SKLLEVËRIT E MIJËVJEÇARIT TË TRETË

Kush tha se ka vdekur përgjithmonë skllavëria
me agimin e Lirisë së Njeriut në Konventë?
Ajo rron dhe do vazhdojë në vite me mijëra,
kur ka skllevër të urtë si në mijëvjeçarin e tretë.

Vajza studente me trupin si ngjala e Vivarit,
detyrohet me kofshët e saj prej ajri dhe drite,
të kënaqë epshet e pështira të plak pronarit,
ndryshe nuk diplomohet pa rrogën pasdite.

Adoleshentja pret stinën të çelë petalin e vajzërisë,
po kur nuk arrin mesataren e lartë të maturës,
pranon t’ia shpupurisë gonxhen profesori pis,
ndryshe të drejtë studimi nuk fiton kurrën e kurrës.

Femra e re nga Veriu gjer në Jug të kontinentit,
pas ecejakeve me gotat dhe pjatat e çdo tryeze,
mund ta lërë përparësen e kamerieres së klientit,
po nuk dhuroi te aneksi gjoksin e shijshëm për meze.

Sekretarja me fundin rrëzë kofshëve të rrumbullta,
pasi të ngrihet nga kolltuku i kompjuterit të zyrës.
po kundërshtoi t’i ulet shefit në prehrin me gunga,
mund të riveshë fustanin e zhubrosur të amvisës.

Nëpunësi i fyer e poshtëruar nga titullari arrogant,
për një vonesë të vogël e pasaktësi në dokumente,
ngaqë e ka të vështirë të gjejë vend tjetër vakant,
duron gjithçka skllavërisht e përulet me buzëqeshje.

Shoferi i pronarit e ministrit me pushtet autoritar,
shpie gratë në punë, fëmijët në kopshte e shkolla,
mbush bagazhin me qeskat ushqimesh në pazar,
sepse po s’u bë shërbëtor, bëhet hamall në furgona.

Punëtori pranon djersitjet suplementare pa pagesë,
të punojë për vilat e zyrtarëve deri në orët e vona,
të mos dalë tellall ditë të tëra punën të thërresë,
te “Partizani i Panjohur” apo te sheshi ”Omonia”

Kush tha se ka vdekur përgjithmonë skllavëria
me agimin e Lirisë së Njeriut në Konventë?
Ajo rron dhe do vazhdojë në vite me mijëra,
kur ka skllevër të urtë si në mijëvjeçarin e tretë.

 

Contact

Krijimtariaime

Vullnet Mato
Rr. Ali Baushi
Pallati 3 shk.7 ap.66
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 236 5201
Cel: 069 2275145