SIAMEZJA SHPIRTËRORE

Kur artistët prindër gdhendën me pasion
skulpturën e gjallë të këtij trupit tënd,
besoj nuk menduan se femra që verbon,
mund t’i linte meshkujt tërësisht pa mend...
Ky vështrim i syve me rrezatim të shenjt,
ditën sjell aroma nga lulet dhe pyjet,
netëve me eros më josh e më deh krejt
derisa ndjehem fllad e filloj flas me yjet.
Buza, gusha, gjoksi, nektari i hojës,
sa nisin të ndezin një puthje të shpuzët,
tjetra i fryn prushit që fle brenda gojës
dhe hovi i zjarrit flakëron te buzët.
Nuk është ndoshta mishi trazimtar,
që më jep etjen e diellit mbi dete,
por lumi i thellë i shpirtit me valë,
që më fundos brenda dhe sërish kam etje...
Mos më ndaj nga prehri me dallgë ekstaze,
se më thahet zemra, o moj shpirtushe!
Ti kthehu drejt meje, dhe pulsomë taze,
të më vijë gjaku prapë në barkushe.
Dy siamezët njihen si një rast përjashtim,
fenomen anomalie, i trupave të ngjitur;
Ashtu të paça ty, ngjitur me shpirtin tim,
o siamezja ime, fenomen nga qielli zbritur! 

 


Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145