NJË PENË E HOLLË ZHBIRUESE, QË DEPËRTON NË SKUTAT MË TË ERRËTA TË PAVETËDIJES

Rreth aktit letrar të poetit e prozatorit Vullnet Mato dhe posaçërisht, rreth librit të tij me tregime “Herbare njerëzore”

 

            Emri i shkrimtarit dhe poetit të njohur Vullnet Mato u duk aty nga fillimi i viteve ’70, në kohën kur letërsia shqipe po promovonte me sukses të plotë emrat e letrarëve më në zë të saj, që do t’i jepnin një drejtim të ri artit të shkrimit estetik. Kjo letërsi i pati thyer tabutë dhe kufijtë dogmatikë me emrat e saj më në zë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi dhe më vonë Xhevahir Spahiu e të tjerë.

            Vullnet Mato vinte nga një trevë mbresëlënëse e jugut të vendit, nga Ftera e Sarandës në gji të detit Jon, dhe për shkak të së ashtuquajturave “njolla në biografi” do të pësonte “mallkimin” e luftës së sajuar të klasave, megjithatë, ndonëse me shumë vështirësi, arti i tij shkrimor do të çante përmes perdes së ngrysur gri të kohës. Vullneti do t’i përcillte lexuesit një poezi të çiltër dhe plot aromë jete, jashtë kornizave të kohës, një prozë të ngrohtë, me ritme të vrullshme jete, një narracion të natyrshëm dhe pa lajle lule të kota, ku frynte një lirizëm i ngrohtë dhe sugjestiv, pasojë e faktit se autori ishte në thelbin e tij poet, një poet me diapazon të veçantë botëvështrimi.

            Që nga libri i parë me poezi "Tinguj malesh", 1969, tek “Krahët e erës", 1972, romani "Ujësinor", 1976, përmbledhja poetike "Ninullat e Hekurit", 1984, "Era e kësaj kohe", 1984, roman, vëllimi me poezi "Dritaret e prillit", 1994, "Katër plagë të Shqipërisë", 1999,  përmbledhje me poemë, tek Romania “Lakmia” që u nderua me çmim në një konkurs mbarëkombëtar të ndërmarrjes botuese “Gjon Buzuku” të Kosovës,  etj.,  rruga letrare e Vullnet Matos ka vijuar të prodhojë vlera në gjini e zhanre të ndryshme letrare, çfarë ka bërë që ky autor të gjejë koordinata afektive me lexuesit që e duan dhe e pëlqejnë letërsinë që ai shkruan, qoftë poezinë, qoftë prozën e shkurtër apo të gjatë, romanet.

            Përmbledhja më e fundit me tregime (30 tregime) me titull “Herbare njerëzore” është një pikë kulmore e autorit në gjininë e prozës së shkurtër, ku duket një penë mjeshtërore, që vizaton në linjë horizontale dhe vertikale fate njerëzish në autostrada pasionesh dhe udhëkryqe ndjenjash, trillesh dhe mëdyshjesh, dyzimin, ankthin, erotizmin e sëmurë, deliriumin e marrëdhënieve të sforcuara njerëzore, një kompleks virtytesh, vesesh, vuajtjesh, dhimbjesh, harbimesh e shfrimesh, që iu përgjigjen tablo të plota të jetës njerëzore.

            Me një stil të zhdërvjellët, plot kolorit gjuhësor, me figura të gjalla dhe detaje të holla, prozatori vizaton portrete protagonistësh, tablo emocionale të realitetit shumëngjyrësh që bën objekt të shqyrtimit të tij narrativ.  Pena e hollë e V.Matos zhbiron në skutat më të errëta të pavetëdijes, iu jep udhë e drejtim dilemave të karaktereve në çaste kthesash jetësore, duke evidentuar pasurinë shpirtërore dhe rezistencën e shpirtrave të lirë, të panënshtruar nga e keqja, mbi të cilën dalin triumfues.

            Psikoanaliza e fakteve, detajeve, gjendjeve të trajtuara me aq realizëm, por dhe me tone groteske, kapërcimi i çdo kornize trajtimi bardhë e zi të situatave narrative, të gjitha këto e cilësi të tjera të procedimit estetik të Matos, i bëjnë tregimet e tij aq të gjalla dhe komunikuese në vetëdijen e lexuesit të çdo moshe.

            Rrëfimi i vrullshëm, lirik, me penelata të holla humori, ironie dhe alegorike e bëjnë prozën e shkurtër të Matos të lexohet me një frymë, duke na bashkëshoqëruar gjatë këtij leximi nënvizimi nëntekstual, midis rreshtave, që autori iu bën rrethanave dhe fateve ku pleksen personazhet e tij.

            Në tregimin “Dashuri mizore” jepet diagrama e një hakmarrje femërore, një lloj kompensimi sindromik, që një femër e keqpërdorur në marrëdhëniet dashurore dhe erotike, i bën partnerit të saj, si hakmarrje për atë çfarë të tjerët kishin bërë ndaj saj. Vizatimi me tone të lehta, midis grisë dhe të verdhës e bëjnë tregimin sugjestiv, zhbirues deri në imtësi të botës së protagonistit, e cila është një viktimë e dyfishtë e një realitetit të avraguar social, etik dhe filozofik.

            Dritëhijet vetmisë, midis dashurisë, erotizmit, seksualitetit  dhe tradhtisë jepen në tregimin me titull “Kur del Dona në ballkon”, ku drama e marrëdhënieve midis dy bashkëshortëve që nuk përputhen në kohë dhe në ëndrra, jepet me ngjyra të përzishme dhe një gjuhë të ftoftë, plot aludime therëse.  Tradhtia e Donës është një nga ato mijëra histori që dëgjojmë përditë nëpër kafene, me më pak apo me më shumë dramacitet, por në penën e V.Matos, kjo histori shndërrohet në apel mistifikues të fatit ku përfundojnë marrëdhëniet e sforcuara, që nuk kanë në themel dashurinë dhe mirëkuptimin por fasadat e keqpërdorura dhe banalitetin.

            E veçanta e produktit artistik, që prodhon ky shkrimtar në laboratorin e tij krijues, është analiza e imët, tekstore e nëntekstore, e drejtpërdrejtë dhe poetike, e përvojave, mbresave, përjetimeve, kujtesave dhe fakteve që përbëjnë autencitetin e jetës së bashkëkohësve dhe të tij dhe bashkëkohësisë.   Dinamik dhe i vrullshëm në procedimin estetik, ai ka krijuar një profil të tij, të ciin e pasuron çdo ditë me punë dhe kontribute të reja artistike.   

            Vullnet Mato ia ka dalë të krijojë një profil të tij estetik krijues, krejt të dallueshëm nga të tjerët, nga sivëllezërit e brezit të tij, por dhe të brezave të tjerë, në letrat mbarëkombëtare shqipe.

            Mjetet e tij shprehëse dhe koncepti stilistiko-strukturor i fokusimit estetik kanë të bëjnë me identifikimin e këtij krijuesi si një kërkues në shpirtin kolektiv shqiptar, me anë të kujtesave dhe perceptimeve metaforike e simbolike, që autori i shndërron në mënyra të përcjelljes së kredos së tij dhe të mesazheve që kërkon të bëjë objekt reflektimi në vetëdijen e lexuesit.

            Të lodrosh në faqet e librave të këtij autori, në botën e shkrimeve të tij, në analizat, refleksionet, kritikat letrare, esetë, studimet kulturologjike, tregimet, romanet, poezitë, në thelb, është një ballafaqim me kohën dhe hapësirën e shpirtit estetik shqiptar, me ato gjurmë në kohë, me të cilat vetëidentifikohen krijuesit më të mirë të letrave tona kombëtare. Vullnet Mato është një shembull i joshjes së jashtëzakonshme, sepse shkrimet e tij e shoqërojnë lexuesin brenda botës intime, zakoneve, edukatës familjare, traditave etnike, gjendjes së përjetimit, mendimit, ndjenjave atdhetare e kombëtare, historisë sonë si produkt i katharsisit moral dhe filozofik mbarëkombëtar.

            Të rrugëtosh me poezinë, prozën, aktin krijues, të identifikohesh me to, do të thotë të jesh i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd.

            Si eseist, redaktor librash dhe kritik letrar ai ka në fokus të qëndrimit të tij raportet e vështira të shkrimtarëve shqiptarë të me kohën e tyre, raportet e artit shkrimor me të kaluarën e afërt të shqiptarëve, që i ndante njerëzit me parcela ideologjike, me anë të luftës së klasave, që ishte njësia e identifikimit të vlerave, në vend që të ishte produkti estetik.

            Shkrimtari dhe poeti Vullnet Mato është një nga zërat më të fuqishëm letrarë të brezit të tij, një emër përfaqësues i letërsisë së re që shkruhet sot në Shqipëri dhe në mbarë botën shqiptare, një letërsi e çliruar nga paranojat dhe hijet e së kaluarës së frikshme, që nuk tenton dot më të rikthehet dhe të riformatohet, përveçse në shkrimet dhe produktet artistike të shkrimtarëve, si një mesazh për të mos shkelur më në të njëjtat gjurmë, siç ndodh dhe tek Vullnet Mato, që raportet e njeriut me të kaluarën i ka në fokus të rrëfimeve të tij.

            Në analizë të fundit, Vullnet Mato është një shkrimtar, poet dhe kulturolog me një pasuri të madhe prurjesh estetike, tituj shkrimesh e librash, ese, reportazhe, polemika, poezi që vazhdojnë ta pasurojnë titujt dhe spektrin e këndvështrimit poetik, shkurt një pasionant i shkrimit artistik, që mëton të sjellë çdo ditë një fjalë të re, të pathënë më parë, në analet e fjalës së bukur shqipe. 

            Përmbledhja  e tij më e fundit me tregime “Herbare njerëzore” është një kulm në rrugën afirmative të shkrimtarit, që në fund të fundit tregon mundësitë e tij krijuese, të cilat kanë ardhur vazhdimisht duke u pasuruar, duke u bërë më të lëmuara dhe më sugjestive, më cilësore në kuptimin e teknologjisë estetike dhe mesazheve që përcjellin, duke u bërë me elegancën dhe sharmin e fjalës së shkruar, më të pranishme në analet e letrave tona kombëtare.  

Hyqmet Hasko – krijues-kritik