MESAZHET E NJË PROFILI POETIK BEFASUES

Hyqmet Hasko

MESAZHET E NJË PROFILI POETIK BEFASUES

(Rreth librit voluminoz “Poezi të zgjedhura” të poetit Vullnet Mato)
 
 

        Emri i njeriut të njohur të letrave shqipe, Vullnet Mato ka rreth pesëdhjetë vjet që udhëton në shpirtin e disa breza lexuesish, qoftë si romacier, qoftë si poet apo kritik arti dhe eseist, duke na përcjellë një lëndë të pasur jetësore dhe një filozofi po aq të pasur, të përpunuar me shije të hollë artistike, mbresëlënëse në kuptimin e risive që sjell në kohën dhe hapësirën e botës shqiptare dhe më gjerë.
        Përmbledhja e fundit voluminoze “Poezi të zgjedhura”, ku janë përfshirë poezitë e tij më të mira, të shkruara e të botuara, që nga vëllimi i tij i parë “Tinguj malesh”, botuar më 1969 e deri tek poezitë e shkruara gjatë këtyre kohëve të fundit, ku shtrihet një distancë kohore që përmbledh kurbat në ngjitje të poetit, deri tek lartësitë e një poeti, pse jo, të shquar, emrin e të cilit, të rinjtë dhe dashamirësit e Fterrës, vendlindjes së Vullnetit, e kanë gdhendur në faqet e malit të origjinës së tij, në shenjë krenarie e mirënjohje, për artin poetik dhe artin e letrave në përgjithësi të birit dhe bashkëqytetarit të tyre.    
Ky libër hapet me poezinë domethënëse “Letër nënës” (mbetur pa botuar për shkak të censurës qysh para dyzet vjetësh), ku poeti derdh një ujëvarë shpirti të përmalluar, me një dashuri gati hyjnore për atë që i ka bërë kokën dhe nga e cila e kanë ndarë me përdhunë (“tok me një gotë me lot të mbushur për ty”) vrasësit e gjithçkaje, artikuluesit e ndarjeve dhe mallkimeve të një kohe të pa kohë. Është një poezi e përmasave antologjike botërore, me një pasuri të jashtëzakonshme ndjenjash dhe përjetimesh, me një spontanitet dhe denduri mesazhi jetësor, ndërtuar mbi një figuracion të pasur dhe stilistikë poetike brilante. Kjo poezi ka spiritualitet, transhendencë, jetë të gjallë, ndjesi të thella dhe të përjetshme, që asnjë lloj kohe, sado globale dhe integruese, veshur me petka moderniteti etj., nuk mund t’i zëvendësojë dhe t’i kalkulojë…

        Nga vëllim në vëllim, ndihet rritja e poetit, zgjerimi i konfigurimeve të tij poetike, pasurimi i figurës dhe zhdërvjelltësimi i mesazhit, kodifikimi i tekstit dhe përparësia ndaj nëntekstit, si një çelës për shpalimet e unit dhe të raporteve të tij me kohën dhe bashkëkohësit.
        Strukturimi konceptual, brendësor, përmbajtësor dhe formal i aktit poetik të Vullnet Matos përmbledh vizatime me dorë të lirë të një peizazhi me ngjyra dhe spektre të larmishme jetësore, si gjendje, kujtesa, impresione, përqasje në kohë dhe hapësirë, abstragime metafizike dhe trandenshale etj. Mato nuk sajon, por shpreh lirshëm dhe me kurba të përndezura poetike realitete nën ujë, të tipit të ajsbergut, duke lënë shumë gjëra të nënkuptuara, çfarë e rrit në mënyrë befasuese peshën specifike të aktit të tij poetik.  
        Mato i kundron thellë dhe jo në mënyrë të sipërfaqshme objektet e pasqyrimit poetik, zhytet në aventurën shkrimore me shpirt dhe pasion, duke u identifikuar vetë uni i tij me gjithë jashtësinë e elementëve që e përbëjnë dhe me të cilat ai hyn në marrëdhënie dhe korrelacion reciprok.
Ai nuk resht së gjurmuari lëndën poetike, pikat kulmore të saj, përkimet me botën etike, filozofike, humane, me mesazhet dhe kredot që ai përcjell, duke shkrirë në një realitetin jetësor dhe filozofiko-etik me atë estetik.     

        Mato operon me gjendje të dalldisura poetike, pra duket se ulet të shkruajë jo duke “shtërzuar”, siç bëjnë shumë poetë, që shkruajnë se duhet shkruar dhe jo kur nuk munden dot të mbajnë në shpirt vullkanin që iu vlon, siç bën dhe Mato, i cili duket se shkruan poezi kur nuk mundet më që të mbajë brenda tij shqetësimet, kujtesat, përjetimet, botën emocionale, që e shpie në kërkime strukturash, ritmesh dhe trajtash poetike të gjetura, të freskëta e gjithë sharm e lëng jete, duke na dehur me ankthin, dyzimin, romantikën, kumtet dhe mesazhet që mbartin dhe përcjellin vargjet e tij.       
Në këtë udhëtim të gjatë poetik, na ndjek bashkë me vargjet e goditura të poetit, “Saranda… e bukura e dheut të artë”, “pyjet e Sopotit”,” vajtimi i ciganes”, “Egnatia”, “Zef Serembes” etj, një parakalim trajtash, gjendjesh, figurash, imazhezh, strukturash poetike, të ndërtuara me elegancë dhe në mënyrë të natyrshme.

        Nga pesë vëllime poetike dhe nga një sërë poezish të përmbledhura nga krijimtaria e viteve të fundit të Matos, duket se lëvrin një gjeografi e thyer me relieve dhimbjesh e plagësh, një botë e përndezur, sa romantike e idilike, aq dhe dramatike e tragjike, siç është jeta e një brezi të keqkuptuar, të ndaluar e të persekutuar siç ishte brezi i Matos, ata që, në një mënyrë apo një tjetër, dolën nga sinoret e soc-realizmit dhe shkruan sipas mënyrës së tyre, siç iu thoshte shpirti dhe zemra.
        Qashtërsia dhe sponataniteti, të shoqëruar me një lirizëm të hollë dhe me një figuracion të ngjeshur, plot befasime, janë tiparet më të qenësishme të artit poetik të Matos. Antiteza, kontrapunti, metaforat e goditura mbajnë gjallë një arkitekturë poetike rrezatuese dhe përcjellëse të një dendurie mesazhezh dhe emocioni njerëzor.
            “Nuk  e kuptova pse u magjeps ajo vajzë prej meje,
            Dhe ndoshta nuk kam për ta kuptuar asnjëherë.
            Ç’priste nga një fytyrë dimri me flokë reje,
            Ajo fytyrë engjëlli me trupin lastar në pranverë? “

        Vizatime të tilla, si ky, që shkëputëm nga njëra nga poezitë më të bukura të kësaj përmbledhje “Vajza engjëllore e unazës” janë të shumta dhe përbëjnë vetë profilin poetik të poetit, një profil i gdhendur me daltën e detajeve të holla e fine dhe guximit poetic, për t’iu shkuar deri në fund të vërtetave jetësore, duke ngritur ato në majat e artit poetik.
        Atmosfera në poezitë e Matos duket e përndezur dhe sharmante, jo vetëm për shkak të tematikës që merr shkas nga gjërat jetësore që e rrethojnë, jo vetëm për shkak të emocioneve të përbashkëta që autori përçon midis tij dhe lexuesit, por dhe për shkak të temporitmit, të shkrirjes në një të elementëve të formës dhe përmbajtjes, si dhe të motivimeve më të thella psikoanalitike të aktit poetik.
Niçja thotë: “Njerëzit e vërtetë lidhen midis tyre me anë të ëndrrave të përbashkëta”.   Mato lidhet me të tjerët, me lexuesit dhe kritikën, me anë të sinqeritetit poetik, fuqisë së fjalës dhe mendimit, freskisë së figurës, dendurisë së mesazheve, kalkulimeve gati logaritmike që ai i bën botës së njeriut, raporteve me unin dhe tej-unin, raporteve mes poetit si qenie humane me pjesën tjetër të shoqërisë, e cila sipas tij, ka nevojë të poetizohet më shumë dhe të bëhet më e ndjeshme ndaj botës së njeriut, ndaj ndjenjave dhe kujtesave të tij.

        Mund të flisnim gjatë për modernitetin, fleksibilitetin, figuracionin e pasur, ndjeshmërinë e hollë, sensin vetëkritik të dukurive dhe fenomeneve poetike që merr në shqyrtim Mato, por të gjitha këto janë vetëm një pjesë e ajsbergut të tij poetik.
        Poezi të tilla si “Mikeshat e mia nëpër botë”, “Të pres në të gjitha ditënetët”, “Bukuroshja ime”, “Kur zemra krijon zemrën”, “Siamezja shpirtërore”, “Përjetësia e bukurisë”, “Fluturimi me kalë të bardhë”, “Përjetësia femërore”, “Loti i gruas trishton jetën”, etj. janë poezi që, edhe pasi ka kaluar shumë kohë që i ke lexuar, ke dëshirë t’iu rikthehesh, t’i rilexosh, për të gjetur emocione të reja dhe për të kuptuar, se poezia e vërtetë, sa herë që e lexon, ndihet, përjetohet dhe zbulohet në një kënd të ri, në një optikë të re.
        Udhëtimi i Matos është një rrugëtim i bukur dhe i vështirë, një udhëtim ku ai nxjerr në pah dhe evidenton një sistem vlerash, që përbëjnë jo vetëm individualitetin e tij si poet dhe si krijues, por dhe tipraret më esenciale të poezisë së re, të poezisë moderne shqipe.
        Libri  voluminoz “Poezi të zgjedhura” i poetit Vullnet Mato e prezanton të plotë profilin krijues të poetit dhe është një nga librat më të mirë me poezi të botuar këto kohët e fundit në Shqipëri, në këtë kohë prurjesh të shumta, po, ku herë - herë, duket se ka dhe perla, si poezitë e kësaj përmbledhje, që të ftojnë të shijosh magjinë e artit poetik, magjinë e një bote, oferta e të cilës është dashuria, dashuria pa asnjë kusht dhe kushtëzim, me të cilën identifikohet çdo poet i vërtetë dhe çdo poezi e vërtetë.