BAXHANAKU QË DONTE TË MË VRISTE

Tregim

 

Thuhet rëndom, se kush përdor alkol rregullisht gjatë regjimit ditor, vdes shpejt. Baxhanaku im, Marko, këto ditë mbushi nëntëdhjetë vjeç dhe u ngjit në këtë lartësi moshe, me këmbë dreri, me sy skifteri, me duar banakieri. Ai po i afrohet shekullit, megjithëse në profesioni e tij jetësor, si banakier, mund të ketë pirë afërsisht nëntëdhjete fuçi birrë, shumë arka me fërnet, konjak e sidomos damixhana të tërë me vodka, pije kjo, tejet e preferuar nga pijetarët korçarë. Pra, baxhanaku im terjaqi i gotës, ka sfiduar të gjithë mjekët dhe dietologët e botës.

Ai ka një djalë dhe një vajzë, të cilët i kanë dhuruar katër mbesa. Sa ishin të vogla, kishte qejf t’i vinte në gjumë në pëqirin e tij, duke i përkëdhelur, derisa i shurronin prehrin. Kur u rritën mbesat e ëmbla, vajzës së tij mjeke dhe djalit, elektroteknik, u doli “llotaria amerikane” njërit pas tjetrit. Pas tekave të këtij fati të  çuditshëm, tashmë gjyshi mbeti fillikat në apartamentin e madh, vetëm me gjyshen. Mbeti i varur te muskujt e vet të flashkur, për të zbritur e ngjitur katin e pestë, disa herë në ditë, me çantat e rënda ushqyese në të dy duart.

Baxhanaku im, i dalë tashmë në pension, gati sa nuk u çmend nga mërzia dhe malli. Katër vjet rresht, pagoi disa qindra dollarë në ambasadën amerikane, ku i dështonin vizat për të shkuar në Amerikë. Më së fundi arriti të bëjë bashkim familjar dhe shkoi pranë tyre në rrethinat e Çikagos.

Jeta e mbyllur në shtëpinë prej druri të kontinentit të largët, ku ditën njerëzit shkonin në punë, jashtë gumëzhinin veturat dhe s’dukej njeri duke ecur në këmbë, e trishtuan shumë. Sidomos mungesa e shokëve hokatarë të gotave dhe gjuha e huaj, ku po i zinte goja myk për të folur me dikë shqip, bënë që faqekuqi pas disa muajve, të zverdhej si i sëmurur nga malaria. Aq sa, shpesh psherëtinte me vete: Eh, ku je moj, Korçë, të pifsha dollinë!... Po me se t’ia pinte, ku t’ia pinte dhe kush ta shoqëronte në rrokullisjen e gotës së atij uiskit, të pakëndshëm për shijen e tij të stërvitur me pije shqiptare?...

Unë personalisht, e kam adhuruar atë njeri me shpirt të rrallë, gjatë gjithë kohës, qëkur kam marrë për grua kunatën e tij. Ai njeri gazmon përbrenda, kur u dhuron të tjerëve diçka nga vetja. Dhe mrekullohet kur në tryezën përballë teje, ta mbush gotën me pije për herë të dytë. Në gjendjen shpirtërore, ku kishte arritur mosha e tij e mbyllur nga vetmia, ai më mori në telefon:

-Alo, baxhua im i vogël, u çmenda këtu në Amerikë, jam ligur shumë nga trupi e nga shpirti, jam tharë si kleçkë!... Dua të kthehem në Korçë, si më thua ti?...

- Baxhanaku im babaxhan, të thashë qëkur ike, se ti je një pemë e vjetër me degë të mëdha, po u shkule nga fusha e Korçës, ku je mbjellë prej një shekulli, nuk do lëshosh dot rrënjë në dheun e atij kontinenti të madh dhe do thahesh para kohe...

- Ma the o Baxho, ma the dhe shumë mirë ma the, po nuk të dëgjova, se më tërhiqte për mënge kjo plaka ime e mallosur për mbesat. Po tani që ato janë bërë për tu martuar, edhe plaka e ka të hallakatur mendjen...

Kështu baxhanaku im, Marko, u kthye përkohësisht bashkë me plakën në Korçë dhe pasi mbushi mushkëritë dhe ngrohu gjakun me aromën e qytetit të lindjes tha: “Unë nuk shkoj me në Amerikë, as me arkivol, se edhe po shkova i gjallë, shpejt do më kthejnë brenda arkivolit për në varrezat e Korçës.” Plaka e tij takoi të gjitha shoqet e tjerrjes së llafeve, për t’i bërë triko dimri dhe më në fund u bind edhe vetë, të pleqëronte në qytetin e saj.

Babaxhani filloi shpejt nga regjimi ditor i gotës, mes shokëve hokatarë, duke treguar barsoleta, duke lozur domino, e duke shëtitur deri lart nga kodrat e Shëndëllisë.  Dhe kësisoj, brenda gjashtë muajve fytyra e verdhë me rrudha, i mori përsëri ngjyrën e mollës starkingë.

Djali dhe vajza nga Amerika i vijnë çdo vit për vizitë dhe ndonëse i pret e i përcjell duke lotuar pa zë, nuk i shkon as në mendje vajtja sërish në Çikago.

            -Ka borë e akull dimri Korça, bre baxho, pa hesap, po këtu dimri është i ëmbël, bre!... Ajo ftohma e Çikagos, dukej sikur vinte që nga larg fushës pa fund dhe t’i rrëzonte veshët përdhe, si oshafe të kallkanosura!...

            -Ah, more Marko, në vendin tënd edhe guri kur të bie mbi kokë, të duket më i butë se pika e shiut... Se këtu je mësuar që në vegjëli me “gurët” shqiptarë, po gurët e vendeve të tjerë, nuk i duron dot, qofshin edhe shuka prej letre...   

            Ai pohoi me kokë dhe në këtë takim të kohëve të fundit, me tregoi një sekret të vjetër, të ruajtur në zemrën e tij prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Më zbuloi të fshehtën, më të pabesueshme të jetës sime, në marrëdhëniet tepër miqësore, gati vëllazërore me të.

            -Kam dashur të të vras!... - tha me një qetësi fytyre, sikur të ishte fjala për një qerasje me një gotë votkë.

            E fshehta e tij, u rrotullua në trurin tim, po me atë qetësi që e lëshoi nga goja me rrudha, dhe pasi zuri vend mirë, diku në nyjet nervore të subkorteksit, unë shqeva sytë nga habia.

            -Pse ? – e pyeta duke i ngulur sytë thellë në retinat e bardha të syve të tij.

                -Të kam ndjekur me revole në dorë nga Korça, gjer tetëdhjetë kilometra larg, po nuk të zura dot...

            -Pse more jahu? – përsërita gati i mahnitur.

            -Kur rrëmbeve kunatën time... I premtova vjehrrës sonë se do t’ia ktheja çupën në shtëpi si vdekja...Po ju kishit zbritur në Maliq, se u qe prishur taksia. Ishte natë e errët, unë kalova përpara, kur ju kishit ecur gjysmë ore në këmbë, derisa kishit gjetur një makinë tjetër...

            M’u kujtua se atë natë, unë po ecja me zogun tim përdore, pa më shkuar fare ndërmend, se tetë plumba revolveri po më ndiqnin deri në Elbasan, ku ishim nisur të strehoheshim te shtëpia e motrës sime të martuar.

            -Më le pa mend, sot!-  i thashë duke mos ia ndarë vështrimin asaj fytyrës së tij aq të dashur për mua, prej më shume se gjysme shekulli, që kishte heshtur tani, me një buzagaz të menduar.

            -Po mirë, o babaxhan, ti mund ta kishe shkrepur plumbin vërtetë, po të më kishe kapur? – shova kureshtjen, duke mos besuar se dora e atij njeriu aq paqësor, mund të kishte derdhur gjakun tim në mes të rrugës.

            -Ou, si një e një që bëjnë dy, do të të kisha palosur, po të shpëtoi zoti... – tha sërish qetësisht, - Do të kisha vrarë, ashtu si i çmendur që isha bërë, nga betimi, se nuk do kthehesha me turp te vjehrra që qante, pa i kthyer çupën 15 vjeç...

            U mendova për pak çaste, duke risjellë në kujtesë atë ngjarje kryesore të jetës sime.

- Unë nuk mund të vdisja, sepse me atë vajzë duheshim për vdekje.... – ia ktheva, - Po ty të faleminderit që ma tregove me sinqeritet këtë të fshehtë pas kaq vjetësh.

- Edhe unë nuk do vdisja pa ta treguar, të paktën tani që afrova moshën e vdekjes, se ti më pas më hyre aq shumë në zemër, sa të bëra si vëllanë më të dashur...

-Ti baxhanaku im i mirë, do kapërcesh njëqind vjetët patjetër, me këtë vendosmëri të hatashme që ke në vetveten tënde për të jetuar. – e mbylla duke e përqafuar për sinqeritetin e tij maksimal.  

Kohët e fundit mora vesh një sekret, te cilin nuk mund ta them në rrethin familjar, të merret vesh prej baxhanakut dhe plakës së tij, pasi është mbajtur i fshehtë, për t’i bërë atij një surprizë te madhe, për datëlindjen e nëntëdhjetë të jetës së tij. Djali dhe vajza do t’i vijnë nga Amerika pa e lajmëruar dhe do të bëjnë për të një feste familjare madhështore. Unë e di, se në të gjitha ato çaste gëzimi dhe në ato dite gjallërimi me të dashurit e zemrës së tij, ai vetëm do të qajë, me atë gëzimin e heshtur, që i konvertohet në lotë...