VANGJUSH ZIKO - Kanada

VLERËSIM NGA PROFESORI I LETËRSISË

VANGJUSH ZIKO, NË KANADA

 

I dashur Vullnet,
Poezia jote “LUGA IME LEGJENDARE” me pëlqeu për disa arsye.
Po e nis nga e para e te parave, mjeshtëria artistike. Këtë e ke arritur nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë të figurshme. Nuk e kam fjalën vetëm ne epitetet e goditura dhe me ngjyrim kohor. Nuk e kam fjalën vetëm për rrjedhshmërinë dhe ritmikën harmonike të vargjeve dhe të strofave. As vetëm në ngjeshjen e mendimeve dhe skicimin e një periudhe historike vetëm në një strofë katërvargëshe. Te gjitha janë të vërteta.
E kam fjalën për atë figurë aq të gjetur dhe funksionale që ka në thelb kombinimin e së madhërishmes me më të thjeshtën, të "gjeneralit" me "ushtarin", të këtij kontrasti artistik jashtëzakonisht shprehës, që të befason me "guximin" meditativ dhe qe, në thelb, shpreh thelbin e raportit të pushtetit me njeriun. Figura artistike,në këtë mënyrë, është bërë përgjithësuese idesh dhe raportesh, krijon ndjenjën e vërtetësisë historike dhe njerëzore,transmeton këtë dramë të përjetshme, kur me te butë dhe kur tejet të ashpër.
Një gjetje vërtetë e goditur është "luga" dhe "barku", ku përmblidhet artistikisht filozofia njerëzore e ekzistencës dhe e mbijetesës.
Përsa i përket anës lirike, poezia të bën për vete me "naivitetin", bindjen e "ushtarit" ndaj "eprorit" dhe shpirtit të tij të sakrificës në emër të asaj periudhe apo atyre udhëheqësve që janë të pranuar prej tij, me dashje apo pa dashje. Naivitet i cili, nuk ka fund deri në prag të vdekjes. Trishtimi plekset me ironinë.
Larmia e situatave dhe e raporteve me kohën dhe me historinë i ka dhënë larmi edhe orkestrimit të ndjenjave, nga bindja, nga adhurimi e gjer te përbuzja dhe nëmja e heshtur.
Poezia ka ngjyrimin e një balade, e cila i shkon për shtat edhe brendisë historike.
Pra, poezia, duke trajtuar një temë kaq të përgjithshme dhe kaq të shtrirë në kohe, kaq "politike" ne planin etnik, duke përdorur mjeshtërisht arsenalin artistik dhe jo atë te ballëpërballëshmin pamfletik, komunikon dhe na emocionon.

 

To: botaere@yahoogroups.com
From: v.th.ziko@hotmail.com
Date: Wed, 26 Dec 2012 19:58:05 -0500