TË BËHESH KRIMINEL


        Bazi e filloi rrëfimin e ngjarjes me gratë zadrimore.
-Janë aq të pashme, sa të marrin në qafë ! –tha duke shprehur siguri të plotë. –Dhe e vërteta është se ka bërë vaki që shumë burra janë marrë në qafë prej bukurisë së tyne. E tillë, me bukuri që të merrte sytë ishte edhe nusja e Franit…
Fotografinë e saj, Bazit ia kishte treguar vet krimineli Fran, te kampi i të burgosurve në Batër të Martaneshit. Bazi nuk ishte i burgosur, ai shërbente në atë minierë si zjarrmëtar për ndezjen e minave, punë me eksploziva kjo, që kurrësesi nuk mund t’u lihej në dorë të burgosurve.
Më tej Bazi tregoi, se nusja e Franit, e stolisur si ditën e parë të martesës, ndonëse kishte lindur vajzë para katër vjetësh, dukej si e martuar atë ditë, kur brigadier Pashuku tentoi ta shtinte në dorë. Frani punonte në prashitje bashkë me të shoqen, por atë ditë ndodhej në zborin ushtarak. Brigadieri u përpoq ta kapte nusen e tij, teksa ajo shkoi të pinte ujë nga shtama e lënë për t’u ftohur te kanali në fund të arës. Por Dila i rrëshqiti nëpër duar dhe i thirri vajzës katërvjeçare, që luante nën hijen e një peme aty pranë. Në mbrëmje, ajo i tregoi të shoqit, duke iu lutur të bënte sikur s’dinte gjë për këtë rast, të cilin brigadieri mund ta mohonte. Dhe të priste derisa ai të bënte ndonjë përçapje tjetër, të pikasur nga vetë Frani.
Frani ishte atëherë njëzeteshtatë vjeç, djalë i qetë i matur dhe i fuqishëm. Tek prashiste misrin, ai mundohej të përzinte zhapinjtë dhe breshkat e vogla, për të mos i goditur padashur me shatin e tij fluturues nga shpejtësia me të cilën punonte.
Pas një jave, do të shkonin për ngushllim, te një fis i tyre në fshatin fqinj. Dila ishte pa qejf atë ditë dhe qëndroi te hieja bashkë me vajzën. Frani i bëri të dy normat vet dhe në orën gjashtë të mbrëmjes thirri brigadierin të merrte në dorëzim punën e kryer. Brigadier Pashuku, që ishte edhe sekretari i organizatës bazë të partisë, erdhi si gjithmonë, me pamjen e tij të rëndë e me pistoletën te vendi i dukshëm i ripit të mesit. I ra arës kryq e tërthor, duke i vringëlluar sytë herë pas here nga nusja nën hijen e dushkut. Në fund tha me ton autoritar:
- Nuk e keni ba punën me cilësi !
- Ku ka bimë të paprashitun e bar të pahequn? - e pyeti Frani me habi.
Brigadier Pashuku i tregoi ca tufa bari rrëzë kanalit dhe nën degët e një ferre, ku nuk kishte as një rrënjë misri.
- Ja, nuk e keni prashitun mirë ! –ngulmoi ai, duke patur parasysh, se Frani kishte babanë në burg, të dënuar për agjitacion e propagandë. –Ju bani punë me hile, për me ia hedh kooperativës…
- E kemi ba punën si gjithë të tjerët, e mos ma mirë. –ngulmoi Frani sërish i matur në përgjigjet e veta.
Brigadier Pashuku hodhi sërish sytë nga hieja e dushkut dhe tha me ton të lartë që të dëgjohej në largësi:
-Mos e zgjat, ke me e prashitun për së dyti, se unë ta quaj edhe sabotim e të çoj aty ku kam çue babën tat !
Frani e kundroi brigadierin me sy të mprehtë.
-Jo, bre, jo, babën në burg nuk ma ke çue ti, po partia e qeveria…
Brigadieri i hodhi një vështrim të pjerrët dhe nënqeshi me qesëndi.
-Partia e qeveria në këtë katund jam unë, e unë ia kam ba letrat për në burg tyt eti !
-E tash mos don me m’i ba edhe mue?…- shqeu sytë Frani me një tendosje të brendshme.
-I kam gati, me të çue edhe ty ca vjet sa me u shtrue…- vijoi sekretari i organizatës me këmbënguljen e tij të paturpshme.
Frani e ndjeu veten të rrezikuar nga gatishmëria e ligë e këtij njeriu dhe i vrundulluan nervat
-Po çka don me ba tjetër ajo fytyra jote e keqe? - i shfryu duke turfulluar me urrejtjen që iu rrit si zjarri nga era.
Brigadier Pashuku u bë spec në fytyrë dhe instinktivisht mbështeti dorën te pistoleta.
-Pas letrave, kam me ta shkërdhye dhe atë që ke aty nën hije! - i tha me guximin e armës e me përbuzje kërcënuese.
Befas, Franit iu ngjit i gjithë gjaku i trupit në kokë e gati po i shpërthente truri si minë. Ai tentoi të frenonte stuhinë nervore duke menduar një çast pasojën, por tani asnjë lloj frike nuk mund të ndalte zemërimin e kobshëm të tij. U lëshua furishëm mbi të, e kapi për gryke dhe me grushta e shkelma shkallmues e shtriu përtokë. Dhe kur e pa që Pashuku çoi dorën te brezi, ia hoqi pistoletën nga këllëfi dhe u tërhoq mbrapsht për pak sekonda. Por në atë grimë kohe, me brigadierin e trullosur te këmbët dhe me armën e tij në dorë, Frani dëgjoi brënda vetes një zë që i thoshte, se tani në burg se në burg kishte për të shkuar. Si mund ta linte Pashukun të gjallë e pas fustanit të Dilës, për të cilën ai i bëri presion të hapur…Atëherë duhet ta çonte deri në fund shkulmin e zemërimit të vet. Nxori thikën me dy presa nga këllëfi, që e mbante në xhepin e prapmë të pantallonave dhe ia hoqi kokën nga trupi, siç kishte therur derrin e tharkut për dimër.
- Or Fran, ç’ka dreqin bane ashtu? –klithi e shoqja e tmerruar nga larg duke mbajtur të bijën, mos i rrëshqiste nga duart për të shkuar tek i ati.
-Atë që deshi me na e ba ai ne, ia nisa letrat për në atë botë ! –tha Frani dhe me kokën e Pashukut të kapur për flokësh u nis për te kanali, të lante gjakun e spërkatur në fytyrë e mbi këmishë.
Pasi u la, e u shkund mirë, gjeti një thes nitrati bosh dhe futi aty kokën e brigadierit. Mandej shkoi te hieja e dushkut, përqafoi të bijën e tmerruar dhe i tha së shoqes fytyrëprishur :
-Qëndro si burrneshë, oj Dilë! Paska kenë shkrue mos me jetue të qetë në punën tonë të paqme…Unë që s’kam vra nji zhapi, u detyrova me vra nji njeri…
-Po pse e vdiqe krejt, or Fran, - i tha e shoqja e zverdhur si limoni.
-Më tha fjalën ma të randë që mund t’i thuhet nji burri për gruan e vet.
-Uh, ça kena me hek prej vrasjes së tij…- psherëtiu hidhur ajo.
-Burgu nuk ashtë për qentë, po për burrat. Rrit vajzën tonë e më prit, se kam me ardhë nji ditë të bardhë. – tha Frani dhe pasi e përqafoi gruan, mori thesin e u nis për t’u dorëzuar në policinë e Lezhës, bashkë me kokën dhe pistoletën e brigadier Pashukut.
-Të gjitha shkallët e gjykimit e dënuan me pushkatim. -vijoi Bazi të tregojë ngjarjen e kriminelit Fran. –i fundit, Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ktheu me 25 vjet burg, për arsye, se Frani e kishte kryer krimin në kushtet e një tronditjeje të fortë psiqike…
Dhe ja, njëri nga rezervatet kryesorë të vendit, ku mbaheshin krijesat e egërsuara shqiptare, ishte burgu i rrethuar me tela i minierës së Batrës, në Martanesh të Burrelit. Aty midis maleve të lartë, ku gëlonin të izoluar në punë afro dymijë të dënuar, u çua të nxjerrë krom nga nëntoka metalifere edhe krimineli Fran.
Por vajtja e tij në atë vend, ishte si rënia e zhurmshme e një meteori të ndezur, i cili përveçse djeg vetveten, futet edhe thëllë nëntokës. Në ngjasim të çuditshëm me nëntë rrathët e ferrit të Dantes, edhe ferri i minierës së Batrës kishte nëntë kate nëntokësorë. Krimineli Fran u çua pikërisht në katin e nëntë, për të punuar vagonist. Mirëpo i dënuari që kishte hequr një kokë njeriu nga supet, kishte mbi supet e veta një kokë, që nuk mund të përkulej kurrësesi në një punë të tillë. Frani deklaroi me zë të lartë para të gjithë autoriteteve të burgut:
-Jam dënue me burg, jo me punë për Enverin e Partinë!
Atëherë u dha urdhër t’i viheshin në duar hekurat gjermanë me flutur dhe për tetë orët e punës të lihej te dera e minierës, i lidhur me zinxhirë pas një shtylle. Në mënyrë që të zgjidhte më të pëlqyerën, mes zinxhirëve dhe vagonit nëntokësor. Shkopinjtë prej gome të policëve, shiu dhe bora filluan të binin pareshtur mbi atë kokën e tij më të fortë se metali i kromit, gjatë gjithë orëve të turnit të natës. Por mbi të gjitha duhej të duronte të ftohtit proverbial të Batrës, kur temperatura jashtë arrinte në dimër zbritjen rekord, njëzetekatër gradë nën zero. Dhe ai i duroi të gjitha, duke iu kundërvënë torturës me thirrjet bombastike: “Poshtë Enveri, Mehmeti, Kadriu, Çela!”. Duke kaluar kësisoj nga i dënuar për krim edhe në sferën e armiqve të politikës.
Por gjithësesi fitoi. Britmat e tij publike, ishin për komandantin e burgut më kompromentuese se qëndimi i lidhur pas shtyllës. Me urdhërin e tij, pas shtatë ditësh Frani u la i lirë të sillej pa punë brënda kampit. Ndërkohë komandanti lajmëroi eprorët e vet, se ky i burgosur paraqiste rrezikshmëri për arratisje dhe duhej hequr me urgjencë nga burgu i tij.
Kështu, me karakteristikat e qendisura bukur nga kampi nën qiell të hapur, krimineli Fran u çua në qelitë e thella të bodrumeve të dheut, tek i famshmi burg i sigurisë së lartë në Burrel të Matit. Por edhe aty, rrokullima tij prej guri ende nuk kishte zënë vend. U rrah me shokun ofendues të dhomës, një gjigand i vërtetë, që të gjithë i trembeshin si djallit. Dajaku shkoi deri aty, sa listelat e të dy lesave të krevatëve prej druri u thyen të gjitha mbi shpinat e njëri-tjetrit. Dhe pas ndeshjes katër orëshe, dora e fitimtarit, që u ngrit përpjetë nga policët tifozë të burgut, ishte ajo e krahut të gjakosur të Franit. Ai i kishte dhënë kundërshtarit goditjen mortore duke e lënë të vdekur te këmbët e veta.
Për këtë vepër të re kriminale, Frani u dënua me tre vjet burg shtesë, dhjetë vjet internim pas burgut dhe me pesë vjet heqje të së drejtës për të votuar. Pas kësaj rritjeje të shkallëzuar të shpirtit të tij të kriminalizuar, Frani solli ndërmend çastet kur nxirrte nga ara e misrit zhapinjtë e kooperativës, për të mos hyrë në gjynah dhe befas pyeti veten: “A unë jam ai Fran Ndou mëshirues?… Bre, sa larg paskam shkue!...Sa shumë qënkam egërsue!...
Pasi kishte mbushur vitin në burgun e Burrelit, u gjet pa vend mbajtja e një krimineli te birucat e politikanëve. Frani vetëm mund të vriste njerëz, po nuk mund të arrinte kurrësesi në nivelin e rrezikshmërisë shoqërore të politikanit, i cili vriste regjimin. Dhe e çuan sërish në Batër. I njohur tashmë si “I tmerrshmi burgjeve” që nuk përtonte të të merrte shpirtin edhe për një fjalë goje, e lanë sërish pa punë. Të futej në galeri sa të shtynte kohën. Ky përjashtim në të gjithë kampet e të burgosurve, bëhej vetëm për të.
Nga mesi i viteve shtatëdhjetë, për efekte politike, u bë një falje e të moshuarve të dënuar për agjitacion e propagandë. Konsiderohej, se tashmë gjuha e tyre e ngrirë nga heshtja e gjatë ishte paralizuar, truri i goditur nga stresimi shumëvjeçar ishte atrofizuar dhe dhëmbët kafshues për regjimin u kishin rënë tërësisht. Babai gjashtëdhjetëvjeçar i Franit u lirua nga burgu i Spaçit dhe shkoi në Batër të shohë të birin. Në takimin special te oficeri i rojes, plaku gjeti momentin dhe ia bëri me shenjë të dilte nga galeria që të arratiseshin bashkë.
Atë mbrëmje Fran Ndou hyri në turnin e tretë deri te dera e galerisë. Aty u ndezi sobat policëve, duke vënë poshtë qymyrit të drurit edhe qymyrguri. Madje edhe ushtarit roje te kabina jashtë telave i çoi një mangall me prush, për të përballuar të ftohtin e madh. Dhe kur pa se ata i kishte kapluar gjumi, u shtri në njërin nga vagonat e mbushur përgjysmë, te elektrovozi që doli jashtë pa u kontrolluar atë mesnatë të akullt.
Hapësira rretheqark ishte mbuluar me gjashtëdhjetë centimetra dëborë të ngrirë dhe temperatura kishte arritur kulmin e rënies së saj. Frani vrapoi gati fluturimthi për te Pisha e Batrës, ku ishte stacioni i autobuzit të punëtorëve. Babai e priste i fshehur pas një dëllënje. U nisën menjëhëherë në drejtim të “Lugut të Gjatë”. Qëllimi ishte kthyer në forcë e nxehtësi fizike për të përballuar stërkëmbshat e akullit, thikat e erës dhe rengjet e errësirës. Por pas një ore, ata ishin futur gabimisht në një repart ushtarak zboristësh.
-Ndal, ku shkoni ju aty! – thiri roja në errësirën e zbardhëlluar të borës.
-Jemi sondistë, na u ka bllokue sonda po paskemi ngatërrue rrugën !…- shpjegoi Frani.
U kthyen mbrapsht. Pas pak doli hëna dhe sipërfaqja e akullt filloi të shkëlqente si ujë argjendi. Më së fundi ata dalluan pikat orientuese dhe morën drejtimin e “Liqenit të Sopës”. Duke ecur të përkulur e pothuaj këmbadoras, nëpër trashësinë mbi një metër dëborë, papritmas ranë në një piramidë kufiri, ku ushtari ruante në pikën e vet të vrojtimit.
-Babë, -i pëshpëriti në vesh Frani, - arritëm në Jugosllavi !
-A mos je verbue, or bir, nuk e shef ti yllin e Enverit në kapelen e ushtarit ?... Ban kujdes të kthehemi djathtas e të biem në Drin !... – vërejti i ati, vështrimi i të cilit, ndryshe nga ç’mendohej, ishte mprehur në qeli. Vitet e errëta e tragjike që kishte kaluar në burg s’kishin mundur ta mposhtnin dot këtë skifter plak.
Ishte ora tre pas mesnate, kur ata me mjaft shkathësi e pa u ndjerë hapën telat e rrezikshëm të klonit. Kaluan Drinin e ngrirë dhe në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit dolën në Shehër të Dibrës së Madhe. Dolën bashkë me diellin dimëror që ndriçoi fytyrat e tyre, ku sapo kishte filluar të rrezatohej gëzimi.
Më tej udhëtuan me autobuz për në Beograd, ku kërkuan strehim politik. Pas verifikimeve, që vërtetuan se ishin të dënuar nga sistemi komunist i Shqipërisë, ata shfaqën dëshirën të përcillen në Amerikë. Organet jugosllave, të gatshme për të shkarkuar nga vetja andrallat e strehimit aty dhe të prirura për të tilla veprime ndaj fqinjës gjuhëashpër, i nisën me fluturimin ajror drejt hapësirave të pamata të lirisë përtej Atlantikut.
Pas zallamahisë që shkaktoi lajmërimi i Ministrisë së Brendëshme për thyerjen e kufirit, pas kalimit në gatishmërinë numër një të të gjithë reparteve të ushtrisë e policisë së rretheve të Veriut, pas numërimit disa herë një për një të të burgosurve dhe përcaktimit se kush ishte arratisur, ministri i brendshëm, i ardhur me urgjencë në Batër, shkarkoi katër policë dhe u dha vërejtje të rëndë të gjithë kuadrove kryesorë.
Bazi, që bënte pjesë në personelin e minierës dhe hynte shpesh në zyrën e komandantit të kampit, për të firmosur urdhërat e furnizimit me eksploziv, u bë kureshtar për një pliko me shumë vula postare të huaja, të ardhur ato ditë mbi tavolinë. Dhe komandanti ia dha letrën ta lexojë:
Zoti komandant,
Sot që po u shkruaj këtë letër jam në Amerikë, qyteti Nju York, lagjja Manhatan, klubi “Pranvera” tavolina numër shtatë. Me arratisjen time nga ai kamp i të burgosurve, shpëtova unë, shpëtove ti, shpëtuan edhe ata të tjerët që do kisha vra po të qëndroja aty. Në këtë vend të mbarë, me qeveri të mbarë, e me njerëz të mbarë, kam fillue edhe unë me u ba njeri i mbarë, siç isha në kohën kur, në katundin Zadrimë të rrethit të Lezhës në Shqipëri, nuk vrisja dot një zhapi e më pas ma shkallmuen shpirtin, aq sa me u ba krimineli numër nji.
Të fala shokëve të mi që vuajnë aty.
Fran Ndou