TË KESH ZILI                    TË ÇMENDURIN


                                    Tregim
        Kur arritëm në qendër të fshatit, ndaluam disa minuta te salla e freskët e shtëpisë së kulturës. Pas pak aty hyri një mesoburrë i thatë, me flokët e ballit të degraduar në push të hollë, të verdhëremë. Ai i përshëndeti të gjithë me përzemërsi. Mua më shtrëngoi dorën fort dhe duke më vështruar buzagaz, u ul në karrigen pranë. Ishte drejtori i shkollës së mesme të zonës. Quhej Bezat. Në fillim kuvënduam mbarë e prapë dhe ai më bëri shoqëri deri në lokalin e fshatit, ku kishte kos delje, si për ta prerë me thikë.
Pasdite, krejt rastësisht, Bezati më tha:

        -Do të të flas për njeriun më të çuditshëm, që kam parë gjatë viteve që punoj në këtë fshat. Është një i çmendur, që pikturon aq bukur, sa të lë me gojë hapur. Dhe të mendosh, s'ka bërë asnjë shkollë për atë punë dhe as ka dalë nga fshati për të parë ndonjë piktor diku gjetkë. Ai ka edhe një emër që ua shton gazin njerëzve, quhet Gjelok Pula... Si duket, me emrin prindërit e tij kanë dashur t'i kompesojnë mbiemrin e trashëguar.
I kredhur, siç isha, në përfytyrimin e atij njeriu, më pushtoi një kureshtje e tillë, që më bëri të më fshihen nga mendja të gjitha qëllimet, për të cilat kisha shkuar në atë fshat malor. Ky fakt i çuditshëm më interesoi aq shumë, sa vendosa që bashkë me Bezatin t'i shkojmë menjëherë në shtëpi.                         

        Në banesën e tij shkohej lehtë, sepse ndodhej në fund te kodrinës, ku kishim ndaluar ato çaste. Pasi zbritëm shkarëzimin nëpër një rrugicë dredha - dredha, u gjëndëm në një vend të thelluar, që ngjasonte me sheshin në fund të shkallëve të një amfiteatri të lashtë. Mjedisi përqark ishte qerthulluar nga blerimi i dëndur i drurëve të gështenjave dhe mes tyre ndodhej shtëpia dykatëshe e sapondërtuar e Gjelok Pulës.                                
        Qëkur kam qënë i vogël, nuk më ka pëlqyer kurrë t'u afrohem të çmendurve. Jo nga frika, po sepse ndjej një keqardhje sfilitëse, kur e shoh njeriun të ketë përfunduar në atë gjendje të vajtueshme, ku e çon logjika e sëmurë. Veç kësaj, në këtë vend të mbyllur e të heshtur diçka më vuri edhe në marak. Ndaj u ndala dhe e pyeta Bezatin:                                                   
        -Ky piktor Pula, mos ndodh ndonjëherë t'i largohet mbiemrit për t’u bërë gjeli agresiv i emrit të vet?                         
        Bezati qeshi një copë herë me këtë lojë fjalësh.      
        -Jo. -tha pas pak. -Është i heshtur dhe i zymtë. Pothuaj nuk flet fare. Megjithëqë unë e kam parë vetëm nja dy herë. Ai del rrallë nga shtëpia dhe e njoh më tepër nga ç'tregojnë të tjerët.
        Kur iu afruam banesës, na doli përpara një vijë uji, që derdhej në një postaf. Aty pranë një kazan i madh, i zi, avullonte me ca shkulme të bardha, të shpejta. Dy gra të përkulura në një pozicion të padukshëm, që shpërlanin teshat në një govatë të drunjtë, ngritën kryet befas dhe zgjatën qafat, sikur të kishin mbirë nga dheu. Ato na kundruan me një shprehje habie, që vihej re shkoqur në fytyrat e tyre të rrahura nga stina verore.
        -A ndodhet Gjeloku në shtëpi? -i pyeti Bezati pasi i përshëndetëm.
        -Ka shkuar andej poshtë! -ato bënë me dorë nga një grunore e largët me diell, ku korrnin një grup njerëzish të venë në radhë dhe vijuan të na këqyrnin me atë habitjen e tyre të shushatur.    
        -Ky shoku ka ardhur nga rrethi për të parë ato pikturat... -u tha Bezati sa për të shuar kureshtjen e tyre.
        Ato hodhën një çast mbi mua sytë e tyre të ngulmët.
        -Kyçin e mban me vete ai. Shihni aty te dritarja! Ka një të çarë. - tha njëra me shami të zezë te rrëzuar mbi supe.
        Vështrimi i tyre gjithnjë i habitur nuk më pëlqeu dhe më ngjalli dyshim. Lëvizëm drejt ndërtesës me mure guri, ku një palë shkallë të jashtme ngjiteshin deri në katin e dytë. Dritarja që na treguan ishte pa xhama. Pas saj, për të penguar pamjen e dhomës, qe mbërthyer vetëm një stendë emulacioni me beze të kuqe, nga ato që mbeteshin arave. Ngjita nja pesë shkallë dhe u zgjata te e çara e bezes. Ajo që po shihja atë çast aty brënda, ishte vërtetë nje pamje mahnitëse, e cila më rrëqethi shtatin papritmas. Një mori ornamentesh, kuadratesh, figurash plot ngjyra, luzmuan menjëherë në sytë e mi. E çara e bezes së kuqe lejonte të shiheshin vetëm disa fragmente të asaj morie pikturash murale shumëngjyrëshe, që dukeshin sikur vallëzonin pezull në hapësirën prej dyshemesë deri te mesi i tavanit të asaj dhome. U ndeza keqas nga kërshëria dhe i thashë Bezatit të shkonim që atë çast për të kërkuar Gjelok Pulën e ta sillnim të hapte derën.
        Zbrita shkallët aq i hutuar nga vështrimi i ethshëm aty brënda, sa më dukej sikur hidhja ca hapa të shurdhër në një boshllëk të mjegulluar hijesh. Madje pata edhe një marrje mendsh të lehtë. Rretheqark nëpër drurët e shumtë e gjethedëndur të gështenjave, gjinkallat ia kishin krisur këngës në një kor të fuqishëm, monoton e të palodhur. Ne trurin tim u piketuan befas dimensionet abstrakte të një trekëndëshi mahnitës: Blerimi plot freski, kënga gjumëndjellëse e gjinkallave, pikturat shumëngjyrëshe dhe mes tyre Gjelok Pula i hallakatur nga mendja.
        -Si te mos çmendesh në mes të kësaj mrekullie fantastike! -i thashë Bezatit i entuziazmuar.
        Ai qeshi dhe bëri me kokë një gjysmë harku soditës.
        -Ky është vendi më piktoresk i fshatit, -foli buzagaz.
        Kur arritëm te grunorja, grupi i korrëseve i përbërë nga gra e vajza me shami të bardha i lanë drapërinjtë për të mësuar shkakun e vizitës sonë. Dhe si morën vesh që na duhej Gjeloku, ato qeshën e nisën nga qyfyret. Një djalë i vogël rreth të nëntave, e shqiptonte emrin e mbiemrin e tij "Kikiki Kakakaja" dhe shkrihej në gaz bashkë me fëmijët e tjerë. Ndërkaq dikush shkoi e lajmëroi te fundi i një parcele, ku të merreshin sytë nga flakërimi i harbuar i lulëkuqeve. I marri po harbohej edhe vet përmes atij kuqëlimi të zjarrtë.
        Ai erdhi, duke shtrënguar me të dy duart një tufë tepër të madhe me lulëkuqe dhe qëndroi mes grumbullit të njerëzve, që donin të dinin edhe arsyen pse na duhej. Kishim përballë një burrec, të cilit nuk i zgjuam asnjë interes për t'i shkëputur sytë nga tufa e lulëkuqeve. M'u desh ta mposhtja ndjenjën e tmerrit që më pushtoi, kur pashë fytyrën e tij të parruar me ca qime të hirta, flokët e dendur si shkurre, të lëshuar deri poshtë veshëve, vetullat e trasha si dy bishta dhije, sytë gri të futur thellë ballit me një vështrim të errët, të ftohtë, indiferent. Kishte veshur një këmishë kafe të dalëboje dhe pantallona doku blu, që i rrinin aq të gjera, sa dukej si i futur në thes. Ai nuk pyeti përse e kishim kërkuar dhe mua m'u desh t'i jap dorën e t'i them me një zë disi të druajtur:
        -Na pëlqyen shumë ato pikturat e tua... Ti je artist. Po të duash eja na hap derën t'i shohim nga afër!
Gjindja përreth qeshi me epitetin "artist" për të. Dhe atëherë u shtrëngova të them me seriozitet të plotë, se s'kishte asgjë për të qeshur. Pasi ato që pashë nga një e çarë e dritares, ishin punë që mund t'i bënte vetëm një profesionist i zoti.

        Pas kësaj, Gjelok Pula bëri një hap përpara dhe ne të dy me Bezatin e ndoqëm, duke e vënë në mes. Bënte vapë. Rrugës karkalecët e trëmbur brofnin me ca kërcëllima të thata dhe fluturonin trumba-trumba në të dy krahët. Sakaq i drejtova disa pyetje, por ai i kishte fjalët tepër të shtrenjta. Hidhte nga një vështrim të shkurtër pa shprehje dhe ulte kryet, për të parë mirë vendin ku shkelte dhe tufën e lulekuqeve që mbante në duar. Bezati më shkeli syrin për të më dhënë të kuptoj, se s'duhej ta gërmoja më tepër, pasi nuk i dihej. Kjo më detyroi që, sa për të thyer heshtjen, të flisja për vlerat e atyre që dallova nga dritarja. Gjelok Pula kthente herë pas here kryet me një shprehje krejt të papërcaktuar. Megjithatë, natyra e tij e heshtur m'u duk më e pranueshme, nga ajo e disa të marrëve të tjerë, që të çajnë kokën pareshtur me fjalë të kota e alogjizma qesharake.
        Ngjitëm shkallët e gurta të katit të dytë dhe hymë në një korridor të pashtruar. Mbi binarët e dyshemesë ishin hedhur vetëm disa dërrasa plepi të pambërthyera. Gjelok Pula shkelte serbes mbi to dhe u ndal para një dere me prag të drunjtë. Futi dorën thellë në pantallona dhe nxori një çelës të çuditshëm, që e kishte bërë vet. Ishte një tub dy pëllëmbë, me ca dhëmbë metalik të salduar te maja e me një rreth mbajtës te fundi. E ngjeshi thellë në derë dhe e rrotulloi me një kërkëllimë metalike të mbytur. Mandej e tërhoqi me kujdes dhe e futi sërish në brez, si të ishte çelës thesari. Rregulloi një çast drejtpeshimin e vet mbi dërrasën ku kishte qëndruar, pastaj zgjati këmbën e djathtë, rëndoi mbi pragun e derës dhe priti, sikur të ndodhej përpara një enigme. Befas u dëgjua një gurgullimë e rëndë, që zgjati dy-tri sekonda. Dhe dera u hap krejt, duke u futur e gjitha në mur. Ishte diçka si te ajo çelja magjike "Sezam hapu!" Mbeta i stopuar një grimë. Më pas i thashë ta hiqte këmbën nga pragu. Dhe përsëri u ndie ajo gurgullima mistrioze, që e nxori derën nga muri dhe rimbylli dhomën. Atëherë shkela vet mbi pragun e drunjtë dhe vështrova përpjetë, midis një të çare te kasa e derës. Po ç’të shihje! Një mori trungjesh të lidhur me tela çeliku nën çati, kapërtheheshin me njëri-tjetrin dhe lëviznin poshtë e përpjetë, sa herë hapej e mbyllej dera. Pra, i çmenduri kishte zbatuar në mënyrë të përpiktë e autodidakte ligjin e kontrapeshave, të cilat mbanin derën pezull dhe krijonin lëvizjen e saj para-prapa, sa herë shkelej pragu. Ky zbulim më la krejt të shtangur. Thirra Bezatin që të afrohej e të shihte ç'gurgule e mënçur bëhej nën çatinë e të marrit. Në çastin kur hymë brënda dhe u ndie mbyllja automatike e dhomës, hodha sytë prapa derës. Atëherë vura re, se ajo nuk ishte një derë e thjeshtë dosido. Por kishte nga ana e brendshme një trajtim artistik të rrallë. E punuar e gjitha me dru arre, sipërfaqja e saj ishte ndarë në tri pjesë të barabarta. Në secilën prej tyre ishin vendosur nga tri zemra druri, duke formuar në këtë mënyrë nëntë katërkëndësha, që shkëlqenin nga lustra. Kur vuri re stepjen time, Gjelok Pula zgjati dorën serbes dhe takoi një çelës elektrik te cepi i murit. Në derë u ndezën menjëherë tetëmbëdhjetë rrathë me ngjyra, që u ngjanin stopave të automjeteve. Tani ajo dukej si ndonjë portë magjike, që të merrte sytë me vezullimin e saj. U përkula fare pranë dhe vura re, se rrathët e ndritshëm ishin thembra të rrumbullakosura, nga ato pantoflet plastike të grave të prodhuara në Durrës. Transparenca dhe kombinimi i kuadratëve të vegjël, të këtyre thembrave blu, të kuqe, jeshile, të verdha, rozë, saks, violet, krijonte një rëzëllitje ngjyrash, që do të mahniste edhe profesionistin më të specializuar të ndriçimit dekorativ. Përballë saj, të krijohej përshtypja sikur kishe hyrë në skafin e nëndetëses fantastike të Zhyl Vernit.
        Duke pikasur çmeritjen time, Gjeloku çmendurak takoi edhe një çelës tjetër. Dhe këtë e bëri me një intensitet të tillë të lëvizjes së krahut, si të donte t'u jepte ndjesive të mia të tronditura një goditje akoma më të fuqishme. Befas u duk sikur në gjysmerrësirën e asaj dhome leu dielli verbues. Tavani, i ndërtuar i tëri me rrathë prej allçie të ngjyrosur e të ngritur në reliev, nga më i vogli në qendër, deri te më i madhi që pushtonte kupolën e dhomës, ishte plot me llampa elektrike të madhësive të ndryshme, të vendosura gjatë perimetrit të çdo rrethi. Ato vinin duke u hapur në mënyrë valëzuese, nga më e madhja pesëqint watëshe në mes, që ishte dielli, deri te llambushkat më të vogla në rrethin e fundit, të cilat, sipas Gjelokut, ishin yjet. I mposhtur tërësisht nga pushteti i fuqishëm që merrte aty fantazia krijuese e atij marroku, mendova: Kushedi sa ditë e netë punë ngulmuese e rropatëse i qenë dashur Gjelokut të palodhur, për të punuar në pozicionin kryepërpjetë jo vetëm gjithata rrathë me harqe aq të përpiktë, po edhe instalimet e ndërlikuara elektrike përbrënda tyre, të përshtatura për tensione të ndryshme. Pa llogaritur më tej ngjyrosjet në formën e brezave të ylbertë të këtyre rrathëve dhe llampave, me një harmoni ngjyrash, që të bënte për ta patur zili atë mendjen e tij të çmendur.
        Ndriçimi i fuqishëm i tavanit i kishte bërë edhe muret të llamburisnin. Tani reflekset e dekoracioneve të shumta e plot ngjyra, që përhapeshin në të gjitha anët, të godisnin në sy me një shkëlqim lëbyrës. Të katër faqet e murit ishin ndarë në blloqe të barabartë kuadratësh vertikal. Brënda tyre ishin pikturuar të gjithë llojet e zogjve, që këndonin në fshatin e Gjelok Pulës dhe të gjitha lulet e gjethet, që kishin çelur para syve të tij të mprehtë e të kujdesshëm. Motivet popullore, ornamentet floreale dhe gjithë lajlet e tjera simbolike, me linja aq të ndërlikuara, ishin punuar me ca nuanca ngjyrash tepër transparente, që binin në sy menjëherë për origjialitetin e tyre. Kjo më nxiti ta pyes:
        -Ku i ke gjetur këto ngjyra kaq të bukura?
        Ai më hodhi një vështrim zhbirues dhe uli kryet. Mandej drejtoi sytë sërish dhe tha si me përtim:
        -Njashtu...
        -Si njashtu? - ngulmova.
        Gjeloku përsëriti po atë shprehje të errët të fytyrës së tij. Dhe si e pa që unë doja të dija patjetër, tha:
        -I bëra vet...
        -Me çfarë i ke bërë?
        -Njashtu. - tha sërish dhe heshti.
        -Mbase ruan sekretin e prodhimit. -më pëshpëriti Bezati te veshi dhe më ngjeshi supin.
        Mund të ishte edhe kjo. Veçse nuk po kuptoja ku e kishte hallin që s'po hapej në bisedë. Pata përshtypjen, se pyetjet e mërzisnin. Por në reagimet e fytyrës së tij të parruar, vihej re qartë, se i bëhej qejfi që punimet e tij po na pëlqenin shumë. Kjo më nxiti të kërkoj të vërtetën e ngjyrave dhe ngula këmbë për ta bindur, se mund ta ndihmoja duke i siguruar një dhuratë me ngjyra industriale. Atëherë ai kuturisi të më shpjegojë shkurt, se i përgatiste nga lulet e ndryshme, nga gjethet dhe rrënjët e bimëve, duke i zier me kripë e limontos. Për këtë qëllim e kishte mbledhur edhe atë tufën e madhe me lulekuqe, me të cilën u prezantua para nesh.
        -Or po ç'i do llafet, ky qenka mjeshtër! -tha befas Bezati.
        Unë buzëqesha dhe vijova të sodis fundin e mureve. Deri në lartësinë një metër e gjysmë nga dyshemeja, dhoma ishte veshur rretheqark me fileto ahu, të krijuara prej dërrasash të zgjedhura me damarë të errët në formë rrëkera ujërash. Ato ishin kanalizuar hollë dhe ishin llakuar me rrëshira pishash e kumbullash, që i kishte mbledhur vet dhe përpunuar aq mjeshtërisht, sa dukej sikur veshja e drunjtë qe mbuluar me një cipë të hollë qelqi.
Mandej oxhaku ishte një mrekulli më vete. I punuar i tëri me gur të butë, ai kishte formën e një gjarpri të madh, të spërdredhur e pulla-pulla. Bishti i tij përfundonte në tavan dhe goja hapej mbi vatër sa gjerësia e saj. Gjuhën e këtij zvarraniku të gurtë, që i shëmbëllente një dragoi kinez plotë kolorit, e përbënin dy çengelët me zinxhirë të gjatë ku vareshin kusitë. Kuptimin e plotë të këtij kompozimi e jepte ndezja e zjarrit flakërues.

        E pyeta Gjelokun ku e kishte parë këtë tip oxhaku dhe ai tha:
        -Në mëndje...
        Çfarë nuk shihte ai në atë mendjen e vet, ku fantazia pleksej me marrëzinë!
        Te vatra e shtruar me ngjyrim të kuq, përgatitur me çimento dhe tjegulla të shtypura, më tërhoqën vëmendjen dy kapakë alumini. Kur i zbulova vura re, se ishin dy tenxhere të vogla të ngjeshura rrafsh me vatrën. Fundet e tyre kishin nga një vrimë në mes, ku ishin lidhur tuba të padukshëm, për të përcjellë jashtë dhomës ujërat e shpëlarjes së filxhanëve të kafesë. Në të dy skajet e kornizës prej dru lisi të vatrës, gjendeshin dy butona të bardhë, të bërë prej kocke kali. Shtypa njërin dhe befas kanatet e dritares anësore ia bënë "shtrak", duke u hapur tërësisht, deri sa takuan takot prej gome në mur. Shpjegimi gjendej brënda logjikës që vepronte në tërësinë e gjërave të krijuara prej tij. Kur të frynte erë e fortë e të kthente oxhaku, ajri i dhomës mund të pastrohej, pa qenë nevoja që Gjeloku të çohej prej qoshes së zjarrit. Që të bënte kësisoj jetën e një pashai, ndonëse i publikuar si i çmendur.
        Duhej një ditë e tërë për t'u njohur me të gjithë potencialin e krijimeve, ku kishte derdhur pasionin e vet Gjelok Pula, në arte, zeje, ndërtime, sajime, adoptime, shpikje dhe përdorime teknikash të shumëllojshme e origjinale. Ishte një tërësi voluminoze punësh të akumuluara prej disa vjetësh, që shkonte nga kanapetë e rehatëshme anësore me mpleksje rrypash kamardarje, deri te krevatët perandorak për vete e për djalin, kokat sferike dhe gdhendjet artistike të të cilëve të habisnin. Më tej sëndyqet e valixhet e vizatuara me penela të bërë nga bishti i kalit, me susta që hapnin vrikthi kapakët e tyre, me bravat e çuditshme të bëra prej gëzhojash të verdha. Si dhe një mori sendesh të tjera, të lindura nga mitra aq pjellore e fantazisë së tij. Elementet e rëndomtë të tokës, druri, metali dhe guri, pasi bini në duart e tij magjike, bëheshin elemente jetësor, me bukuri të veçantë dhe përdorim komod.
        Pak nga pak, në trurin tim të ndezur u ravijëzua tërësisht një dilemë e madhe, që më ishte gozhduar në mendje qysh në kontaktin e parë me produktin e materializuar të mendimit të këtij njeriu. Si ishte e mundur që i çmenduri të bënte krijime të tilla? Arti i punëve të tij kërkonte një mprehtësi mendore të tejkaluar, nga ajo logjika e rëndomtë për punë të zakonshme e njerëzve të tjerë të kësaj krahine, ku ky person ishte shfaqur si përjashtim. Mos vallë këtë përjashtim quanin këtu çmenduri?...Monomania e tij fisnike, që arrinte deri te pasioni i harbuar i të çmendurit, ishte një provë e gjallë, se asgjë e jashtëzakonshme dhe e bukur nuk arrin të krijohet, pa përqëndrimin e plotë të mendjes e të shpirtit. Faktor i vetëm ky, nga i cili kanë lindur të gjitha mrekullitë e mëdha të njerëzimit. Paçka se njerëzit e rëndomtë mendojnë ndryshe për vet krijuesin, Dhe duke hedhur sytë një grimë mbi figurën e Gjelokut, aq në kontrast me punën, sikur m'u fashit çdo mendim e më rrëmbeu sërish thirrja e shkëlqimit verbues të artit të tij, që dukej sikur buçiste me tone të larta nga të gjitha drejtimet rretheqark.
        Tashmë kureshtja për dhomat e tjera zuri të trokasë parreshtur në mendjen time. Gjeta rastin t'i them Gjelokut, se ende nuk isha ngopur plotësisht duke parë. Po të donte, mund të na çonte edhe në dhomën ngjitur.
        Ai u step dhe largoi fytyrën nga vështrimi im ngulmues. Mungesën e dëshirës e shprehu edhe me fjalët:
        -Ajo s'bën të shihet...
        Mirëpo njeriu është i prirë gjithmonë për të parë pikërisht ato që s’ bëjnë të shihen edhe kur mbulon trupin aq të njohur. Ndaj iu luta me zjarr të na e tregonte edhe atë dhomë, nëse brënda saj nuk kishte njerëz. Me të njëjtin pasion e përforcoi kërkesën edhe Bezati.
        Atëherë Gjeloku bëri përpara mekanikisht, me një ecje krejt të pavullnetshme. Pasi hodhi disa hapa duke u mbajtur nëpër faqet e murit, për të mos u rrëzuar nga lëkundja e ndonjë dërrase të pambërthyer të korridorit, më në fund ai shtyu edhe derën e dhomës tjetër. U duk menjëherë, se kjo ishte "studioja" e punës së tij. Një rrokopujë sendesh, një çrregullim total, një kaos i vërtetë. Nga mesi i dyshemesë, deri në tavan, ngriheshin në të dy anët rafte të gjatë e të shumtë. Ata ishin bërë prej dërrasash të lidhura me tela çeliku njëra përmbi tjetrën që, në mënyrë të shkallëzuar, formonin kënde të pjerrët. Në ato rafte të rëndomtë gjendeshin çikërrima e rrangulla të çdo lloji, që nga gozhdë të ndryshkura, copëra xhamash me ngjyra të mbledhura rrugëve, pantofle të vjetra, kanaçe, tela, kartona, llastiqe, predha kundërajrori të zbrazëta, kallama kënete, copëra lëkurësh, lëkura gjarpërinjsh, krahë fluturash, dhëmbë ujku, pendë zogjsh, guralecë zalli, brirë lopësh, kocka kuajsh, guacka kërmijsh, bërthama frutash, gogla dushku, boçe pishash, deri te lëngu ngjitës i këmbëve të ziera të bagëtive, që  përdorte si tutkall. Aty përpara, dy dërrasa të brimuara e të kapura me vida i shërbenin si morseta për të punuar drurin. Zdruqet dhe sharrat e të gjitha llojeve, çekiçët, sqeparët, daltat dhe veglat e tjera i kishte sajuar vet në forma krejt origjinale dhe mjaft praktike. Objektet e shumta, çikërrimat e rëndomta dhe grahmat e rënda që përhapeshin prej tyre, më bindën, se i gjithë arsenali, mbi të cilin vepronin duart e tij transfomuse, përbëhej nga mjete krejt rrethanore.
        Si e pa që në fytyrat tona nuk shkëlqeu më ajo habia e dhomës së parë, Gjelok Pula u tërhoq shpejt në korridor. Aty e pashë të udhës ta pyes:
        - Ç'mendon t'i bësh tjetër kësaj shtëpie fantastike?
        -Açesor...-u gjegj pa u menduar gjatë, si herët e tjera.
        -Ashensor?! -ndreqa fjalën me habi, duke menduar, se kjo dëshirë e tij ishte vërtet diçka që mund të merrej si shprehje e tepruar e një të çmenduri.
        -Njashtu. -pranoi në çast korrigjimin. Bezati qeshi me tonalitet të lartë.
        -Po a e di ti, -i thashë me seriozitet. -se për të ngjitur një arkë në katin tënd të dytë, duhet së pari një elektromotor i fuqishëm?
        Gjelokut i shkëlqyen sytë me një dritë sigurie të çuditshme.
        -E kam ble. -tha dhe më tërhoqi për krahu deri në fund të korridorit, ku një alamet pajisje të tillë e kishte mbuluar me një thes plastmasi nga të plehut kimik.
        -E si mendon ta bësh? -e pyeti Bezati.
        -Vajta pashë atë të turizmit…-u gjegj duke shprehur keqardhje. -Po ky që kam gjetur vërtitet shumë...
        -Me një fjalë nuk bën... -shtova.
        -Bën, -tha duke rifituar shprehjen e parë të fytyrës. -Do t'i bëj një rrotë të madhe me dhëmbë, prej dru gorrice, që t'ja uli ca vërtitjen...
        Qesha entuziast, nga bindja se edhe kjo, që dukej si dëshirë prej të çmenduri, kishte një pikënisje logjike. Duke zbatuar parimin e rrotave të dhëmbëzuara, ai do t'ia arrinte patjetër edhe ashensorit. Sepse mbështetjen kryesore për çdo arritje, e gjente te këmbëngulja e tij e tejskajshme.
Kur dolëm jashtë, gjinkallat vazhdonin të jehonin në kulmin e ekstazës së tyre dhe hijet e ngjeshura të gështenjave na grishnin për t'u shtrirë në barin e njomë. Bezati u detyrua tekefundit të pohonte, se ishte befasuar edhe vet nga punët e këtij njeriu, për të cilat në fshat flitej padrejtësisht, si për ca zhgarravina të kota, të bëra nga një dorë e shkujdesur e nivelit të një fëmije.

        Gjelok Pula, i çelur tashmë në krejt pamjen e vet prej fjalëve të mia inkurajuese, më tërhoqi mënjanë. Shprehja e murrëtyer që mori befas fytyra e tij tregonte, se po bëhej gati për të më treguar ndonjë sekret, të cilin nuk donte ta dëgjonte drejtori i shkollës së fshatit përfolës. Pasi u larguam ca hapa nga Bezati dhe e mposhti një çast tronditjen, më tha me një zë pëshpëritës, gati të dhimbshëm.
        -Të tërë tallen e qeshin me mua, më thonë "i çmendur "... Ti pse thua artist?...
        Më mallëngjeu dhe u ligështova shpirtërisht aq tepër, sa më erdhi vërtetë shumë keq për të.
        -Për mua, ti je më i mënçuri nga të gjithë. -i thashë duke i rrahur supet.
        -Po pse më tallin? -shtoi me dhimbje të thellë.
        -Tallen ata që janë prapa botës, që s'kuptojnë nga kjo punë e madhe dhe e bukur që bën mëndja jote.
        Sytë e tij shkëlqyen papritmas me lotë gëzimi dhe filloi të më hidhte ca vështrime plot mirënjohje.
        -Edhe unë çuditem... -pasoi duke fshirë cepat e errët të syve me trinën e dorës. -Shumë herë them me vete, jam vërtetë ashtu si thonë... Po kur i futem punës, mendja më punon si sahat...
        -Mbase duhet të hysh edhe në muhabet me fshatarët. Jo vetëm të punosh i mbyllur.
        -Shkova në korrje sot, ata prapë qeshën!...
        -Mbaje veten si gjithë të tjerët! - i thashë me ton këshillues. -Ata nuk rrinë të parruar e të paqethur. Dhe nuk rrinë vetëm...
        U mendua një grimë herë dhe paskëtaj sajoi për herë të parë një buzëqeshje të trishtme e të nemitur. Mandej m'i mori të dyja duart m'i puthi e m'i lëmoi me dashuri.
        U përshëndetem ngrohtësisht me të dhe u nisëm. Kuptohet vetiu, rrugës isha tepër i ngarkuar me emocionet e forta, që më shkaktuan të gjitha ato sa pashë e dëgjova tek ai njeri dhe i thashë Bezatit:
        -Ndodh jo rrallë, që njeriu i talentuar, me atë pasionin e tij të përqendruar për t'iu kushtuar artit deri në harrimin e vetvetes, ndryshon jo vetëm mënyrën e të jetuarit, po edhe raportet jetësore me njerëzit e tjerë. Mirëpo është fatkeqësi e kohës dhe e mjedisit ku jeton, kur kjo veçanti e tij merret nga të tjerët si çmenduri.
        Bezati u përkul këputi një kërcell të thatë.
        -Pse kështu, ta haj dreqi, pse të mos kuptohet?... - u shpreh me keqardhje të dukshme.
        -S’ke ç'i bën, sepse ekziston një shtresë mediokre, e prapambetur në sensin kulturor. Kjo pjesë me nivel paralel, jo vetëm nuk e kupton artin, po edhe ndjen kënaqësi e argëtohet duke bërë hoka me krijuesin.
        -Mirë s'kuptojnë krijimtarinë e tij, po pse t'i thonë i çmendur e të tallen?
        -Sepse shohin një njeri që u duket ndryshe nga vetja, me veprimin e pazakonshëm, me pamjen e tejkaluar, apo me qëndrimin e veçuar. Dhe kjo i nxit për ta shpotitur e për të amplifikuar vlerësimin e tyre në të gjithë opinionin e gjerë. Siç e pe edhe vet, pakujdesia për formën njerëzore i ka prishur shumë punë përmbajtjes artistike të Gjelokut të gjorë.
        Gjatë tërë ditëve të qëndrimit në atë fshat, s'më hiqeshin nga mendja duart fantastike të Gjelokut, që si me magji shndërronin në ar çdo lloj plehrurine. Ky njeri i çuditshëm dinte fare pak gjëra nga kjo botë. Sepse jeta merrte në sytë e tij trajta reale vetëm kur, prej drurit, gurit dhe ngjyrave plot nuanca, bënte realitet të bukurën e fantazuar nga korja plot frymëzim e trurit të tij. Po ta kishin dërguar me kohë në një lice arti, kjo mendje, në dukje e çalë, do të ishte tani një vlerë për thesarin e përbashkët, që quhet art. Dhe nuk mund të mos mendosh e të të vijë keq, sa shumë talente të pazbuluar vdesin rrëzë maleve, mes pyjeve, apo edhe ndanë fushave, pa i parë kurrë dyert e mëdha të shkollave artistike, në të cilat shpesh shkojnë ata që kanë tepër dëshirë dhe pak talent.