NDARJA

-Ti je kurvë, kurvë e paliçensuar! -shpërtheu Tori eksplozivin e vet.
-Ndërsa ti je psikopat me liçencë, që the të parën, fjalën e fundit, -ia përplasi Frida me acarim nga poltroni përballë. -Dhe mua, s'më mbetet tjetër, veçse të bëj të parin, veprimin e fundit...
-Të shkosh me mashkull tjetër ?...
-Jo, fytyrën time ta shkëput përfundimisht nga ajo fytyra jote pa shpresë përmirësimi.
-Nëse do të ndahesh, të ndaj unë i pari !
-Nuk e thashë aq shkoqur, sa të prish familjen, por të paktën të ndaj dyshekun me ty.
-E qartë, të pëlqen dysheku i ndonjë tjetri!... - reagoi Tori me cinizëm.
-Po të më pëlqente, kisha shkuar, se është sakrificë e madhe të shtrihesh në një dyshek me ty...
-Do të thuash, nuk ta bëj qejfin sa duhet ?...
-S'dua të them, që je në fazën e avancuar të impotencës, po se nuk durohesh si njeri.
-Qartë, kërkon ndonjë dem rrace.
-Ka plot të tillë, po unë tashmë jam nënë dhe nuk kam aq uri seksuale, sa të marr rrugën e lënies së djalit pa baba…
-Ke shkuar me tjetër, jam i sigurt!
-Ku i ke provat, more shpifës ordiner? - i shfryu Frida me përbuzje.
-I kam…
-Tregoi t'i dëgjoj!
-Do t'i dëgjosh në gjyq. Do të të ndaj unë dhe djalin e mbaj vet ! Do të të ndaj dhe bile sa më shpejt. Ja, qysh sot do shkoj të bëj kërkesën për divorc! -shpërtheu Tori eksplozivin e fundit dhe la prapa vetëm tym e pluhur.
* * *
Këtë dialog e tregoi Frida, pasi ishte ndarë përfundimisht prej tij, pa kurrfarë provash për tradhëti bashkëshortore. Divorci ishte pranuar nga gjykata vetëm me ngulmin e Torit, për mospërputhje karakteresh dhe dizarmoni familjare të pashpresë.
Pjesën tjetër e dëgjova me veshët e mi pas shtatë muajsh. Ishim duke pirë kafen te shtëpia e babait të saj, Alqit, inxhinier ndërtimi, njëherësh edhe miku im. Mamaja e Fridës hyri sërish në dhomën e pritjes dhe tha me fytyrë krejt të zverdhur:
-Ka ardhur ai Tori, kërkon të shohë djalin...
Alqi u trondit papritmas dhe e vërejti ngultas. Por duke dashur të zbusë shqetësimin e saj, u shpreh butësisht:
-Ndonëse gjykata ia la djalin sime bije, unë nuk jam aq pa shpirt sa të pengoj takimin e tij me fëmijën...
-Ka thënë atje, nuk dua asgjë vetëm ndarjen, djalë bëj tjetër, se do martohem me një përsëmbari... -ia priti mamaja e Fridës gjithnjë e tendosur. -Ç'kërkon ai tani?
-Kërkon trutë që i kishte mangët atëherë! -tha Alqi sërish me pamje të shtruar, por kuptohej që përbrënda kishte tallaz. -Do ta lëmë ta shohë të birin, nuk e kemi zemrën gur!
Mamaja e Fridës u prish sërish në fytyrë.
-Atë surratdreq nuk e fut më në shtëpi unë, sikur të bëhet kiameti. Se ia kam bërë respektet aq sa nuk i kishte merituar !...
-E, moj, e, - u orvat ta qetësojë Alqi. - Sidoqoftë, ai s'është i vetmi, ka edhe të tjerë që pështyjnë dhe kthehen e lëpijnë...
-Mirë, mirë, po në ç'vend do ta lëmë ta takojë ? - tha mamaja e Fridës me dridhje duarsh.
Alqi u mendua një grimë me vështrimin rrëshqitës nëpër dhomë.
-Ndofta në oborr...
-Po sikur ta rrëmbejë e t'ia mbathë, tani që djali e ka të ëmën në punë? Se një qëllim e ka ai që vjen pas kaq muajsh…
Alqi u mendua sërish. Dhe befas, sikur të kishte gjetur zgjidhjen e enigmës, m'i ngjiti sytë mua:
-Shkojmë bashkë te klubi këtu pranë? Zëmë një tryezë te dalja. Në mënyrë që ai të mos ketë mundësi për veprim të paramenduar dhe e lëmë me djalin në thellësi të lokalit.
Ashtu bëmë. Morëm Orionin pesëvjeçar për dore dhe pasi takuam të atin jashtë derës me një përshëndetje modeste, u nisëm për te lokali. Djali kolopuç kishte marrë nga i ati vetëm sytë dhe ballin, të tjerat ishin nga vlerat e spikatura të Fridës. Kurse Tori "plangprishës" ishte një nëpunës i zakonshëm rreth të tridhjetave. Disi i pakët nga trupi dhe fytyrëmprehtë. Dukej tip nervoz dhe i papërqëndruar. Qysh në hapat e parë, nuk duroi dhe iu ngjit djalit me të puthura të përmalluara. Pas kësaj, në fytyrën e tij më zunë sytë dy rrëke lotësh, që iu shfaqën befas si dëshmi e vuajtjes së vetj dhe ai i fshiu në çast. Zumë vendet në lokal. Teksa Alqi kishte qëndruar pothuajse me shpinë, unë u ula përballë Torit dhe djalit. Ndjeja ngasjen, që më shtynte pareshtur të shuaja kërshërinë time, duke vërejtur lëvizjet dhe shprehitë e fytyrave të tyre.
Ndërkohë që djali kishte qëndruar paksa i huaj, duke e vërejtur të atin me kureshtje, Tori porositi kamerierin për kafe dhe çokollatë. Herë pas here ai i fërkonte të birit kokën, e shtrëngonte pas vetes dhe e puthte ku të mundte si i limaksur. Djali vazhdonte të qëndronte para tij, pothuajse i ngrirë dhe shpesh kthente kryet nga ne. Çokollatën e mori por nuk e hapi. Sakaq i ati i fliste pareshtur, duke u përkulur para tij me një buzagaz të ngrirë në fytyrë. I puthte me përgjërim flokët, dorën, gishtat. Por djali në të shumtën e kohës ulte kryet dhe i pavëmendshëm ndaj tij, bënte vizime me gisht mbi tryezën prej duralumini.
Duke kundruar këtë skenë të përsëritur gjatë, kaluan pothuajse dy orë. Djali i mërzitur e i lodhur nga breshëria e fjalëve të derdhura mbi të, më në fund u shkëput prej të atit pa kurrfarë emocionesh të jashtme. Ai erdhi te tryeza jonë dhe pas gjithë asaj ftohtësie që kishte mbajtur në fytyrë me të atin, i buzëqeshi gjysh Alqit e iu hodh në qafë.
Pas pak u afrua te tryeza jonë edhe Tori. Kishte shenjat e një vuajtjeje të thellë, që binte në sy edhe te cepat e buzëve të zbardhura, nga lodhja maksimale e kordave zanore.
-Më qëndroi shumë ftohtë, - tha i pezmatuar pa u ulur në karrige, - si duket i keni folur keq për mua!...
Alqi e vërejti me sy shigjetues dhe e ftoi të ulet, për ta sqaruar me ton të ulët. Tori u ul bindshëm. Përdridhte gishtat në gjendje të pavetëdijshme, duke mbajtur kryet pothuajse ulur. Sakaq, krejt papritmas Alqi iu drejtua Orionit të vogël:
- Ori, puthe babin, hë të lutem!
Vogëlushi vështroi një grimë herë të atin, pastaj gjyshin dhe bëri një spostim të trupit prapa.
-Jo. -tha dhe njëherësh me doçkën e vogël tundi gishtin tregues.
-Pse? -shprehu habi gjyshi duke e kundruar fëmijën me vërejtje.
-Nuk e kam xhan… Ai na la për fare mua dhe mamin tim…
Tori, që deri atë çast priste me sytë kureshtar, uli kryet mbi gjoks. Ajo logjikë mosfalëse, e shprehur aq thjeshtë nga goja e fëmijës së tij, e goditi më rëndë se shpulla e një të rrituri.
Atëherë, Alqi pastroi fytin lehtas dhe me një vështrim sarkastik iu kthye Torit, duke e vërejtur ngultas:
-Ta kesh të qartë, pra, se emri yt nuk është përmendur fare në shtëpinë time, qysh kur ti braktise famijën dhe preve brutalisht të gjitha fijet lidhëse me ne. - tha krejt i qetë në dukje.
-Kam qenë i detyruar nga keqësimi i marrëdhënieve bashkëshortore! -u shpreh i brengosur Tori.
-Ato janë zgjedhjet dhe zgjidhjet e tua. - ia preu shkurt Alqi.
Tori u përtyp thatë dhe u mbush me frymë. Dukej sikur diçka të rëndësishme donte të nxirrte nga thellësitë e brendshme të tij, por nguronte. Pas pak murmuriti nëpër dhëmbë:
-Sidoqoftë, kam ndjerë se deridiku jam nxituar...
Alqit i rrëshqiti një nënqeshje e lehtë qesëndisëse.
-Ajo dramë luhet vetëm një herë dhe është mbyllur përfundimisht nga vetë aktorët. -ia priti me shprehje kategorike. -Ne, të tjerët, jemi vetëm spektatorë. S'kemi asnjë të drejtë dhe as nuk na ka hije të dalim në skenë për të bërë karagjozllëqe palaçosh pas kaq kohësh. Si ndërtues, unë sapo pashë murin e lartë që ke ngritur me zell të madh, të cilin djali yt nuk e kapërcen dot, por as ti vetë. Mund të vish ta shohësh djalin edhe herë të tjera, po qe se dëshiron. Derisa ai të jetë në gjendje të gjykojë vetë për t'u takuar me ty. Lamtumirë!...
Alqi brofi i pari, mori djalin përdore dhe ne dolëm nga klubi. Nga kërcimet lodërtare gjithë gaz, kuptohej qartë, se Orioni i vogël ndjehej tashmë mes nesh krejt i lehtësuar.
Pasi u largova nga shtëpia e mikut tim, kalova padashur përskaj lokalit. Tori vazhdonte të ishte aty, i ulur te tryeza ku e kishim lënë dhe kishte porositur alkool. Ndoshta te gota e vogël kishte gjetur mikeshën e madhe të ngushëllimit të vetvetes.
Në ecje e sipër, nga një shoqërim idesh të çastit, m'u kujtua befas vargu i këngës popullore "Kur pata një lule të bukur, thashë se do ta kem përherë…"</