sy të përvëluar çdo lëvizje të Kadriut, për të pritur arritjen e çastit të volitshëm.
Rretheqark mbretëronte heshtja e një mjedisi të lagur nga rrjedhjet nëntokësore, që shpërndanin mijëra xixëllime të imta. Fitilat e shumtë të minave ishin përhapur në të gjithë sipërfaqen ballore të galerisë. Të varur gjer poshtë, bishtat e kobrave të llahtarshme, me kokat e fshehura nëpër të çarat e shkëmbit, e shtonin edhe më tepër atmosferën e frikshme që kishte pllakosur aty në ato çaste.
Nëse ka bërë mend të nxjerrë ndonjë llokum dinamiti të ndezur e të ma hedhë, nga plasja e saj s'ka për të shpëtuar as vet, mendoi Kadriu. Po ndofta këtij nuk i dhimbset më jeta... Thua deri aty të ketë arritur?... Do vritemi të dy. Do quhet pakujdesi në ndezje. Sa keq të vdesësh kot!...Do mendojnë në të gjithë minierën, se ishim aq të pazotë për këtë punë, sa lamë kokat këtu brenda ...
Kadriu kish filluar kontrollin në krahun e majtë, ku fitilat ishin lënë më të gjatë. Përveç dyshimit, që tashmë kishte zënë të gërmonte thellë në ndërgjegjen e tij, ky kontroll ishte domosdoshmërisht i nevojshëm dhe bëhej gjithsaherë për të siguruar një plasje të plotë të eksplozivave. Ndryshe mosplasjet bllokonin rrugën e hedhjes tutje të mineralit për plasjet e tjera dhe rendimenti do të ishte i ulët. Kësaj, brigadieri i specializuar për minat, i ruhej gjithmonë.
Qamilit iu lodh krahu dhe e kaloi llambën e karbitit në dorën tjetër. Duke kundruar shpatullat e gjera të Kadriut, qafën e tij të bëshme dhe flokët kuqalash që i dilnin nga kasketa, atij i erdhën ndërmend atë çast ca vizione dhe tinguj të largët. Qafa të bardha e të buta delesh, tringëllima këmborësh dhe mes tyre silueta e brishtë e asaj vajze të paharruar, e cila kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij. Pak nga pak galeria u mbush me cicërima zogjsh, blegërima qingjash, aromë trëndelinash dhe tingëlloi ajo e qeshura e saj kumbuese, sikur binin kokrra të verdha misri në një sahan floriri. Pastaj në veshët e tij erdhi thirrja e saj gazmore: O Qamo oreee!... O Qamo oreee!... Dhe ndjeu vrapin e saj nëpër zajet e lumit, kapi vështrimin e saj ngjyrë lumi, preku flokët e saj ngjyrë bari të thatë dhe thithi erëmimin e saj të veçantë, që ua kalonte të gjitha aromave dehëse të tokës. Mandej Qamili solli ndërmend diçka që kishte të bënte me buzët e saj të ëmbla e me shpatullat e gjera të Kadriut, mbi të cilat qëndronte një qafë mashkullore e hekurt. Dhe papritmas iu duk sikur i dolën nofullat nga vendi. Ai ndjeu një valë të nxehtë gjaku t'i vërshonte në gjoks, në duar e në këmbë, sikur t'i kishin hedhur përsipër një kazan me ujë të valuar. Befas rënkoi padashur.
Kadriu, që vërtitej me sytë katër, sa para edhe prapa, ktheu kokën atë çast dhe hetoi vështrimin e tij tepër armiqësor.
-Fole gjë?
-Jo. Mos të kanë bërë veshët. -ia ktheu Qamili me një ton të trashë, të prerë e të lodhur nga pesha e rëndë e kujtimeve tronditëse.
Atëherë Kadriu iu afrua me llambën e vet të karbitit në dorë. Dy hije të mëdha, të errëta, u përplasën në dy faqet shkëmbore të galerisë, sikur të ishin dy fantazma të frikshme që dolën befas nga fundi i dheut. Sytë e tyre u ndeshën egërsisht dhe vështrimet u ngulën te njëri-tjetri si shtiza të skuqura. Një grimë herë qëndruan të heshtur ballë për ballë. Tëmthat e njomur nga ajri i lagësht e viskoz i nëntokës u rrihnin si çekan. Ishte heshtja, që zakonisht pushton njerëzit para se të marrin një vendim përfundimtar. Sidomos aty ku ndeshej një zemërim i fortë, me një qëndresë po aq të fortë.
-Pse kërkove të vish sot me mua?
-Sepse pyete, kush vjen. -Qamili shfryu para tij një duf ajri të rëndë dhe sytë i vezulluan si rrjedhje zhive mbi shkëmbin e fytyrës së tij.
-Më urren shumë?
Qamili mezi u rimbush me frymë dhe iu duk sikur ajri i galerisë kishte shteruar papritmas. Urrejtja, zilia dhe inati ishin mbledhur kruspull në shpirtin e tij.
-Të urrej, aq sa dua të të shoh xhenaze! - dhe në sytë e tij egërshan shkreptiu tani një flakë ogurzezë. Fytyra e tij u deformua krejt nga ajo shprehje egërsie dhe marrëzie të shpërthyer prej pasionit shtazarak.
-Për xhenaze ke ardhur sot këtu?
-Po... -tha Qamili me ton të rëndë dhe pas këtyre fjalëve dëshira e fatalitetit po e pushtonte me një forcë gati të tmerrshme. Valë të nxehta emocionesh e mbuluan tërësisht. Iu ngjit në grykë një përzierje urrejtjeje dhe tërbimi që po e mbyste. Me një pasion prej të çmenduri futi dorën në xhepin e mushamasë dhe të pesë gishtat e tij të ashpër shtrënguan eksplozivin e ftohtë. Që e kishte marrë me vete kur qe kthyer te xhepi i galerisë, ku e mbante fshehur prej ditësh. I kishte lënë një fitil aq të shkurtër, sa do të mjaftonte për ta afruar te flaka e karbitit e ta fluturonte mbi gjoksin e Kadriut. Dhe ja, kishte ardhur më në fund çasti i shumëpritur. Përbuzja e fuqishme që ziente në thellësi të tij, ai zjarr i errët e idhnak, do të shpërthente tashmë bashkë me eksplozivin. Kishte përballë njeriun e gjallë, vdekjen e të cilit e kishte përfytyruar prej kohësh si të vetmin ilaç që mund t'i vihej plagës që kullonte gjak të hidhur në zemrën e tij. Ja, pra, ku ndodhej tani vetëm për vetëm me atë, që i kishte dalë nëpër ëndrra si prishësi shpirtkeq i lumturisë. Për të kishte kërkuar gjithmonë shpagim dhe tani duhej të vepronte vendosmërisht. Tjetër përfundim nuk kishte si të nxirrte. Ndjenja armiqësore ia godiste ngurrimin e çastit, si një trokitje e pandërprerë në ndërgjegje, që i kujtonte detyrën për të cilën ndodhej aty...
Ndërkohë Kadriu kishte arritur në përfundimin, se duhej bërë patjetër diçka e shpejtë. Jo për ta kundërsulmuar, po për ta zbutur egërsinë e tij.
-Çudi, -i tha me një nënqeshje të lehtë. -mua asnjëherë s'më ka shkuar ndërmend që mund të vritem nga shokët e mi të punës, se i kam ditur të tërë vëllezër...
-Mua më ke ditur me kohë që më ke hasmë. - Qamili i shqiptoi këto fjalë me një zë që të therte veshin e duke u dridhur i tëri.
-Hasmë jo. – ia ktheu Kadriu duke tundur kokën. -Si mund të merrja hasmin për të ndezur minat bashkë?
-Do më merrje një ditë…
-Do të të merrja domosdo, se ne punojmë në një brigadë, flemë në një kapanon, hamë në një kazan, pimë në një shtambë. Dhe s'kishte si të më shkonte mendja për keq...
-Pse erdha në brigadën tënde, apo se më kish marrë malli për ty?...
-Sa turp! - tha Kadriu me keqardhje të thellë. -Ke pritur kaq kohë për të shfryrë një zemërim të vjetër, duke jetuar mes nesh, si në mes të vëllezërve!...
-S'kam ardhur këtu për tu bërë vëlla me ty. -ia priti Qamili me ton përbuzës të vendosur.
-Mirë, po nuk më thua, pse kërkon të veprosh prapa krahëve të shokëve?
-S'ka pse ta marrin vesh të tërë, që të kam urryer për vdekje.
-Po kjo është pabesi!
-Më i pabesë nga unë, u tregove ti, që më bëre gjysmë njeri...
Kadriu vuri re si dridhej llamba e karbitit në dorën e minatorit të vrarë keqas në shpirt.
-E shoh e të kuptoj. -tha dhe në cepat e buzëve të tij të trasha e në krejt fytyrën u sajua një shprehje keqardhëse e sinqertë.
-Jo, jo. -shpërtheu Qamili me një duf tragjik. - Zemrën time dhe të asaj, që i mbushe me helm, ti nuk i sheh e nuk i kupton dot. - zëri i tij u drodh në fyt nga ngërçi dhe goja katrore i mbeti e hapur për t'u mbushur me ajër.
Sakaq, Kadriut iu kujtua qëndrimi i akullt i gruas së tij muajt e parë të martesës. Nofullat e shtrënguara, lagështira e përhershme e jastëkut dhe psherëtimat e gjata të gjoksit të saj, që dukej sikur ishte një kazan i thellë ku valonte vetëm dhimbja. Ai e dinte edhe vet, se ishte fajtor, që kishte dëgjuar babanë për të marrë një grua, e cila kundërshtonte aq shumë. Ajo ende nuk ishte qetësuar, edhe pse kishte lindur një fëmijë. Ky qëndrim i saj e kishte bërë jo vetëm xheloz, po edhe nervoz.
-Ke shumë të drejtë, or Qamil... Në qoftë se nuk e kuptova atëherë sefte, tani e kuptoj fare mirë. Po nuk kam si e ndreq atë që prishi mblesëria, babai im me të sajin.
-Unë të çova haber, që kishim lidhur fjalën me njëri-tjetrin, pse na hyre në mes?
-Kur erdhi haberi yt, s'kisha ç'bëja…
-Kishe, që ç’ke me të! - briti me turfullimë.
-Jo, jo, zakoni e kishte mbaruar punën e vet.
-Të thashë hiq dorë, se jam betuar e do ma paguash me kokë! -gjëmoi Qamili në kulmin e hidhërimit.
-Nuk ma mori mëndja se do shkonte puna kaq keq për një grua...
-Të thashë që s'do të të ndahem gjer në varr, se s'më del nga shpirti kurrë e keqja që më bën!...
Kadriu vështroi sytë e lëngëzuar të tjetrit dhe uli kokën për të gjetur diçka me të cilën mund ta lehtësonte brengën e tij.
-Duhet të dish, se edhe unë vuaj, po ti vuan më tepër. Po të ishe martuar, mbase nuk do vuaje kaq.
-Dasmën time ti e prishe që të mos ndreqet kurrë. - jehoi Qamili me ca tinguj të ashpër, të njëtrajtshëm dhe gjaku i buçiste në vesh e i binte në tru si topuzi i daulles së dasmës.
Kadriu bëri një lëvizje të krahut dhe largoi kasketën nga balli për t'i hapur udhë një mendimi. Arsyetoi, se në çaste tensioni tepër të ndehur, natyra e qetë njerëzore, me fjalën e goditur, mund gjej rrugën e zbutjes, në forma që asnjë përballje e fuqishme fizike nuk mund të arrij efektin e saj të rrufeshëm.
-Ore Qamil, fshati ynë ka ca vajza të mira . –i tha sikur të kishte gjetur çelësin e artë për të hapur derën e lumturisë së shokut. -Motra ime dhe shoqet e saj i pëlqejnë shumë minatorët. Pa shih mos i hysh ndonjërës në zemër ! Djalë i mirë je dhe minator i zoti, vetëm kjo urrejtje sikur ta shëmton pak shpirtin...
Qamili bëri pa vetëdije një gjest të prerë kundërshtimi me kokë.
-Jo, or, jo, për mua s’ka më grua tjetër. Unë martohem vetëm nën dhé... -në fytyrën e tij u shfaq tani një brengë fataliteti.
Atëherë Kadriu sajoi në buzët e veta një nënqeshje dhembshurie.
-Më vjen keq për ty sa nuk e them dot, po s’kam ç'bëj tjetër... A ndreqet halli yt me një hakmarrje si kjo? -pyeti sinqerisht.
-Po s'u ndreq, mu në djall le të vejë!
-Mirë atëherë, po qe se jeta jote ndreqet me vdekjen time, ja ku më ke, vramë! -tha burrërisht dhe drejtoi trupin.
Një dallgëzim i heshtur dritëhijesh të egërsuara u lëkundën mbi shkëmbinjtë ngjyrëkafe.
Qamili ia mbërtheu sytë për disa çaste i çuditur së tepërmi, që pas pendimit të thellë, kundërshtari po dorëzohej me dëshirë në duart e tij. Dhe nga kjo e papritur ndjeu sikur i krisi diçka në shtyllën kurrizore. Por iu kujtua prapë betimi i bërë para asaj që donte. Detyra që i kishte vënë vetes para se të vinte në minierë. Dhe i shkoi nëpër trup një e rrëqethur për paburrërinë e tij të vonuar.
-Do të të vras, se më ke vrarë! -shkrofëtiu në mënyrë konvulsive, me një zë të kobshëm që i doli vetvetiu dhe vetullat e tij të ngërthyera u luhatën si krahë korbi.
Kadriu këqyri me gjakftohtësi dorën e tjetrit, që u bë gati të nxjerrë nga xhepi mjetin e fshehtë me të cilin do ta sulmonte. Por ndjeu edhe një grimëz luhatjeje në vendosmërinë e tij. Ndaj dhe ngulmoi ta godasë më tej me fjalë të urta.
-U pa kjo punë, ti erdhe në brigadën time me qëllim të keq, për të bërë një krim të shëmtuar, jo në shesh të burrave, po prapa shpinës së shokëve. Nejse, pa hë tani, vraje shokun e punës dhe kënaqu me një turp të tillë. Shokët e brigadës do të të puthin në ballë për këtë lloj trimërie që nuk ta kanë njohur! - tha kështu dhe ia nguli sytë thellë për të kapur çdo lëvizje të krahut të tij e për ta shmangur qysh në ajër mjetin e mundshëm vdekjeprurës.
Qamili i kishte bërë të gjitha gatitjet dhe i kishte thënë të tëra fjalët si në ëndërr. Por tani u përmend, sikur të zgjohej nga një gjumë i thellë. Fjalët e Kadriut ia goditën egërsinë çuditërisht. Më në fund shigjeta e hollë e voltazhit të ngritur, që kish filluar të lëkundej midis vullnetit të tensionuar për ta vrarë dhe rënies në pendim, anoi mjaft në drejtim të krahut zbritës. Ai ndjeu befas një dhimbje ngulmuese, që i theri përbrenda dhe dora i ngriu. Gishtat iu mpinë, iu ngjitën të gjithë bashkë dhe i mbetën në xhep, si një copë bluashkë e thatë. Papritmas poshtë supit të tij kishte vdekur gjithçka. Muskujt i ishin bërë të flashkët, si sfungjer.
Ç'të ishte kjo gjë që i ndodhi tani në çastin e shumëpritur ? Frikë?... Jo. Ai i kishte marrë parasysh të gjitha pasojat. Po atëherë çfarë tjetër ishte ajo që i kishte hyrë kaq thellë në trup dhe e kishte zbutur pak nga pak e pakuptuar të gjithë qenien e tij?
Ai hodhi sytë padashur dhe ndeshi në atë vështrimin e qetë, të dhëmbshur e paqësor, me të cilin e priste Kadriu sulmin e tij...
Nuk e vras dot jo!...tha Qamili me vete dhe uli sytë përtokë. Jo! gati sa s'thirri me zë. Fjalët jehuan përbrenda, në murin e marrëzisë së tij dhe befas e mbuluan djersë të përvëluara. Ndikimi i karakterit të çuditshëm të Kadriut dhe rrethi i gjerë i shokëve të brigadës kishin qenë shumë më të fortë nga vendosmëria shkëmbore e karakterit të tij. Tani po e ndjente plotësisht, se të ngrinte dorën kundër këtij njeriu, ishte njësoj si ta ngrinte kundër shokëve e vetvetes. Dhe djersët pak nga pak iu bënë krejt të ftohta.
Kadriu e kuptoi të gjithë përmbysjen që po ndodhte përbrenda njeriut të egërsuar aty përballë. Ai vështroi një grimë nga fitilat që i vareshin shkëmbit, si rropullitë e copëtuara të një vigani dhe u kthye vrullshëm.
-O, u vonuam shumë Qamil! -tha me një ton miqësor, sikur midis tyre të mos kishte ndodhur asgjë. – Shokët po rrinë pa punë!...
Qamili kishte kujtuar, se me ardhjen e tij në brigadën e Kadriut, thikat e tyre do të qëndronin majë më majë. Mirëpo nuk kishte qenë ashtu. Që ditën e parë ai i qe afruar aq miqësisht, sa askush nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë. E habitshme ishte edhe ajo keqardhja e tij pak më parë, kur i kishte hedhur fjalën për të motrën dhe shoqet e saj? Ç'ishte ai shpirt që fliste ashtu? Ç'e kishte atë zemër aq të ngrohtë për të gjithë shokët? Ndante cigaret, bukën, mollët që sillte të hënën nga shtëpia..Jo, jo, ai vet nuk e kishte kurrë shpirtin dhe zemrën e Kadriut. Ndjeu thellë diferencën e madhe që kishte me atë njeri të mirë dhe, sikur të shihej në pasqyrën përballë, iu duk vetja shumë i shëmtuar...
Si desha ta vras pak më parë këtë njeri? –mendoi i kthjelluar. Ndofta kam qenë në një ëndërr të keqe. Po ta kisha vrarë atë, do kisha vrarë të gjithë minatorët, që e duan aq shumë. Do kisha vrarë Zenunin xhanan, që me shakatë e tij të kripura s'i ndahet kurrë Kadriut dhe lë kokën për mua... Tani iu duk vetja fare i ulët dhe i erdhi vërtet turp, që ndodhej aty, larg tyre, për të vepruar prapa shpinës së shokëve. Befas gremisi kokën aq, sa mjekra iu ngul në gjoks dhe mbeti si një kërcu, në degën e thatë të të cilit ishte varur llamba e karbitit, e cila lëshonte një dritë të dobët, pothuajse si drita e një ylli.
Kadriu a pa fare qartë, se me atë paqen e fjalëve të veta e kishte fituar duelin dhe mendoi ta zbusë egërsinë e kundërshtarit deri në çarmatosjen e plotë të shpirtit të tij.
-Po filloj ndezjen! -urdhëroi me tonin e njohur të brigadierit. - Tani ne të dy, o Qamil, do vrasim shkëmbin e madh të mineralit, që të na gëzohen shokët, se ata kanë shumë fëmijë dhe në këtë fund pesëmbëdhjetëditëshi presin nga ne të dy. Ti vështro fitilat, mos na mbetet ndonjëri pa zjarr!
Qamili nuk u përgjigj fare. Së fundi u godit keqas në zemër. Ndiqte me sy prej fajtori lëvizjet e matura të Kadriut, qëndrimi i të cilit, para atij kërcënimi të rrezikshëm, e kishte lënë fare pa mend dhe filloi të mendonte i përqendruar. Vdekja për atë njeri s'kishte qenë kurrgjë. Më shumë se vdekja, atë e shqetësonte puna dhe hallet familjare të shokëve. I pushtuar nga ajo rënie shpirtërore e beftë, për shkak të asaj pozite të pazakonshme në të cilën ndodhej në ato çaste, me një pamje të pikëlluar, i lodhur, i qullur nga djersët dhe krejt i dërrmuar moralisht, ai ndjeu, se do të dëshironte shumë të ishte në rolin e Kadriut, nga fillimi në fund të kësaj ngjarjeje, që kishte ndodhur midis tyre në thellësi të galerisë.
Kadriu ndezi fitilin e parë, që ishte më i gjati nga të tërë, me një qetësi, gjakftohtësi e shkathtësi, që tregonin për një sistem nervor po aq të fortë, sa edhe objekti i gurtë mbi të cilin vepronte. Një vërshëllimë shurdhuese tymi zuri të përdridhej me shpejtësi, duke iu ngjitur shkëmbit përpjetë. Pastaj fitilin e dytë, të tretin e me radhë. Tani mbi shkëmbin e lagur kobrat e llahtarshme zunë të këndojnë në një kor të përbashkët, shkatërrimtar. Pas pak, krismat e tyre të tmerrshme do të shndërronin gjithçka në pluhur.
Qamili ua kishte qepur sytë bishtave të tyre të varur, që vërtiteshin gjithë zemërim, duke u tërhequr me shpejtësi përbrenda foleve të shkëmbit të nëndheshëm.
Kadriu bëri ndezjen e fundit dhe thirri me gjëmim:
-Nisu !. -duke u matur të vraponte edhe vet.
-Këtu! -klithi Qamili me një zë gati metalik dhe drejtoi gishtin ku një fitil kishte mbetur i shuar mu në mes të shkëmbit e mund të pengonte shkërmoqjen e mineralit.
-Ik shpejt! -ulëriu Kadriu me shumë forcë kësaj here dhe vet u kthye për të ndezur atë fitil, që u shfaq papritmas me gjithë rrezikun që përmbante pamja e tij e heshtur.
Qamili vrapoi në brendësi të galerisë, për të hyrë te xhepi i caktuar për strehim. Por s'kishte bërë as pesëmbëdhjetë hapa, kur u dëgjua një gjëmim shurdhues i atillë që, në atë distancë të mbyllur, u duk sikur krisi e u thye vet boshti i tokës. Shkulmi i ajrit, që shkaktoi shpërthimi i eksplozivit të parë, i dha Qamilit një shtytje aq të fuqishme, sa e bëri të kërcej padashur disa hapa përpara. Ai ktheu kokën pas rrëmbyeshëm, i pushtuar nga një tmerr i papritur dhe përmes tymit dalloi Kadriun, që vraponte duke u lëkundur. Por pas disa hapave të zvarritur ai ra përtokë.
Qamilit iu rrëqeth lëkura e kokës. Në çast u kthye me turravrap vetëtime dhe arriti menjëherë pranë tij.
-Ik, shpëto për vete! -ushtoi nëpër tym zëri i plagosur i brigadierit, që kishte mbetur përmbys.
Por sakaq Qamili e mbërtheu me të dy krahët e vet të fuqishëm, e ngriti peshë dhe u turr tutje. E gjithë kjo ndodhi për pak sekonda. Pastaj plasi eksplozivi i dytë, i tretë e me radhë. Krismat e tyre e mbushën hapësirën e galerisë me gurë, gazra dhe tym të errët. Ndërsa mbante shtrënguar me të dy krahët Kadriun dhe vraponte për ta nxjerrë nga lëmshi i shpërthimeve të njëpasnjëshme, befas ndjeu diçka të fortë që e goditi në shpinën e tij të kërrusur nga pesha. Ishte një goditje e gurtë, që e bëri të dridhet deri në fund të këmbëve dhe iu duk sikur iu shkallmua tërë trupi. Ai bëri edhe një hap të luhatur dhe ra me gjithë peshën e rëndë që mbante në duar.
Sikur për çudi, të ndodhej ato çaste aty nën tokë një fotograf, që të fiksonte pamjen e dy burrave të përqafuar padashur, do të bënte të habiteshin pa masë edhe ata vet kur ta shihnin. Thjesht për faktin, se si pak më parë ata mund të ishin vrarë me njëri-tjetrin fare kot. Kur në të vërtetë, puna e rëndë, lodhja dhe rreziqet e minierës i kishin destinuar për tu dashur fort, deri te ky përqafim vëllazëror.
Minat kishin shpërthyer të tëra dhe te hyrja e galerisë minatorët kishin numëruar plasjet me radhë. Kur vonesa e atyre të dyve u duk se zgjati tepër e po bëhej e dyshimtë, ata e lanë diellin e ngrohtë, të mbetej si një medaljon i artë i varur mbi harkun prej betoni të hyrjes. Dhe me ndjesinë e papritur të thirrjes që u bënte një rrezik i beftë, u lëshuan të gjithë brenda duke fuguar.
Sakaq, Kadriu i plagosur ishte shkëputur nga krahët e kontraktuar të Qamilit. Me gjithë gjurin dhe njërin krah të gjakosur, ai po rrekej ta sillte në vete minatorin që kishte humbur ndjenjat.
Në çastin kur u përmend, Qamili pa rreth vetes gjithë brigadën që priste në ankth. Pa Zenunin me fytyrën tejet të tronditur. Dhe ndërsa ndeshi në buzëqeshjen mirënjohëse të Kadriut, një pikë loti i njomi padashur qepallat e zeza. I çliruar nga tërë ajo peshë e rëndë shpirtërore, sytë e tij të përvuajtur u sollën disa herë përqark me një shkëlqim të veçantë respekti dhe dukeshin sikur thoshin: "Zemra ime ishte gur, por ju më keni bërë tjetër njeri..."
Tani tymi i ngjeshur i minave, duke kaluar si një re e murrme mbi fytyrat e çelura të minatorëve, po vraponte drejt daljes së galerisë. Ajri i keq zuri të pastrohej me shpejtësi, duke ia lënë vendin vërshimit të furishëm të oksigjenit, që ishte aq i nevojshëm për mushkëritë e pluhurosura të njerëzve të nëntokës. Po ndodhte frymëmarrja madhështore e thellësive të dheut.