DILEMA OLTËS

 

                                                   Tregim

Ka vajza të reja që s’kanë aspak frikë e druajtje nga afërsia me meshkujt. Ato sillen dhe me persona pak të panjohur, siç mund të lozin e gazmojnë me një qengj të butë. E tillë ishte dhe Olta njëzetvjeçare.

Ajo punonte në bibliotekën e rrethit. Nuk dihet si e kishte zënë atë fole pëllumbash, të lakmuar nga vajzat e moshës së saj, sapo kishte mbaruar shkollën e mesme. Ndoshta e kishte fituar me atë shansin e njohur botërisht, se bukuria ka qenë për vajzat gjithmonë një çelës sekret që u ka hapur të gjitha dyert e pamundura në jetë.

            Unë në atë kohë punoja në muzeun e rrethit, kisha botuar disa libra dhe isha bërë dikush nga emri në moshën dyzet e ca vjeçare. Olta më buzëqeshte me ngazëllim të veçantë, sa herë takoheshim rastësisht, ndonëse kisha dy fëmijë dhe një grua të re të ndjekur nga sytë kureshtarë.

            Ishte shpallur prej kohësh një ekskursion masiv me të rinjtë, në zonën me tradita patriotike të Çermenikës, ku mua më kishin caktuar t’u flisja e shpjegoja ngjarjet historike.

            Nisja e afro njëqind marshuesve të rinj, u bë paraditen e një të shtune me vranësira, e cila nuk mund të shmangej për shkak të fundjavës së caktuar për këtë qëllim. Dy autobusët e mbushur plot, na zbritën në Fushëstudan, afër Steblevës, kur sapo filloi të breronte një shi i imët mbi barin përherë blerosh të kësaj fushe fantastike të rrethuar me pyje të dendur. Kolonat e çrregullta të rinjve morëm rrugën automobilistike më çakëll, përgjatë faqes lindore të malit të Prevallit.

            Ende pa arritur te vendi i quajtur Shpella e Ariut, Olta, la çadrën saj të shoqet e kolonës  dhe erdhi papritmas tek unë, që kisha hedhur mbi krye një mushama ushtarakësh me kapuç, të cilin ia mora një oficeri të njohur te reparti i Fushëstudanit.

            - A mund të më bësh vend edhe mua te ai mushamai yt? - pyeti ajo në dukje fare pa ndrojtje dhe në buzët e saj lindi një diell të vogël, që mu duk tepër shkëlqimtar në atë ditë me re të ngarkuara. 

            - Eja ! - i thashë dhe pasi ngrita krahun përpjetë, e mbulova të tërë trupin e saj vogëlan  me cepin e mushamasë.

            Ajo kaloi dorën rreth belit tim për t’u mbajtur dhe unë mbështeta krahun te supi i saj për të rregulluar ekuilibrin në ecje.

            - Uh, moj nënë, këtu tek ti, qenkam tamam si pranë oxhakut! - ia bëri ajo pas pak dhe mbështeti kryet te ijet e mia.

            Olta i tha këto fjalë fare thjeshtë, me atë gjuhën e saj prej lozonjareje, pa menduar se tani i vuri dru të thata oxhakut të trupit tim, që kishte filluar të avullohej, jo vetëm nga ecja, por edhe nga aroma aq trazimtare e një vajze të ngjitur në gjoks. Prej kohësh kisha arritur të bindesha se femrat në raste të volitshme mund të tregoheshin guximtare në mënyrë të pabesueshme. Ndoshta si krijesa që ndjejnë nevojën e domosdoshme dhe të përhershme të dashurohen nga dikush, për të cilin kanë simpati, pavarësisht deri ku kanë mundësi të jepen fizikisht.  

Shiu binte vrundullues mbi kapuçin e mbi supet e mia dhe rruga përpara mjegullohej deri larg, nga kamxhikët e ujshëm që rrihnin tokën pa pushim. Nuk isha gjendur asnjëherë, në dyzet e ca vjetët e jetës sime, në një pozicion çiftor me ngacmim aq të tmerrshëm, si të asaj dite. Por dhe me një dilemë po aq të pazakonshme, për të zbuluar se ç’e shtyu atë vajzë, të më bënte një provokacion femëror aq torturues. Por a kisha shanse t’i shpëtoja atij rasti që e solli nën mushamanë tim Oltën aq të lakmuar nga djemtë e rinj? Kjo nuk mund të ndodhte, për shkak se unë isha nga ata njerëz që dinë mirë, se nuk ka asgjë që mund ta vrasë një femër shpirtërisht, më rëndë se mospërfillja. Pasi kam pasur gjithmonë parasysh, se janë pasionet dhe emocionet intime, ato që e drejtojnë jetën tonë. Në këto rrethana, mu krijua mjedisi intim më fantastik, për të shijuar hiret e sipërfaqshme të saj, krejt ashiqare përballë marshuesve të tjerë, kur ata, veç katër palë këpucëve që lejonte mushamaja jonë e gjatë, asgjë tjetër nuk mund të shihnin me sy.   

Por ndërkohë unë ndodhesha në një hall të madh. Sepse në raste të tilla kaq të rralla, edhe një puthje e pa arsyetuar mirë nga ana ime, do t’i ngjante vendimit të një artiljeri të sprovuar, për të vënë dorën te mekanizmi shkrepjes, për hedhjen e predhës së topit, pa përcaktuar saktë objektivin dhe pa llogaritur mirë trajektoren ku mund të arrinte ajo qitje. Por edhe në anën tjetër, nuk ishte e mundur kurrsesi, që ai organizëm i njomë femëror, me të gjithë receptorët e ndjesive trazimtare, të mos kishte fare ngacmime nga afërsia aq intime e një trupi mashkullor dhe të mos ngrinte dilema për mua. Pra isha mes dy zjarresh dhe mes dy ekuacionesh me shumë të  panjohura, ku më duhej të eksploroja edhe xhunglën e trurit të saj. Sipas mendjes sime, Olta, nuk mund të mos kishte marrë parasysh se unë, për vetë natyrën artistike, nuk mund të isha engjëll në atë moshë të papërmbajtur. Gjithashtu, ajo nuk mund t’i kishte instinktet e vetëmbrojtjes femërore aq me defekt, sa të futej verbërisht mes zjarrit, pa menduar pasojat, që po provokonte një mashkull në një afërsi trupore aq të rrezikshme për të dy.  

            Kaluam territorin e Shpellës së Ariut dhe unë si një ari i tërbuar brenda shpellës sime prej mushamaje, po haja veten me dhëmbë, duke pasur kapistrën e dinjitetit të moshës që më shtrëngonte fort te buzët. Teksa kjo arushë e vogël ma kishte bërë gjakun të më shkrepte xixa dhe kokën sikur kisha brenda një tufë me xixëllonja. Vërtetë, në atë kohë unë nuk mund të gjuaja femra, por kur gjahu hynte me këmbët e veta në strofkën time, më krijohej një problem i madh. Pasi edhe indiferenca, apo mungesa e oreksit, më shkaktonte shqetësimin, se ajo gjithçka mund të mendonte për mua.

            -Me dashuri e ke marrë gruan? - më pyeti Olta befas duke ngritur kokën si ndonjë  kotele brenda mushamasë, teksa sytë e saj tërë shkëlqim vezulluan sy dy yje në muzg.

            -Po. Me një dashuri të llahtarshme, kur nuk më linin ta shoh as me sy. Po të vinte atëherë nën mushamanë tim, siç ke ardhur ti tani, asaj i prisnin të dy këmbët.

            Ajo ngriti sërish kokën me habi për të kapur sytë e mi dhe tha:

-Ata paskan qenë prapa botës!

-Prapa botës, në këtë pozicion ku ndodhemi ne tani, gjendet Amerika e lirisë së plotë, por ata ishin poshtë botës, diku andej nga Afrika.

            Olta mori frymë thellë dhe avullin e ngrohtë ma lëshoi enkas mbi fytyrë. Atë çast fryma  e saj aromatike mu duk tejet e këndshme dhe tepër e nevojshme. Njësoj sikur të më kishte munguar ajri, desha që ajo të shfrynte sërish, ta thithja të tërë atë frymë vajzërore, për të freskuar mushkëritë e mia, deri në skajet e kapilarëve, ku po më vlonte gjaku i ndezur.  

Por në këto dallgëzime ndjenjash e sipër, u gjendëm te kanioni rrethor sipër Kostenjës, ku fshati dukej si në pëllëmbë të dorës. Atë çast Olta, duke konstatuar se shiu kishte pushuar, i dha fund dilemës sime dhe të saj njëkohësisht. Ajo afroi lehtësisht buzët e saj, takoi me afsh buzët e mia dhe pas kësaj doli krejt nga mushamaja. Më vështroi në sy, buzëqeshi ëmbël dhe u shkund me një lehtësim të çuditshëm, sikur të më kishte paguar qiranë e strehimit.

            Të lumtë, thashë me vete, nuk paske qenë aq budallaqe, sa mund të mendoja, të më lije në dilemën e errët, të plagosur në ndenja dhe të ikje tutje. Përkundrazi, dole e zgjuar, mjaft guximtare dhe krejt pa paragjykime moshore.

            Të rinjtë marshues zbritën në fshat nëpër një rrugë këmbësore gjithë dredha. Dhe nën rrezet e diellit që zbardhi Kostenjën e mjegulluar pas shiut, u ulën për të hapur çantat e ushqimit të drekës që kishin marrë me vete. Unë u mora me organizatorët e ekskursionit, për të siguruar bazat e strehimit të mbrëmjes dhe sakaq Olta më kishte humbur nga sytë. Por gjatë gjithë kohës ndjehesha i ndezur përbrenda dhe përfytyroja skena fantastike të eksituara nga dëshira absolute e asaj femre të re, që më kishte shkatërruar tërësisht ekuilibrin e ndjesive të mia.

            Pasi ra nata, oda e madhe fshatare, që na mblodhi me një grup prej njëzet ekskursionistësh të rinj, çuditërisht kishte brenda edhe Oltën. Ajo me siguri kishte nuhatur drejtimin tim dhe kishte shkuar aty, duke u bashkuar me këtë grup bujtësish. Ndjeva padashur gëzim të brendshëm që tashmë mund ta shihja përballë atë vajzë çapkëne, në tërë linjën e saj fizike, për të shuar edhe kureshtjen, si do të reagonte pas hapit të parë që kishte bërë gjatë marshimit.

I zoti i shtëpisë, një kostenjar babaxhan, shtroi tre sofra darke të mëdha, me bulmetra të freskëta për të gjithë ne. Në fund na gostiti me tre tasa me mjaltë lulesh dhe na tha, se mund ta mbanim zjarrin ndezur gjatë gjithë natës për të dremitur në supet e njëri-tjetrit.

            Olta zuri vend te cepi i oxhakut përballë meje dhe gjithë natën gazi dhe hareja në sytë e saj buruan dritë, më tepër se llamba elektrike te mesi i tavanit të drunjtë. Treguam  barsoleta gazmore deri në mëngjes dhe gjumi nuk guxoi të afrohej asnjë çast te sytë e ndonjë të riu apo të reje, ndonëse kishin udhëtuar nëpër shi e baltëra.

            Të nesërmen sapo dielli nxori syrin në krye të luginës së gjatë të Shkumbinit, grupet u bashkuan qendër të fshati dhe pas përshëndetjes me fshatarët mikpritës, u nisëm drejt Gurit të Muzhaqit. Për të parë shtypshkronjën e luftës, të instaluar në shpellën, ku kishin mbetur ende disa shkronja plumbi të shkrira nga zjarri nazist.

            Autobusët e kthimit na prisnin në Orenjë dhe unë i bëra vend Oltës te sedilja dyshe pas shoferit. Gjithë rrugës ajo më tregoi atë ngazëllim të ligjëruar tashmë nga takimi i buzëve tona në rrugën përskaj Shpellës së Ariut. Por sakaq mua kishte filluar të më dukej vetja tamam si një ari leshtor i madh, ulur pranë një manarie që vetëm blegëronte pareshtur pafajësinë e pastër të  vajzërisë së saj. Ndaj dhe pyesja veten me keqardhje, si mund të shkalafitej egërsisht trupi i asaj krijesë aq të njomë, po të arrinte nisma e asaj dite deri në skajin fundor?!... O zot i madh, mos më jep ngasje kaq të tmerrshme në trup!...

            Kur u kthyem në qytet, ne u ndamë miqësisht, si të njohur intim, duke shtrënguar duart fort me njëri-tjetrin. Por, më pas, ashtu si te ajo ena e tejnxehur, ku stërkalat e lëngut që valon mund të kërcejnë jashtë caqeve të saj, edhe gjaku im pas temperaturave të larta që provoi, ishte ftohur tashmë. Dhe unë isha bërë tepër i matur e i kujdesshëm, për ta lënë këtë lloj afeksioni të tejkaluar, të shuhej vetvetiu, me dinjitet dhe arsye të pastër nga ana ime. Pasi kuptova, se përderisa nuk bëhej fjalë për dashuri mes vërsnikësh, por për atë marifet që quhet ambicie e meshkujve për të shtënë në dorë sa më tepër femra, ishte e kotë të zgjatesha me atë gjysmake të viteve të mi, të shtyrë nga instinktet e pavetëdijshme të moshës së saj.

            Sa për ngjarjen e asaj dite, mendova se puthjet, si pjesë përbërëse e lojërave të dashurisë rinore, nga kushdo dhe me këdo qofshin, bien nga kujtesa e vajzave, si ato gjethet e verdha vjeshtore që treten në humusin e ditëve të ardhme, kur zënë të çelin gjethet e reja.