SHPIRTRAT E PYJEVE

Kam një pyll shushuritës
brenda shpirtit tim të lashtë,
që më ushton furishëm
si në verë dhe në dimër.
Tallazet m’i shkaktojnë
Erërat e serta nga jashtë,
që godasin flladet e gëzimit
me furtuna të dhimbjes.

Ahishtet dhe bredhat
ku më koloviten muzat,
kanë zënë të blerojnë,
qëkur zura miqësi
me shpirtrat e mëdhenj të pyjeve.
Zogjtë në ballkonet e foleve lirike,
qajnë dhe këndojë
si në korin e dramave
dhe tragjedive antike.

Era fshin mes drurëve në reshta,
gjethet e rëna të mendimeve
dhe tund fenerin e Hënës
mbi kurorat e blerta të vjershave.
Degët e vargjeve në luhatje,
pastrojnë rrezet e frymëzimeve
nga retë e pista që ndotin
qiellin e shpresave.

Rënkon pareshtur pylli im,
Nga shtrëngatat e qeverimeve.
Por egërsirat e zemërimit
dhe të hakmarrjes së etërve,
i vranë gjahtarët komunistë
me hekurat e burgimeve.
Mua më kanë mbetur vetëm
kunadhet e heshtjes,
në guvat e qeta të gjetheve.

Zhgënjimi kronik për të gjetur
nga thatësira shpëtim,
zgjati nëpër dekada premtimesh
me gënjeshtra tretur.
Pylli im rënkon e vajton
duke pritur me dëshpërim,
fatin e shpirtrave të  mëdhenj
të pyjeve të vdekur.

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145