BOREDOMI NË PROZËN E VULLNET MATOS

Fatmir Terziu –  Akademik

Revista “Fjala e Lirë “ Londër UK.

“BOREDOMI” SI ASPEKT I RËNDËSISHËM NË PROZËN BASHKËKOHORE

Tre rryma historike kryqëzohen teksa mban frymën në afërsi të fushës së Domosdovës. Tre fryma ndihen ende aty ndanë udhës kryesore që mbahet rëndë nga endjet dihatëse shekullore që mbijetojnë si balada në anën e këtyre viseve të fshehura në kapakë librash e historish të shkruara e të pashkruara. E në të tria këto është edhe kryqëzimi që të shpie tutje në Rrajcë Skënderbej, Qafën e Thanës dhe më tej ai që të drejton andej nga Goliku e Stravaj. Në të tria këto ardhje nga kohërat për kohërat ndjehet trokthi i Gjergj Kastriotit, shfaqet si në mjegull tymi i Minierës së Hekur- Nikelit në hyrje të Prrenjasit, ende alarmon zhurma e prapshtë e sharrave të Stravajt… E gjitha nga kohërat. Pjesa tjetër e ngecur në kohë. Në një kohë gati gjysëmshekullore. Në një kohë kur edhe shkrimtari shqiptar, Vullnet Mato, do të linte trokamat e penës së tij atyre ahishteve shekullore. Dhe mes kësaj anarkie të ngecjes kohore vjen edhe postulati i George Bernard Show tek “Cezari dhe Kleopatra”: “Kur njeriu është duke bërë diçka është gjithmonë i turpëruar, ai gjithmonë deklaron atë se ajo është detyra e tij”. Pastaj për të ardhur tek ajo që Virgjili theksoi hershëm tek “Aeneid”: “Nga një krim, njihi të gjithë ata si fajtorë”. Por, ndërsa P.B. Shelley tek “Prometeu i Palidhur” thekson se “Varri mbulon të gjitha gjërat bukur dhe mirë” është mjeshtëria e Matos që depërton deri thellë ngulmave vjetroshe të shkulë çibanë dhe mërzitma. Ai me “Damkosje e ëngjëjve” sjell diçka të duhur dhe të munguar në të njëjtën kohë. Po të huazonim një fjalë nga frëngjishtja ennui, do të shihnim qartë se si kjo penë kalibron boredomin, ndjenjën e mërzitjes dhe disadisfaksionit nëpër kuadrate të munguar letrare që frymëzimin e kanë nga jetikja. Alteracioni dhe variacioni artistik që vijnë në formën e një riorganizmi të ngjarjeve e bëjnë këtë vepër të mbetet jo thjesht një dëshmi e vetes dhe rrethnajës, por një diktim arbitrar i eufemizmit, që ai në mënyrën më të plotë e përdor njësoj si kuptimi i parë i saj që vjen nga greqishtja (që të flasësh në mënyrë të favorshme për realitetin). Në këtë eufemizëm është tërësisht pjesa që i bashkohet fatit të njeriut tek “Damkosje e ëngjëjve”.

E veçantë në llojin e saj

Damkosje e ëngjëjve” merr frymë lirisht dhe në mënyrë tipike tejkalon normën e mbingarkesës duke transformuar fjalën, rendin dhe duke promovuar stilin letrar në një kënd të veçantë. Është në fakt një prozë më e organizuar dhe në mënyrë më të çlirët gjuhësore se poezia. Fjalia e Matos nuk fillon me rend të ri, kështu nuk bëhet e mërzitshme. Ajo vazhdon aty ku ka përfunduar fjalia e mëparshme, pasi vetë jetë e tij është e tillë. Ajo nisi në Sarandë ku vetë autori në kapitullin e parë thekson: “Deti në ngjyrë gushë rosaku, kodra ballkon e Sarandës dhe ishulli i Korfuzit. Këto duhet të kenë qenë tri figurat e para që u pasqyruan te retina e syve të mi, ditën kur hapa qepallat dhe me mahnitje foshnjore fillova të dalloj botën e madhe që gjallonte rretheqark. Besoj, këto tri pamje do të mbeten edhe figurat e fundit në çastin, kur t’i mbyll sytë përgjithmonë. Për arsyen e thjeshtë, se vegimi i tyre, nëpër ëndrra dhe kujtime, më është rishfaqur si refren figurativ i çuditshëm, gjatë dekadave të viteve. Kohë kjo, gjatë së cilës, jam endur fillikat, i shkëputur nga vendlindja dhe trungu familjar. Si një shpirt i ndarë nga dashuria e ngrohtë e shpirtrave të afërt. Dhe të gjitha erdhën pas një largimi të dhimbshëm. Për t’u shpëtuar pasojave të damkës së zezë, që më vunë në lulen e ballit të njomë dhe në bardhësinë e shpirtit të panjollosur. Kur isha vetëm dymbëdhjetë vjeç. Babai im pa një ëndërr të habitshme. Kishte hipur mbi një kalë të bardhë fluturues, që endej nëpër lartësitë e krifave të reve. Nën jelet mjegullore të atij kali fantastik, kishte soditur disa qytete të madhërishëm, me shtëpi të bardha, farfuritëse. Një zë i mistershëm, që sillej nëpër qiell, i tha se ishin Korfuzi, Janina, Athina. Vende këto, që ua kishte mësuar emrin vetëm nga historia. Sepse nuk i kishte parë kurrë, veçse në atë ëndërr të mallkuar…(Mato, kapitulli i parë), për të vazhduar më tej me Librazhdin e skutat e tij mes Hotolishtit e Stravaj. Në këtë prozë të Matos shpesh kuptimi shprehet me shumë fjali, fraza të tëra për të përcaktuar elementët e domosdoshëm filozofik të perceptimi në kohë, vend dhe hapësirë. Në tërë këndvështrimin e saj shihet mbështetja në zgjedhjen dhe përdorimin e figurshëm të fjalëve, në shumëllojshmërinë e tyre, në seleksionimin e mrekullueshëm të frazeologjisë dhe krahinarizmave. Por, autori përdor bukur edhe spektrin e gjerë të karakterizmit të gjuhës dhe personazheve. Autori është ndërhyrës, por edhe i matur në rolin e tregimtarit. Diku ai gjen edhe modelin e tillë për të përcjellë humorin, realitetin dhe pasqyrën e atijt të cilit i sfidohej koha, jeta e njeriut, atij pra delirit që në sfilitën letrare të Bernard Showt dhe të Matos gatuhet i tillë: “Pas dialogut të shkurtër me të sapoardhurin, mësuesja, e skuqur pakëz nga emocioni, iu drejtua klasës: “- Shoku Ziso, është instruktor në komitetin e partisë dhe ka ardhur të bisedoj pak me ju... Nuk mund ta përcaktoj saktë, pse prania e tij më shkaktoi aq bezdi. Ndoshta nga çorapet e kuqe të grisura. Ndoshta se ndërpreu vlerësimet e tjera të mësueses dhe të shokëve për hartimin tim. Ndoshta se çorapekuqë të tjerë si ky, më kishin burgosur babanë. Po e vërteta është se e kundrova sikur të më dhembnin sytë.

- Hë, mo kalamaqër, si jini, si ja shpini? - e çoi buzën vesh më vesh ai, duke u shtirë tepër i dashur me ne.

- Miiirë! - thamë të gjithë në një gojë.

- Miri e ma miri qofshi, se keshtu u do juve mema jona Partia, te beheni bijë e bija te ditura e te mesuara te Shkiperias.

- Qënka vurgar! - nxitova t’i pëshpëris Afesasë te veshi, duke dalluar tek ai aksentin shqip të minoritarëve. Dhe padashur më shkuan sytë te gjunjët e saj të zbuluar deri lart.

- Uh, - ia bëri ajo, duke ndjerë vapën e ditëve të para të qershorit. - Unë e kam

mendjen te deti, sa të mbarojë ora, do shkojmë me shoqet të lahemi te pllakat…

Instruktori vijoi të na fliste për sukseset e fshatarësisë së Vurgut dhe për dërrmën që po u jepte Partia me Enverin armiqve e tradhtarëve të vendit.” (Kap. 8).

Damkosje e ëngjëjve” e kapërcen “sagën’. Saga e njohur si një tregim i vecantë i popujve nordikë për jetën familjare në tërë strukturën e kësaj proze mbetet një synim më i gjerë. Ajo kalon hapësirën familjare dhe krijon kompleksin filozofik të së tërës. E përshkruara në kapitullin e tetë e qartëson këtë. Tjetra që është domethënëse për t’a kapërcyer atë si një sagë, është se ajo nuk vjen në formën gojore edhe pse vjen si një ‘model’ përvuajtës. Ajo që autori kapërcen është fakti i boredomit, asaj gjendjeje që ka krijuar dhe ka lënë fatin e tij në situatën që shkruan për të. Autori nuk shkruan nga indinjimi, as nga pozita e mërzitjes letrare (boredromit), se ajo e kupton rrjedhën e saj dhe nëpërmjet qetësisë arrin të konfigurojë kalavarin e persekutimit, por nga dukuria e veçorisë tipike që vjen nga stili i tij dhe nga ushqimi shpirtëror i ndikuar nga filozofia kohë, vend dhe hapësirë. Në këtë pikë kemi ardhur në një moment të rrëndësishëm ku duhet të shpjegojmë se c’është në fakt ‘boredromi’ në letërsi. Boredromi nuk është thjesht ‘mërzitja’ në kuptimin e tij të parë të përkthimit drejtpërdrejt në shqip. Boredromi është një ‘Mërzitje’ më saktë është një gjendje emocionale e përjetuar gjatë periudhave kur mungon veprimi apo kur individët janë të interesuar në mundësitë që i rrethojnë. Rekordimi i parë i fjalës ‘mërzitje’ në formën e ‘boredromit letrar’ është shfaqur për herë të parë në romanin “Shtëpia e zymtë” të shkruar nga Charles Dickens në vitin 1852, në të cilën ajo si fjalë shfaqet gati gjashtë herë, ndonëse shprehja dhe përdorimi direkt i saj është dhe ka qenë përdorur në kuptimin tjetër "të jetë i lodhshëm apo i shurdhër " që nga viti 1768. Fjala në këtë kuptim, ‘Mërzitje’ ka qenë përcaktuar nga C.D. Fisher në drejtim psikologjik që sipas tij nënkupton: "një gjendje të pakëndshme, emocionale e rastit, në

të cilën tek individi ndihet një mungesë e përhapur e interesit në vështirësi dhe duket i përqëndruar në aktivitetin aktual." Z. Leary dhe të tjerët e përshkruajnë mërzitjen e këtij kuptimi si "një përvojë emocionale e lidhur me procese njohëse jashtë vëmendjes dhe interesit." Në psikologjinë pozitive, ankthi është përshkruar si një përgjigje për një sfidë të moderuar për të cilën subjekti ka aftësi më shumë se sa duhet. Këto definicione e bëjnë të qartë se mërzinz nuk lind nga mungesa e gjërave për të bërë, por nga pamundësia për të lëvruar lirisht mbi ndonjë aktivitet specifik, siç është në këtë rast krijimtaria letrare e Vullnet Matos.

Mjeshtria e renditjes estetike të fjalëve ‘kuptim-dyfyshe’ Është jo shpesh e lakmueshme të gjykohen autorët e tregimeve. Por ja që ndodh. Dhe ata gjykohen nga fjalët e tyre, që formojnë krijimtarinë. Kështu ndodh me poetin, tregimtarin, novelistin apo edhe me romancierin. Kur lexon tregimin e Vullnet Matos “Ndarja” gjen pikërisht këtë ‘gjykim’ që vjen përpos fjalëve të ‘ndyra’ të përditshmërisë, por që në krijimtari përbëjnë ‘lezetin’ dhe arsyen e përdorimit të tyre profesional, mjeshtrinë e përdorimit estetik të tyre në kuptimin dysh që ata mbartin. Tek ky tregim si shembull autori përdor: “-Ti je kurvë, kurvë e paliçensuar! -shpërtheu Tori eksplozivin e vet. -Ndërsa ti je psikopat me liçencë, që the të parën, fjalën e fundit, -ia përplasi Frida me acarim nga poltroni përballë. -Dhe mua, s'më mbetet tjetër, veçse të bëj të parin, veprimin e fundit...”. Fjalët ‘kurvë’ dhe ‘psikopat’ natyrshëm janë këto fjalë vulgare të fjalorit të përditshëm, por janë këto fjalë që i japin emocion tjetër tregimit. Një emocion që ka lidhjen e tij që nga koha e Greqisë Antike. Nga ajo kohë ku fjalët e ndyra bënë që letrsia dhe filozofia greke të quhej ‘mjeshtre e vërtetë’ dhe krijuesit e asaj kohe të këtij vendi të quheshin ‘mjeshtër të vërtetë të fjalëve të ndyra në poezi dhe krijimtari letrare’ (Robson, James 2009:15). James shkon më tej duke sqaruar se “Për grekët, sharjet nuk ishin "të pista", ata janë thjesht fjalë që ju mund të përdorni për të përshkruar një situatë. Me ato fjalë që ju përshkruani se çfarë ishte duke ndodhur kur ai kishte fjetur me të dashurën tuaj ju gjeni tek këto fjalë atë që duhet pra opozitarin në dashuri, pra si rivalin tuaj.” (ibid). Kështu edhe dy fjalët e përdorura nga Mato mjaftojnë për të kuptuar aspektin që lidh përdorimin e tyre dhe ‘boredromin’ në krijimtarinë letrare, edhe për vetë faktin që në planin e parë duken disi të mërzitshme e tejkaluese në normën e komunikimit, por që janë të domosdoshme në leximin e një vepre letrare. Në një mënyrë më të thjeshtë, por më përshkruese shihet kjo tek tregimi “Haka e grave” ku fjalët janë disi një lidhje me aspektin dyfish të kuptimit të tyre, si ‘pela e bardhë’ apo edhe më tej duke lexuar këtë fragment: “Plasa me punët e shtëpisë, laj, shpëlaj, gatuaj e ushqej fëmijët, vjen edhe ti e më thua mbaji këmbët ngritur të bëj qejf unë, më ler rehat sot, të të bëj një lakror që të pëlqen!" Ja kështu më thoshte gruaja. Kurse kjo tjetra, mëzja pe Kolonje:"Ilkë, o shpirt, do vdes po s'të kam pranë!" dhe më rrufiste e më lëshonte avullin e ngrohtë në gojë. E si të mos më prishej mendja të harxhoja për të bërë qejf me të, bre! …Mëndja e burrit me vidha është, gratë kanë kaçavidhën në dorë, të zhvidhosin kur të duash, shpëton vetëm po i pate vidhat të ndryshkura. E, nejse, ajo pela e bardhë e Tomit, Florenca, ishte aq e lojtur pas tij, sa do e linte edhe mamanë duke vdekur, për të bërë gjysmë ore dashuri me Tomin...” Dhe më tej me këtë fragment, ku fjala ‘si koqe’ dominon: “Eh, ç'grua e rrallë ishte ajo imja, bre byrazer! Me një fisnikëri të madhe karakteri. Po unë jam sjellur si koqe me të. Rastis që ne, intelektualët, ngaqë na pëlqen mëndja shumë, veprojmë me gratë fare pa mënd…”