GRUAJA ÇAPRAZE


        Më kishte ndodhur shpesh, kur kthehesha në mesditë nga puna, shihja te hyrja e katit të parë të pallatit pranë apartamentit tim, një grua që më ndiqte vështrimndezur nga përzemërsia. Ajo kishte portretin e një femre afër të dyzetave, me gjoks të shëndetshëm, që i binte në sy nga dekolteja e hapur. Më buzëqeshte rregullisht dhe më përshëndeste vetë e para. Madje kur kaloja ndonjëherë pa e pasur mendjen, çohej përgjysmë, në shenjë respekti, ndonëse nuk kisha me të ndonjë njohje apo prezantim direkt. Dija vetëm se ajo ishte gruaja e një shefi në bashki. Dhe kaq.
Pas disa përshëndetjeve entuziaste të saj, fiksova bindjen e plotë, se kisha të bëj me një zonjë të sjellshme për ta pasur zili. Dhe për të mos e lënë të më përshëndeste gjithmonë ajo e para, fillova të gatitem, me t’u afruar në atë segment rruge, ku isha i detyruar të kaloja patjetër për në shtëpi, të tregoja dhe unë mirësjelljen time. Në këtë rast, ajo më përgjigjej me një përkulje të thellë e plot gaz, nga stoli ku zakonisht qëndronte duke u marrë me punë dore. Më duhet të them gjithashtu, se gjithçka nga ana ime ishte vetëm mirësjellje. Sepse nuk më kishte shkuar në mendje absolutisht asnjë ndjesi tjetër, përveç respektit për atë zonjë të nderuar që më kishte bërë përshtypje të mirë. Madje e quaja shefin bashkiak, njeri me fat që kishte lidhur jetën me një grua të tillë.
Ajo çuditërisht ishte pa punë, ndonëse me burrin në bashki, ku mund të gjendeshin për të variante punësimi. Por kjo ndodhi vetëm pas disa muajsh, kur rastësisht e pashë të rrethuar nga një kub xhamash, te arka e farmacisë kryesore të lagjes sonë. Mora vesh më vonë se kishte një emër me tingëllim të çuditshëm, quhej Qefsere dhe për shkurt gratë e thërrisnin Qefe.
Shkova një ditë në atë farmaci për të marrë barnat e një recete të gruas sime, e cila e mbërthyer keqas nga dhimbjet e nervit shiatik, kishte zënë shtratin e po lëngonte. Kjo gjendje e pazakonshme më kishte trishtuar mjaft. Sepse veç merakut për vuajtjet e saj, po rëndohesha së tepërmi edhe duke kryer të gjitha punët e shtëpisë, nga gatimi, deri te larja e teshave.
Qefja më pa të trishtuar, me kokën mbi dorën të mbështetur te banaku, teksa farmacistja shkoi te aneksi i brendshëm të përgatiste recetën dhe më pyeti:
- Ç’ke zotrote që qenke i mërzitur?
- Ah, moj zonjë, kam gruan shumë sëmurë. - i thashë shkurt, pa i kushtuar vëmendje bisedës me të.
- Ç’ka gruaja jote? - ngulmoi ajo.
- Është bllokuar në shtrat nga shiatiku, e më ka zënë halli!
Ajo qeshi dhe ma ktheu në çast:
- E, ore e, te shtrati i saj e ke hallin! Ti je pallosh, të... edhe në këmbë! - tha ajo copë, pa kurrfarë druajtje, duke u shprehur në një mënyrë që nuk e kisha marrë as me mend se mund të fliste një femër, madje një tip fare pa afërsi konfindenciale me mua.
Krejt i pa përgatitur të dëgjoj fjalë të tilla nga goja saj, në çastin e papritur m’u duk sikur më bënë veshët dhe e pyeta sërish për t’u siguruar:
- Çfarë the, moj, çfarë the?
- Ti (të bën) në këmbë! - përsëriti ajo me gojën plot, duke qeshur me zë.
M’u duk sikur më ra mbi kokë tavani i farmacisë e më zuri nën vete. Kaq të rënda mu dukën atë çast ato fjalë të pabesueshme të dilnin nga goja e saj. Ndryshe të dëgjuara nga ndonjë tjetër, mund të mos më bënin aq përshtypje. Sepse me figurën e jashtme, ajo kishte zënë vend në trurin tim, si simbol i gruas së edukuar me dëlirësi dhe plot mirësjellje femërore.
- Ik, moj gojë çapraze!- ia ktheva me mllef sapo mora veten.- Të dija goxha zonjë, po paske qenë kaq e ulët!
Fjalët e mia nuk bënë asnjë efekt përmirësues në fjalorin e saj. Përkundrazi, ajo qeshi me sarkazëm dhe vijoi:
- Gjoja, s’ta ka qejfi ty!...
- Mbylle atë dreq goje, se i vure kapak balte të gjithë respektit tim!
Ajo vijoi të qeshte paturpësisht dhe shtoi më tej:
- Shko shitju ndonjë budallaqje në vend tjetër, se unë të kam kuptuar ty që nga maja hundës!...
Atë çast doli farmacistja nga aneksi me pakon e barnave dhe me shpjegimet e përdorimit të tyre, nuk më la hapësirë kohe t’i jap përgjigje tjetër. Por kur dola jashtë, isha i tërbuar e më erdhi plasje që nuk munda t’i them edhe ca fjalë siç e meritonte, pa bërë skandal që ta merrte vesh farmacistja. Sakaq mendova, medet, sikur këtë opinion për mua ta kishin edhe gra të tjera që më njihnin e nuk shpreheshin dot hapur si ajo.
Sapo arrita në shtëpi, ia tregova gruas sime gjithë bisedën e poshtër që bëra me të, duke i shprehur edhe mahnitjen time për ato fjalë të papritura që dëgjova nga goja e saj.
Por në vend të errësimit që prisja në fytyrën e saj, përkundrazi, gruaja ime nënqeshi lehtas.
- Asaj i ka plasur cipa, - më tha me ton të qetë. - Po pse, nuk e njihje Qefen ti?
- Si mund ta njihja? - i thashë me habi. - Ajo më është treguar deri sot si kancelarja gjermane Anxhela Merkel...
- Qefen e njeh gjithë lagjja, - vijoi gruaja. – Ajo edhe kur e pyesin si e ke emrin bën shaka, duke u thënë: “Po të ta them emrin,ti do fillosh të besh qef me mua.” Por nuk kisha dëgjuar, se ka raste që fjalë të tilla u thotë edhe burrave. Megjithatë, ajo nuk bën kushedi se çfarë, vetëm se nuk ka turp fare dhe lëshon nga goja fjalë të pista siç i teket.
Shtova me keqardhje:
- Më tha se më ka kuptuar si pusht që nga maja e hundës, kur unë nuk e kam as hundën të madhe të bie në sy, dreqi ta hajë...
- E ke ashtu siç duhet, për veten tënde dhe për mua, po mos u bëj merak nga llafet e Qefes! - më tha ime shoqe qetas.
- Po sikur të mos jenë thjesht fjalët e saj, ky opinion do të na krijonte shqetësime të dyve...
- Të njoh vetë unë, s’kam nevojë të më thonë bota, - u shpreh ajo për ta mbyllur atë bisedë dhe hapi pakon me barnat që i çova.
Por historia e banaliteteve të Qefes nuk u mbyll me aq. Sepse për gojën çapraze të saj, dëgjova edhe më vonë, kur një miku im nga një lagje tjetër, më tha me sy të ndriçuar nga zbulimi i beftë:
- Atje te ju ka shumë femra të dorës, që të provokojnë vetë!
- Ç’i ke këto fjalë!?- ia preva në çast. - Përkundrazi, te ne femrat janë të ndrydhura nga opinioni dhe nuk ta zgjatin as në rrugë as në mjedise pune.
- Ja fut kot!- ma ktheu ai me bindje të plotë e paksa i acaruar. - Dashke të bësh edhe avokatin mbrojtës të kuçkave të lagjes tënde! - Unë ndala makinën te vendpushimi para asaj farmacisë së madhe dhe një grua te arka prej xhami, sa i hodha sytë, më shkeli syrin disa herë.
Qesha me zë.
- O, ho, ho, Qefja është një ekzemplar i rrallë i gruas me gojën çapraze! - dhe i shpjegova se ashtu quhej për shkurt. - Por thonë se ashtu siç ka emrin, ka edhe shumë qejf të përqeshë burrat, duke vënë në lojë dobësinë e tyre për t’u vardisur grave të martuara! E them këtë, sepse deri tani, nuk kam dëgjuar njeri të thotë se ka arritur qëllimin final me Qefen. Por gjithsesi, bota e grave, ashtu si bota jonë e burrave, ka patjetër edhe veçantitë tipike. Me sa kuptoj unë, ajo është një tip i lirë femre, pa kurrfarë frenimesh, që nuk e çan kokën e nuk bën llogari ç’thonë të tjerët për të, miku im... Dhe ndoshta ajo ka ecur disi më përpara, drejt një lirie pa caqe në fjalë e në mendime, ku po shkon bota e sotme...
- Bota e dhier! - e mbylli ai dhe iku i çakorduar nga përqeshja e saj.