DASHURI PARA PROVIMEVE

                                                                (Fragment)
        Po bëheshin gjashtë ditë që Sokoli ishte mbyllur në shtëpi, për të përgatitur provimin e parë. Vetmia, lodhja dhe malli për shokët, sidomos për Alketën, po e bënin gjithnjë e më të pavëmendshëm. Bëri çdo orvatje për të larguar mendjen prej tyre, por ishte e pamundur të përqendrohej më tej.
Tekefundit ai mbylli librin, mori pyetjet e letërsisë me vete dhe në orën nëntë pa çerek u gjend nën dritaren e Alketës. Hodhi sytë disa herë përpjetë, por nuk pikasi gjë. Në të gjithë fasadën e pallatit qenë lëshuar perdet e holla që ruanin intimitetet familjare. Fërshëlleu tri herë si gushëkuq, por ajo nuk dëgjoi. Atëherë nxori celularin dhe i tha se gjendej poshtë dritares për të folur me të.
Befas u luhat perdja e tylit dhe Alketa buzagaze nxori kokën zeshkane te dritarja e katit të tretë.
- Koli, prit se erdha! - zëri i saj pak si i mbyllur pati një tingull të largët, gati qiellor. Pastaj perdja e tylit u lëshua sërish, sikur mes tyre të kishte rënë papritmas një copë re flurore.
Ai u tërhoq nën hijen e një shelgu lotues, që bleronte aty pranë dhe i drejtoi sytë nga cepi i pallatit. Kish filluar të bënte pak vapë. Lart, në ujëvarat gjelbëroshe të shelgut, cicëronte pareshtur një zog, që thërriste me ngulm zogëzën e vet. Pak më tej, disa fëmijë gajaseshin me një vajzë të vogël, duke i përsëritur thirrjen e gjyshes: "Oj Ivona, të keqen nona, mos u bëj pis se të rreh moma!" Ndërsa pas shpine, në xhadenë e asfaltuar të unazës, ndihej rrapëllima e paprerë e makinave.
Ja, më në fund ku u duk ajo fytyra e saj e çiltër, në të cilën përzihej shprehja e zakonshme e përzemërsisë. Kishte veshur një fustan shtëpie të hollë me lule të bardha, që i qëndronte lirshëm në trup dhe me këmbët e plota tërhiqte bran një palë shapka të kaltra. Me atë afrimin e saj të shpejtë e të lehtë, ajo iu duk Sokolit si një degë e mbushur me lule molle, që e shtynte era pranverore drejt shelgut.
Alketa iu qas fare pranë dhe me vështrim ledhatues e me buzëqeshjen plot adhurim i dha dorën. Ai ndjeu butësinë e gishtave të saj si të veshur me push zogu. Fytyra e saj nazike dukej pak e hequr. Sytë e zinj me qerpikë të dendur kishin një shikim të ngrohtë, të ëmbël e mjaft të përmalluar. Atij i gufoi zemra dhe pati ndjesinë e thellë se dashuronte çdo fije floku të kësaj vajze.
- Sa mirë bëre që erdhe! - murmuriti Alketa me atë zërin e saj të thellë, që i jehonte përbrenda kraharorit dhe mbështeti dorën te trungu i lëmuar i shelgut.
Sokoli kundroi një grimë lojën vezulluese të rrezeve të mëngjesit, që praronin pushin e hollë në qafën e saj dhe ndjeu një trazim në gjoks e një dëshirë te buzët e prushta.
- U çmenda ! – i tha duke rrëshqitur vështrimin e ethshëm nga qafa e gjatë te jaka e hapur e fustanit, te faqet e kuqëluara në mollëza e deri te ninëzat si dy bulëza zifti. - Ku jemi mësuar ne të rrimë mbyllur e pa e parë njëri – tjetrin kaq gjatë, moj Keta!
Alketa e kuptoj se ai kishte nevojë të domosdoshme të çmallej me praninë dhe zërin e saj, që ishte mësuar ta kishte gjithmonë te banka përbri vetes. Ajo ndjeu një fërfëllimë drithëruese në kraharorin e njomë dhe, si për të fshehur gjendjen e saj të brendshme, hodhi një grimë herë sytë e saj të qelqëruar nga gëzimi diku tej rrugës së zhurmshme. Pastaj me një vëmendje të veçantë, sikur t'ia kishte harruar krejt fytyrën, u kthye edhe ajo e kundroi me mall ballin e tij me dy dallgëzime të lehta sipër vetullave harkore, buzët e ngrohta e tërë afsh me një nënqeshje djaloshare të këndshme dhe, atë mjekrën e tij katrore të pushëritur me qime zijoshe tej e tej faqeve të rrafshëta. Dukej sikur gjatë këtyre ditëve ai qe rritur e burrëruar më shumë.
- Edhe unë u mërzita vetëm, - i tha ajo me një psherëtimë, - po s'ke si mëson ndryshe...
- Genti me Bibanin dhe ca goca studiojnë këtu matanë, te pylli i akacieve, - bëri të ditur ai. - Shtrojnë batanije nën hijet me bar dhe rrinë deri nga dreka bashkë. Si thua, Keta, shkojmë dhe ne të dy?
Alketa u mendua me një buzagaz të ëmbël.
- Do merremi me muhabete e do mbetemi pa mësuar, - tha ajo me mëdyshje. - Nja njëzetë pyetje unë s'i kam kaluar fare...
- Të paktën vetëm sot, - iu lut ai me përgjërim - Do t'i përsëritim bashkë, ja, unë i kam marrë pyetjet me vete...
Lart në degët e shelgut u dyzuan cicërimet dhe u bënë më ngulmuese. Dukej sikur një soprano dhe një tenor këndonin njëherësh e i përgjigjeshin njëri - tjetrit me tonalitete të larta.
- Nesër, - diktoi ajo prerazi. - Do marr edhe Odetën e shkojmë të tre qysh në orën tetë.
Sokoli mbeti kokëvarur e si i brengosur për pak sekonda. Mandej, duke e fiksuar shikimin mendueshëm tek ai shtegu i bardhë që çante mes për mes flokëve të Alketës, u rrek të çante edhe një shteg në mendjen e saj.
- Të lutem eja sot, ma plotëso dëshirën, se ashtu është puna...
- Pse, si është puna? - ajo ia nguli shigjetat e zeza të ninëzave me kërshëri.
Sokoli vështroi me lakmi buzët e saj të bumbëzuara, që kuqëlonin si një lule shege e sapoçelur.
- Do drejt ti?... Më është bllokuar truri, nuk mësoj dot dhe ka rrezik të rrëzohem në provimin e letërsisë... Më është bërë goja helm, dua patjetër pak nektar nga ai i buzëve të tua. Më rri mendja aty gjithë ditën, vdiqa, mbarova...
Migana ia dha një të qeshure të fortë, që jehoi me gufim në gjoksin e saj dhe e mbyti menjëherë, duke vënë pëllëmbën e dorës mbi buzë. Pastaj shikoi rreth e qark dhe tha me zë të ulët:
- Ua, ti Koli qenke fare i lojtur, si të paska rënë në tru kaq keq?
- Nuk e di, - i tha ai duke u shkuar gjuhën buzëve të veta, që kishin zënë t'i thahen nga sikleti. - Thonë se kur pi drogë një herë, nuk rri dot pa pirë përsëri. Qëkur provova atë nektarin e buzëve të tua, jam droguar keq dhe s'ka antidrogë që më shëron. Vetëm po përsërita dozën që më dhe, më qetësohet shpirti...
Ajo u kukuris sërish dhe vështroi një grimë anash, ku ndeshi fytyrën e ngrysur të një plake, e cila kaloi trotuarin duke tundur kryet.
- Epo, s'kam ç'bëj, - pranoi ajo me një përtëritje të beftë në fytyrë dhe kapërdiu një psherëtimë, - Gjithë këtë farë çuni s'mund ta lë të shkoj dëm për hiç asgjë...
Sokoli vuri buzën në gaz i kënaqur dyfish, si nga pranimi i saj, ashtu dhe nga ironia e lezetshme që përdori.
- Atëherë shko merr antologjinë bashkë me shënimet dhe mos u vono!
Ata u takuan tej pallatit, te trotuari i unazës dhe morën rrugën drejt një kodrine që ngrihej matanë ndërtesave të dendura. Ai ecte me hapin fitimtar të të riut të shkujdesur, ajo me lëvizjet lozonjare e me freskinë e të përkëdhelurës së fatit. Vështrimi i tyre, i gjallëruar nga natyra plot vegjetacion të harlisur, binte gjithandej mbi blerimin e përshkënditur prej rrezeve të ngrohta të diellit dhe mbi trumbat e zogjve, që ç’vendoseshin pareshtur me fluturime të hareshme nga njëra pemë në tjetrën.
Pylli i dendur i akacieve, të mbjella para shumë vitesh nga punonjësit e pyjores, ishte një parajsë pranverore e vërtetë. Me barin e dendur si velenxë jeshile dhe me freskinë e hijeve të thella, ai krijonte një atmosferë të këndshme ngjyrë gri, me të cilën ftonte këdo për tu kënaqur në gjirin e tij bujar. Të parët që e shijonin mrekullinë shpirtërore që u dhuronte ky pyll, ishin maturantët, të cilët vinin këtu pa filluar ende vapa me dyndjen e njerëzve të shumtë.
Ata hodhën sytë rreth e rrotull për të parë shokët e klasës. Sokoli thirri me zë të lartë Gentin dhe Bibanin. Por nuk mori asnjë përgjigje. Ndjehej gjithandej vetëm heshtja ndjellamirë e këtij pylli.
- Mund të kenë ndërruar vend sot, - tha ai me habi dhe vërejti fytyrën e Alketës, mos kapte në të ndonjë shenjë meraku, që po mbeteshin vetëm.
Por përkundrazi, ajo buzëqeshi ëmbëlsisht dhe aty nën ngjyrimet fantastike të pyllit, fytyra e saj u duk çuditërisht më e bukur e më joshëse. Ndoshta sepse shpesh femrat i kuptojnë dredhitë e djemve, po meqë u pëlqen loja e tundimit, bëjnë sikur veprimet e tyre janë krejt rastësore.
Sokoli zgjodhi një vend të sheshtë me bar të pashkelur, midis dy gëmushave, të cilat krijonin një gjysmëharku të mbyllur dhe shtroi aty plastmasin. Drita e kufizuar, që vërshonte nga nënfletët, ishte aq e blertë, sa edhe trupat e tyre të ngjyrosur prej saj merrnin një pamje fantastike. Disa bimë kacavjerrëse, që ndërthureshin me degët e gëmushave, kishin çelë lulet e tyre të bardha në formë hinkash.
- Ë, Keta, si thua, a nuk jemi këtu si në mes të një kurore të madhe?
Ajo buzëqeshi sërish dhe pati një përtëritje të beftë përbrenda vetes.
- Me ç'po duket, të erdhi frymëzimi për të thurur ndonjë poezi...
- Të them të vërtetën, kur jam me ty më këndon shpirti padashur dhe më duket sikur do fluturoj... Po ti, Keta, ndjen të njëjtën gjë kur jemi bashkë?
Ajo e shigjetoi drejt në sy pak si gjatë dhe pasi kapërdiu një peng të krijuar nga emocioni i çastit, i tha :
- Normal, përderisa unë ndjej për ty...
Sokoli, si përgjigje dhe si paradhënie për kërkesën e bërë qysh te pallati i saj, e puthi befas me një shtrëngim të fortë. Në të cilin shpërtheu i tërë pasioni i dëlirtë, i zjarrtë dhe i përmalluar i moshës së tij të njomë. Pastaj të dy njëherësh ata u shtrinë vetvetiu me krahë të kryqëzuar. Dhe për disa sekonda të gjata mbetën gati pa frymë në buzët e njëri – tjetrit, duke thithur me forcë të pazakonshme gjithë nektarin e mbledhur aty gjatë javës së tmerrshme të vetmisë. Pak nga pak temperatura në buzët dhe faqet e tyre filloi të rritej me shpejtësi, aq sa krejt trupi po u digjej si prush. Duke mos duruar më tej ngasjen e zjarrtë, në gulçim e sipër, Sokoli çoi dorën e dridhshme te të brendshmet e saj.
- Mos! – i tha Keta gati duke shfryrë përmes gjuhës së tij magjike, që ia kishte elektrizuar të tërë trupin në mënyrë flakëruese dhe shtrëngoi llastikun fort me dorë.
- Pse, shpirt?...
- Jo aty, jo! - kundërshtoi ajo vendosmërisht e me një ndijim turpi.
- Ti je imja dhe unë yti. Ç'ka për tu bërë më vonë, pse të mos bëhet tani, në kulmin e lumturisë sonë?...
- Jo, nuk dua të bëhet ajo gjë ...
- Ti nuk ke besim tek unë?
- Nuk është puna te besimi, - tha ajo duke gulçuar, aq sa kraharori dhe zemra po i çahej.
- Po ku?...
- Nuk mund të bëj kaq lehtë diçka që s'e kam bërë ndonjë herë... Po hiqe dorën se janë të holla e m'i grise!
- Unë e di që ti je vajzë, po të lutem bëj sakrificë për mua, kam shumë dëshirë...
Ajo i hapi sytë tej masës fare afër syve të tij.
- Ore çun, ç'kujton ti se është ?... Mos vallë ndonjë copë çokollatë dhe na, merre, haje!...
- Ke frikë? – i tha ai duke ia kaluar dorën te pjesa më e ndjeshme.
- Po, edhe frikë kam...
Ai turfulloi me drithërimë i eksituar së tepërmi.
- Ti e di që unë s'kam qenë nxënës i keq në edukatën seksuale. Jam në gjendje të të mbroj plotësisht...
- E di, megjithatë, nuk mundem...
- Hë, të lutem, Keta!
- Të thashë pra, jo! - ngulmoi ajo duke shtrënguar gjithnjë llastikun
- Hë, shpirt, se mezi po duroj!
Edhe ajo ndodhej në një gjendje të tmerrshme dhe të padurueshme. Faqet i kishte flakë të kuqe dhe i digjnin. Me puthjet e tij të flakta, të pareshtura e tërë dridhërima përvëluese, ai po ia zgjaste tej masës atë gjendje ekstaze të paprovuar ndonjë herë deri në atë shkallë. Por gjithsesi, ajo nuk jepej dot.
- Duhet të presim, kur t'i vijë koha! - i tha ajo pa u menduar për këtë lloj justifikimi.
- Ç'farë kohe, Keta?... Ne jemi tamam në moshën që duhet...
- Mosha po, por kemi probleme të tjera përpara. Zemra ime vërtetë ka pranuar të dojë një djalë, por nuk mund të pranojë edhe të bëhem grua edhe të vazhdoj shkollën njëherësh...
- Ato nuk na pengojnë aspak të bëjmë dashuri me njëri- tjetrin.
Ajo largoi buzët në mënyrë kundërshtuese një grimë.
- Më vjen keq, Koli, po veprimet e dashurisë kanë radhën e tyre. Në jetën e njerëzve ka edhe ca rregulla...
Ai e puthi sërish me mospërmbajtje dhe e shtrëngoi me të gjithë forcën e krahëve të tij djalosharë. Pastaj i zbërtheu tri kopsat e kreut të fustanit prej basme dhe duke lëmuar gjoksin e saj të fortë me një ndjesi zemërdridhëse, tha me zë gati të mekur:
- Natyra, që ka krijuar organizmin tonë, ka vënë aty ligjet e saj, jo rregullat që vënë njerëzit... - ai tregoi me gisht një lule kumbulle të egër aty pranë. - thuaji asaj lules aty, mos lidh kokërr, se kështu kemi vendosur unë dhe Keta!
Ajo u befasua kënaqësisht me argumentin e mençur që gjeti njeriu i zemrës së saj. Por instinkti i vetëmbrojtjes ende nuk e linte të jepej plotësisht.
- Koli, shpirti im, jam gati të bëj çdo gjë që dëshiron ti, po nuk dua të prishem që tani dhe pastaj deri sa të vijë koha të bashkëjetojmë, ta ndjej veten femër e përdalë, më kupton?
Ai u ndie paksa i nervozuar, megjithatë, nuk la shkak të kuptohej prej saj.
- Nuk besoja kurrë që ti, Keta, të ruaje për këtë rast mendime të tilla jashtë kohës. Ç'rëndësi ka ekzistenca e himenit tek një vajzë si ti? Nuk të mjafton dashuria ime e sinqertë, për ta ndjerë veten gjithmonë vajzë me dinjitet?
Ajo lëshoi papritmas një breshëri të puthurash në të gjithë fytyrën dhe gjoksin e tij të mbuluar nga pushi i zi djaloshar.
- Të lutem, Koli, mos ngul këmbë o sot o s'ka! E lëmë ta bëjmë një herë tjetër, që të jem edhe unë e përgatitur nga ana psikologjike... Mbasi nuk kam menduar se do arrij kaq shpejt deri aty...
- Si nuk je pak kurioze, moj gocë, të provosh kënaqësinë e madhe që na ka falur natyra?!...
- Edhe unë i ndjej ngacmimet e hormoneve të mia dhe të gënjej po të them se nuk dëshiroj ta provoj atë gjë. Por më duket si diçka e tmerrshme... të bëj shpejt e shpejt një hap kaq të madh në jetën time...
- Të thashë, moj Keta, se ti kot kërkon të dalësh jashtë kërkesave të natyrës. Kur i di pasojat psikologjike po t'u kundërvihesh ligjeve të saj. Unë që tani ndjej nënvete një shtrëngim tepër të dhimbshëm, që mezi po e duroj... Ti duhet të mendosh edhe për gjendjen time... - zëri i tij ishte bërë tani fare i butë e i ëmbël, fjalët gati po i rridhnin nga goja.
Ajo u zu ngushtë dhe heshti një grimë. Dukej se po kalonte çaste të jashtëzakonshme dyluftimi me vetveten. Ishte midis dy zjarresh: Zjarri i brendshëm që e shtynte drejt tij dhe zjarri i djalit të dashur që e tërhiqte fort drejt vetes. Mandej edhe kureshtja e kaq viteve të vajzërisë për atë gjë aq të përfolur. Prapë se prapë mbeti e stepur nga një frikë thuajse instiktive.
- E lëmë me kaq. S’dua ta humb virgjërinë pikërisht sot dhe pikërisht para provimeve, kur duhet të mendoj vetëm për to...
- Mesa duket, ti, Keta nuk më do që gjen justifikime të tilla njërin pas tjetrit...
- Uh, të dua me shpirt, po... - u duk se rezistoi sërish gati e mekur.
- Mos ki frikë, zemër, - belbëzoi ai me zë të shuar. – Të betohem, do mundohem të veproj me mjaft kujdes, pa të dëmtuar asgjë. Unë jam njeriu të cilit duhet t’i besosh... Hiqi, t'u bëfsha, se vdiqa s'duroj dot më!...
Ajo e vështroi me dhimbsuri dhe ia mori kokën në gjoksin e saj. Atë çast i vezulloi mendimi, se në shkollë, madje edhe në klasën e tyre kishte vajza të tjera që shkonin me çuna, tek të cilat ai mund të plotësonte nevojat e rastit. "Por Sokoli më do vetëm mua dhe për këtë jam më se e bindur." – i tha vetes me ndjenjë krenarie dhe ky mendim e tulati krejt.
- Uh, moj nëne, si t’ia bëj këtij njeriu, që s’ia prish dot! Mirë, atëherë, - u thye më në fund ajo dhe uli përgjysmë të brendshmet. - mund të veprosh në sipërfaqe deri sa të çlirohesh. Vetëm këtë mund të ta lejoj. Po shpejt se u vonuam për pyetjet e provimit...
Sokoli, djalë i butë dhe i bindur prej lutjeve të vajzës që e donte sinqerisht, bëri ashtu siç tha ajo. Ai u lëshua me një dallgëzim puthjesh përvëluese në të gjitha pjesët e zbuluara të trupit. Prej kodërzave bardhoshe të gjoksit, deri te rrafshina e errët fundore, duke i shoqëruar me nanurisjet e avullta dhe pëshpëritjet si në jerm: "O Keta, shpirti im, zemra ime, tu bëfsha unë ty! Oh, më çmende, të kem ta rrufis të tërë këtë skulpturën e gjallë të trupit tënd dhe pastaj le të vdes!".
Diku aty pranë, një bilbil i fshehur midis fletëve këndonte me ca tinguj magjepsës, cëkër, cëkër, cëkër - cuk, cuk, cuk, - cërëq, cërëq, cërëq.
Sakaq Sokoli ra në një përhumbje tepër të këndshme dhe e shkarkoi të gjithë dufin e rëndë të frymëmarrjes rënkimtare mbi atë gjoksin e saj të njomë. Ku ndjehej një erëmim që ua kalonte të gjitha aromave të këndshme të trëndafilave që çelte toka. Dhe ato çaste mendoi qetësisht, se kishte fituar kënaqësinë më të madhe të dashurisë së saj, vetëm me atë konceptin e tij, se asnjë kështjellë nuk duhej marrë me forcë shkatërrimtare. Mbeti edhe disa sekonda ashtu i shtrirë, i turbulluar, i lumtur dhe ndjeu në shpirt se e donte atë vajzë, si s'kishte dashur kurrë as ndonjë shok, as babanë, as nënën dhe as vet perëndinë.
- Sot që u afrova te dera e parajsës, besova plotësisht se ajo ekziston! – tha ai më në fund, në kulmin e kënaqësisë.
Alketa qeshi me zë.
- Ç’ja këput kot, o Koli ! Po të ishte ashtu siç thua ti, të martuarit nuk do kishin fare halle në këtë botë.
- Ndoshta, kjo lumturi i bën hallet e tyre më të lehta. – u detyrua ai të korrigjojë shprehjen superlative që përdori. – Por sidoqoftë, me parajsën që më joshe sot, ti mbetesh për mua një mister i vërtetë...
Pastaj krejt i lehtësuar, ai u çua ndenjur dhe i dha Alketës edhe puthjen e vakët të falënderimit, para se të fillonin nga mësimet.
Mirëpo ndryshe nga Sokoli, Alketa gjatë gjithë kohës ndjehej mjaft e hutuar dhe po aq e tensionuar nga mbingarkesa që i kishin krijuar ato ngacmime seksuale të papritura. Madje edhe kur u larguan nga pylli e më pas deri në mbrëmje në shtëpi, ajo ndjeu dhimbjen e pareshtur të tëmthave. Ndonëse u kujtua që Sokoli kishte pohuar diçka të vërtetë për pasojat, asaj përsëri i dukej herët dhe i mungonte guximi e vendosmëria për të lejuar që ai ta eksploronte plotësisht trupin e saj. Por mendoi, se ndërkohë nuk do t'ia kursente asnjëherë nektarin e buzëve, aq të dëshiruar prej tij. Atë nektar aq të ëmbël, që, siç e quante ai, ishte droga më e mirë kundër vetmisë e që s'mund të krahasohej kurrë me të gjitha kënaqësitë shkatërrimtare të substancave eksituese të rrezikshme. Apo të atyre dozave me alkool e nikotinë, të cilat i përdornin kot më kot disa moshatarë kureshtarë e snobistë.
Keta vështroi orën befas.
- Pu, pu, sa vonë ka shkuar !... Kushedi sa do më shajë mamaja ! – i tha ajo duke mbledhur librat dhe u çua vrullshëm me dorën të zgjatur drejt tij. - Mirupafshim Koli !
- Takohemi në ëndërr ! – u gjegj ai gjithë gaz. – Ta dish se sonte do ta gdhi me kujtimet e kësaj dite të paharruar.