AGJENSIONI FLORIPRES:    PORTRETI POETIK I VULLNET MATOS

Agjencioni Floripress i muajit prill 2011 që mund ta klikoni në linkun e më poshtëm, shkruan:
https://floripress.blogspot.com/2011/04/portreti-poetik-i-vullnet-matos.html

 

PORTRETI POETIK I VULLNET MATOS

Poeti Vullnet Mato, me vëllimin e tij përmbledhës “Poezi të zgjedhura” paraqitet para lexuesve dhe ekspertëve të kësaj fushe me një portret poetik të lakmuar. Ai bën pjesë në elitën artistike të vëndit që i gdhend vargjet në gurë, duke lënë pas sinjale e shenja të pashlyeshme.
Në këtë aspekt është simbolik dhe i veçantë veprimi i të rinjve lexues të vendorigjinës së poetit, Fterrës të cilët skalitën në faqen e malit e mrin e tij, duke u bërë kështu të vetmit në vend e ndoshta nga të rrallët në botë që në gur nuk gdhendin emra diktatorësh, por emra poetësh.
Me dhjetra e qindra janë vlerësimet pozitive të bëra në shtyp e internet nga lexues dhe krijues nga cepa të ndryshëm të botës për poezinë e poetit Vullnet Mato. Më kanë bërë përshtypje disa nga cilësimet më pikante të cilat i qëmtova dhe i rendita më poshtë:
“ Jam mrekulluar nga kjo poezi…një poezi e mrekullueshme… gjërat e trishta thuhen me një gaz të brendshëm që të bën të mendosh… ju rrëfeni me fjalën tuaj të artë… thesari yt poetik është i mbushur me diamante e xhevahire… urime për vargëzimin tuaj meditues e sugjerues… më emocionon poezia juaj… e tjera.
Ai që e lexon me kujdes dhe dashamirësi vëllimin “Poezi të zgjedhura” bindet se vlerësimet janë reale dhe të sinqerta, ndërsa shton me bindje se Vullnet Mato është poet me kuptimin e plotë të fjalës, sepse shfaqet si mjeshtër i saj në tematikë, në figuracion, në metrikë, e në
mesazhet që transmeton.
Poetin e shqetësojnë ato që ndodhin brenda vetes, rreth vetes e tej vetes, ato të shteteve e kontinenteve, ato të Tokës dhe të yjeve. Pra, gjerësia tematike e poezisë së tij është shumëformëshe, e pasur, e larmishme, vetiake dhe universale. Si në një kredo të vërtetë atdhetarie e krenarie ai i drejtohet popullit të tij: “Populli im është si malet që nuk sheshohen kurrë!” Mandej shton tiparet e bashkeatdhetarëve heroikë e autoktonë duke përdorur fjalë të mirëfillta kompozita: ” milionadallgësh – zakonebukur – shkëmbngulur.”
Poezia e Vullnet Matos flet për fëmijën e yjet, për lulen e plugun, për lumin e kirurgun, për Krishtin e Muhametin, për mollën e pulëbardhat, për pafundësinë dhe zhgënjimet e kështu me radhë deri në pafundësi detajesh.
Unë do të doja të theksoja se tek vellimi poetik: “Poezi të zgjedhura” spikat dukshëm simbolika e tri “F”- ve, të cilat me çiltërsi, por dhe me nëntekst, japin të gjallë e të plotë FËMIJËRINË, FEMRËN, FTERRËN.
Për fëmijërinë shprehet malli pakufi i poetit si i çdo qenie njerëzore, për atë stad të jetës si dhe dëshira utopike për rikthimin e ëndërruar të saj: “Atëherë dëshiroja të vetmen lumturi,/ të bëhesha i madh sa më shpejt./ Tani thërres me nostalgji:/ Eja dhe një herë o fëmijëri e shtrenjtë !”
Kujtimet për shtëpinë e prindërve janë të gjalla e nostalgjike. Ato shprehen me detaje mbreslënëse tek vetëdija dhe nënvetëdija e poetit: shkallët e vjetra, fiku si gjysh, ulliri me rrudha të hirta, nëna e babai që s’janë më, vëllezërit me nuset e fëmijët si drita etj. E ndërtuar në formën e enumeracionit poetik, poezia të mbetet në kujtesë se të zakonshmen, njerëzoren, të malluarën, ai e shpreh me art të goditur, me figura të qëmtuara mirë. Atë e ka përherë me vete, se s’mund të rrijë dot pa ata elemente me të cilët është mësuar qysh në fëmijëri: “pa thithur aromën e cfakës së çelur… pa zërin e mëllenjës… pa fikdetin e pjekur…pa dafinën erëmirë… “
Femra është brinja e dytë e trekëndëshit të simbolikës së “F”-ve. Ajo jepet shumëformëshe, por në të gjitha pamjet që shfaqet pozitiviteti i saj: herë si mike e motër, herë si e dashur e grua, herë si motër e shoqe. Femra jepet si jë qenie sublime e adhuruar, e lakmuar, e respektuar: “Dhe të shtatë ditët e javës /më kujtojnë ty që të dua…/ Pa ty jeta më kalon në akullnajën e ftohtë…/thonë se dashuria e parë rizgjohet/ ndaj ika me kujdes si nga nje vend iI minuar”
Sipas poetit Vullnet Mato, femra të transformon, të zbut, e të lumturon: “Unë isha Saturni i nënzeros së ftohtë/ Ardhja jote ishte afrimi i diellit rrezeshkrirës…
Autori përsërit, por shpe dhe më tej konceptin gjithëkohor të bukurisë femërore si objekt frymëzimi për artistët e të gjitha arteve, për poezinë e pikturën, për muzikën e skulpturën:“Beatriçja, Dea, Kleopatra apo Helena/ vunë në punë penat e daltat skalitëse/ të bukurisë mahnitëse…
Trekëndëshi simbolik mbyllet me ‘F”-në e tretë, atë të vendorigjinës së fisit, Fterrës, së dëshiruar e të adhuruar si një nënëmadhe, kompozitë e cila zë fill që në titull të poemës për këtë fshat. Poeti e personifikon këtë vendbanim në trajtën e një gjallese të veçantë e të adhuruar, krijon raportin e njohur bir-nënë duke e njësuar në një qenie: “ I puth dorën e shkëmbtë,/duke mbështetur kokën te prehri i saj i ngrohtë…”
Biri i malluar kujton nënës së adhuruar malin, bregun, shkëmbin, lëndinën, zogjtë e gjithçka që e ka skalitur brenda vetedijes që nga koha e fëmijërisë. Janë vargje të rrallë që një bir i talentuar ia kushton nënë së malluar.
Në përfindim të këtij vëshjtrimi të shkurtër për portretin poetik të Vullnet Matos, me lejoni të them në emrin e të gjithë dashamirësve të vargjeve të tij: “Shendet të bardhë e penë të mbarë POET !” Vazhdo të gdhendësh vargje në gur shumë e më shumë ! Urime të sinqerta !”

Raimonda Moisiu